Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lexime

Neuroseksizmi: Miti se truri i burrave dhe grave janë të ndryshëm

QIKA 8.6.2021

Lise Eliot shkruan se studimet që kanë pasur qëllim të analizojnë dallime mes trurit të grave dhe të burrave janë dëshmi për praktika të gabuara kërkimore. Disa studime të reja nga neuroshkenca po hedhin poshtë mitin e “trurit femëror”.

Dallimet e trurit në bazë të identitetit gjinor: Neuroshkenca e re që shkatërron mitin e “trurit femëror”

Në librin e saj “The Gendered Brain”, nuroshkencëtarja kognitive Gina Rippon përshkruan një studim që pretendon që “më në fund” ka përshkruar dallimet në mes të trurit të burrave dhe grave.

Ishte një analizë e rezonancës magnetike (MRI) e 21 burrave dhe 27 grave nga studiuesit në Universitetin e Kalifornisë, Irvine (R. J. Haier et al. NeuroImage 25, 320–327; 2005). Studim i parëndësishëm në ditët e sotme, megjithatë pati mjaft publicitet, nga gazetat, blogjet deri në televizion, libra dhe përfundimisht tek mësuesit dhe konferencat e korporatave për lidership.

U zgjova një mëngjes të vitit 2010 për të parë se sa keq ekzagjeronin këtë studim në Early Show, një program i rrjetit televiziv amerikan. Prezantuesi, Harry Smith, nuk u përmbajt kur korrespondentja mjekësore Jennifer Ashton deklaroi se burrat kanë “gjashtë herë e gjysmë më shumë materie gri” sesa gratë, ndërsa gratë kanë “dhjetë herë më shumë materie të bardhë” sesa burrat. Më pas filluan diskutime thumbuese për talentin e burrave në matematikë dhe aftësinë e grave për të kryer shumë detyra në kohë të njëjtë. Nuk u diskutua se nëse këto dallime do të qëndronin në të vërtetë, gratë do të duheshin të kishin kokën 50% më të madhe. Nuk u diskutua as që ekipi i Irvine nuk krahasonte madhësinë e kokave, por hetonte korrelacionin mes IQ dhe materies gri ose të bardhë.

Neuroseksizmi

Hulumtimet e panumërta lidhur me dallimet gjinore të trurit janë plotë me keqinterpretime, paragjykime në botime, statistika të dobëta dhe kontrollë joadekuate. Në librin e saj ambicioz, Rippon ngreh zërin kundër neuroshkencës që analizon gabimisht dallimet në bazë të seksit dhe ofron shumë shembuj. Njëri nga studimet e përmendura nga Rippon pretendon që “Më në fund, e kemi zbuluar të vërtetën”. Studiues të tjerë menjëherë kanë ekspozuar ekzagjerimet fatale të këtij studimi dhe zhdukën këtë pretendim. Mirëpo nuk kalon shumë kohë deri sa të del studimi tjetër me pretendime të ekzagjeruara dhe vazhdon të citohet deri sa të del analiza tjetër që e hedhë poshtë. Ky cikël përsëritet vazhdimisht. Disa studiues të tjerë ekspozojnë ekzagjerimet fatale dhe më në fund pretendimi i kundërt zhduket, deri në analizën tjetër që hedhë poshtë këtë pretendim dhe më pas fillon cikli nga fillimi. Siç tregon Rippon, këto hulumtime për të gjetur dallimet në tru në bazë të seksit “janë shtyrë me forcë për tërë këto vite me të gjitha teknikat që shkenca mund të ofronte”, dhe ka shpërthyer në tri dekadat e fundit, qëkur studimet e MRI i ishin bashkuar këtij diskutimi.

Megjithatë, libri i Rippon zbulon se këto studime nuk kanë arritur të ofrojnë rezultate konkrete. Përtej “mungesës së pesë gramve” në trurin e grave, zbulim që bëri bujë që nga shekulli 19-të, shkencëtarët bashkëkohorë nuk kanë identifikuar ndonjë dallim vendimtar e përcaktues që kategorizon dallimet e trurit në baza gjinore. Një studim i vogël i bërë në vitin 1995 nga Nature, proklamoi se në trurin e grave, procesimi i gjuhës në hemisferë nuk është i përhapur në mënyrë të barabartë si tek burrat, (B. A. Shaywitz et alNature 373, 607–609; 1995). Ndërsa një meta-analizë më e madhe e bërë në vitin 2008-të, demantoi këtë teori (I. E. Sommer et alBrain Res. 1206, 76–88; 2008). Madhësia e trurit rritet proporcionalisht me madhësinë e trupit, sikurse materia gri dhe e bardhë rritet proporcionalisht me zonat me prerje të tërthortë. Por këto janë dallime të vogla dhe jo madhore. Rippon thekson se këto dallime zhduken kur krahasojmë gratë me madhësi të kokës më të madhe me burrat me kokë më të vogël. Njëkohësisht nuk kanë ndonjë korrelacion direkt me aktivitetet e kohës së lirë apo pagën e burrave dhe grave.

Historia e paragjykimeve

Mesazhi kryesor i Rippon është se “një botë e ndarë në baza gjinore, prodhon një tru të tillë”. Libri i saj, së bashku me librat “Inferior” të Angela Saini’s, dhe “Delusions of Gender” të Cordelia Fine’s  kanë për qëllim rrënjosjen e “neuroseksizmit” që është prezent në shumicën e përpjekjeve për të kuptuar dallimet në tru.

