Alb Eng
Për QIKA
Lexime

Nuk ka drejtësi klimatike pa drejtësi gjinore

QIKA 1.3.2021

Aktivistët feministë në të gjithë botën po ngrenë zërin dhe po ndërmarrin veprime në mënyra të ndryshme për të luftuar për drejtësinë klimatike, të drejtat e grave dhe të drejtat e njeriut. Protestat e tyre janë të zëshme dhe të larmishme. Shpesh janë feministët, aktivistët indigjenë, gratë me ngjyrë, apo personat trans, ata që udhëheqin protestat e drejtësisë klimatike në komunitetet e tyre. Të gjithë ndajnë të njëjtin shqetësim qendror: ndryshimi i klimës nuk duhet të trajtohet si një krizë e izoluar, por të njihet si një simptomë e shoqërive tona industriale në rritje dhe mënyrës se si e trajtojmë planetin tonë.

Prandaj, aspektet strukturore të shoqërive – përfshirë marrëdhëniet e tyre gjinore – duhet të jenë thelbësore në politikat e ndryshimit klimatik. Gratë dhe burrat nuk janë grupe homogjene. As gjinia nuk është e pandryshueshme ose binare. Sidoqoftë, gjinia ka një ndikim vendimtar në rolet shoqërore dhe çon në dallime të vazhdueshme tradicionale hierarkike gjinore në të gjithë botën. Këto pabarazi strukturore gjithashtu rezultojnë në perceptime të ndryshme të ndryshimit të klimës. Sigurisht, dimensione të tjera shoqërore si klasa, raca, mosha dhe aftësia e kufizuar gjithashtu kryqëzohen me gjininë. Të gjithë këta faktorë çojnë në disavantazhe ose privilegje të mundshme për njerëzit dhe gjithashtu ndikojnë në aftësinë e tyre për t’u përshtatur me pasojat e ndryshimit klimatik.

Në të gjithë botën, të drejtat e grave, qasja e tyre në burime dhe mundësitë e tyre të zhvillimit janë të kufizuara. Në politikat klimatike, poashtu, zërat e tyre kanë vazhduar të jenë kryesisht të padëgjuar deri më tani. Padrejtësitë globale të vazhdueshme, strukturat patriarkale, shpërndarja e pabarabartë e punës së kujdesit, pengesat sistematike dhe nevojat e ndryshme të grave dhe burrave çojnë në pabarazi politike, ekonomike dhe sociale midis gjinive.

Ndikimi i këtyre pabarazive është gjithashtu i dukshëm në faktin se gratë preken në mënyrë disproporcionale nga efektet negative të ndryshimeve klimatike. Kjo është kryesisht e vërtetë për ato gra të margjinalizuara që nuk kanë qasje në infrastrukturën publike ose që jetojnë në zona që preken më rëndë nga ndryshimi klimatik, si rajonet bregdetare. Këta janë zakonisht personat që kanë kontribuar më pak në krizën e klimës. Sidoqoftë, është e gabuar të krijojmë stereotipe për gratë që në përgjithësi shihen si më të prekshme, pasi që cenueshmëria e tyre prodhohet nga marrëdhënie të pabarabarta gjinore për sa i përket shpërndarjes së fuqisë, burimeve dhe pasurisë.

Një vështrim në sektorin e domosdoshëm të bujqësisë e bën këtë të qartë. Pasiguritë ndaj ndryshimeve klimatike varen nga praktikat bujqësore, farërat, qasja në tokë, ujë, pajisje bujqësore, plehra, kredi, etj. Por qasja dhe njohuritë që kanë të bëjnë me këto gjëra nuk janë shpërndarë në mënyrë të barabartë mes grave dhe burrave. Shumë fermere të vogla janë gra. Nëse zbatohen politika të ndryshimit klimatik që mbështeten vetëm në teknologjitë e përmirësuara të bujqësisë, kjo mund të rrisë më tej pabarazinë gjinore. Marrëdhëniet ekzistuese gjinore gjithashtu nënkuptojnë që dështimet e të korrave, katastrofat natyrore, konfliktet, sëmundjet e shkaktuara nga ndryshimi klimatik, mungesa e ujit ose energjisë ndikojnë ndryshe tek gratë dhe burrat. Nëse politika klimatike nuk merr parasysh gjininë, pabarazitë ekzistuese mund të përkeqësohen më tej dhe përparimi i bërë drejt një shoqërie më të drejtë do të përmbyset.

Sipas një studimi të ONP-së (Organizata Ndërkombëtare e Punës) nga 2018, gratë dhe vajzat kryejnë 12.5 miliardë orë punë të papaguar të kujdesit çdo ditë në të gjithë botën, e cila çon në pabarazi ekonomike masive. Kriza klimatike do ta bëjë më të vështirë sigurimin e ushqimit, ujit dhe drurit dhe sëmundjet vetëm se do të përkeqësohen. Kjo nga ana tjetër do të rrisë shumë sasinë e punës së kërkuar për këto aktivitete të kujdesit të papaguar, të cilat do të kenë një ndikim negativ të njëanshëm në kohën dhe përshtatshmërinë e grave.

Nëse shikojmë mundësitë për të marrë pjesë në procese dhe vendime rreth ndryshimit klimatik, gratë janë të nënpërfaqësuara globalisht dhe veçanërisht në fushat e energjisë dhe transportit. Që nga viti 2015, vetëm 12 përqind e ministrive të mjedisit në botë drejtoheshin nga gra. Gratë me përvojë lokale, të tilla si grupe indigjene, shpesh nuk marrin as informacione se si të përfshihen në politikën e ndryshimit klimatik në vend, edhe nëse zyrtarisht kanë të drejtë ta bëjnë këtë. Si rezultat, perspektivat dhe nevojat e tyre shpesh nuk merren parasysh. Nëse duhen marrë vendime të qëndrueshme, ata që preken drejtpërdrejt nga ndryshimi klimatik duhet të bëhen pjesë integrale e proceseve të vendimmarrjes në lidhje me të.

Sidoqoftë, ndryshimet gjinore shkojnë përtej masës në të cilën njerëzit preken negativisht nga ndryshimi klimatik. Ato reflektohen gjithashtu në preferencat e ndryshme për masat zbutëse të ndryshimeve klimatike. Për më tepër, idealet këmbëngulëse të feminitetit dhe maskulinitetit formojnë zakonet e konsumit shoqëror siç janë mënyra se si