Historia e studimeve të kaluara është mjaft interesante për tu lexuar, nëse do të ishte gjithçka e vërtetë. Historia që Rippon ofron në librin e saj fillon më një citim të vitit 1985 nga psikologu social Gustave Le Bon, i cili përdori cefalometrin e tij portativ (një instrument për matjen e kokës) për të deklaruar se gratë “përfaqësojnë format më inferiore të evolucionit njerëzor”. Libri përfundon në vitin 2017, me inxhinierin e Google, James Damore, i cili thotë se ka “arsyeje biologjike”, që spjegojnë mungesën e grave në fushën e teknologjisë dhe në pozita vendimmarrëse.

Siç tregon Rippon, kërkimet për të vërtetuar inferioritetin e grave, kohëve të fundit janë lënë anash në kërkim të provave për të vërtetuar “ndërvarësinë” burrë – grua. Pra, këto hulumtime të reja pretendojnë të tregojnë se gratë nuk janë më pak inteligjente se burrat, thjesht janë ‘ndryshe’, në një formë që përkojnë me mësimet biblike dhe status quo-të e roleve gjinore. Këto studime pretendojnë se truri i grave është më i ndjeshëm dhe intuitiv, ndërsa truri i burrave supozohet të jetë racional dhe i arsyeshëm.

Për shembull, në vitin 2014 studiuesit në Universitetin e Pensilvanisë në Filadelfia kryen një hulumtim duke përdorur MRI. Studimi ushqeu imagjinatën e publikut me pamje të trurit të burrave dhe grave, të cilët paraqiteshin si harta metroje diametralisht të kundërta: lidhjet në trurin e grave janë kryesisht midis hemisferave dhe në trurin e burrave brenda tyre (M. Ingalhalikar et al. Proc. Natl Acad. Sci. USA 111, 823–828; 2014). Sidoqoftë, studimi i la anash dhe nuk i paraqiti ngjashmëritë e mëdha mes trureve, si dhe nuk ka marrë parasyshë moshën e pjesëmarrësve dhe as madhësinë e trurit në shumicën e respodentëve.

Shtigjet kulturore

Pra, nëse jo përmes trurit, atëherë si i shpjegojmë ndryshimet e mëdha në sjellje dhe interesa mes burrave dhe grave?  Lidhur me këtë temë, Rippon flet për ndikimin e një bote të ndarë në baza gjinore në trurin e njeriut. Ajo e ndërton qëndrimin e saj në katër pjesë, nga historia e neveritshme e hulumtimeve në dallimet në bazë të seksit përmes metodave moderne të imazhit të trurit, shfaqja e neuroshkencës sociale-kognitive dhe provat e dobëta për dallimet në bazë të seksit në trurin e foshnjeve të sapolindura. Rippon tregon sesi “sfungjerët cerebralë”  të fëmijëve dallojnë vetëm për shkak të kulturave të rënda ku ndajnë ngjyrat rozë kundrejt asaj të kaltër, të cilat mveshen që nga momenti kur zbulohet seksi i foshnjeve, madje edhe para lindjes.

Pjesa e katërt na sjellë në shekullin e njëzet e një, megjithëse jo që ka një fund të lumtur. Përqendrohet tek gratë në shkencë dhe teknologji dhe mënyrën se si bota e ndarë në bazë gjinore, përfshirë edhe profesionalizimin e shkencës dhe stereotipin mashkullor të “shkëlqyeshmërisë”, ka penguar hyrjen dhe përparimin e grave në këtë fushë. Gratë e talentuara vlerësohen si “fuqi punëtore”, ndërsa burrat si “gjeni”, një dallim që fëmijët e përbrendësojnë para moshës gjashtë vjeç, sipas hulumtimit nga Lin Bian, Sarah-Jane Leslie dhe Andrei Cimpian (L. Bian et al. Am. Psychol. 73, 1139–1153; 2018). Të gjithë këta faktorë hyjnë në ciklin e zhvillimit të trurit, nga pritshmëritë e ndryshme, vetëbesimit dhe ndërmarrjes së rrezikut që i shtyn djemtë dhe vajzat në trajektore të ndryshme të karrierës dhe suksesit.

Ndryshimi i mendjeve

Pjesa e fundit e këtij artikulli shpjegon nëntitullin e librit të Rippon ‘Neuroshkenca e re që shkatërron mitin mbi trurin femëror’. Një vëllim që demanton dallimet e trurit mes grave dhe burrave, pse të fokusohet vetën në gra? Në fillim, mendova se ishte goditje ndaj “The Female Brain” 2006 të Louann Brizendine, i zhytur në këto faqe (R. M. Young dhe E. Balaban Nature 443, 634; 2006). Ose mbase është për të vënë në përdorim termin ‘truri femëror’ si një variant i çuditshëm i së vërtetës, sikurse përdorim termet një ‘fizikane grua’ ose ‘kirurge grua’.

Cilido qoftë nëntitulli, libri përmbush qëllimin e tij për ta hedhur poshtë konceptin e ndarjes së trurit në bazë të identitetit gjinor. Truri, ashtu si organet tjera si  mëlçia, veshkat ose zemra, nuk ka ndonjë dallim gjinor. Në fund të librit të saj, Rippon flirton me implikimet e këtij zbulimi për numrin në rritje të njerëzve që kalojnë ose jetojnë mes kategorive aktuale të gjinisë, përtej binares grua-burrë. Por tani për tani, përfundon ajo, shumica prej nesh mbetemi të mbërthyer në “paracaktimet shoqërore” që paraqesin trurin si dicka që është femërore apo mashkullore.

Lise Eliot

E përktheu: Medinë Dauti

Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://www.nature.com/articles/d41586-019-00677-x?fbclid=IwAR2qnqRingfWmBpoGPeOLsDEufY8cO7-d55J9HXcaq8K_K0_Djld9udvmLM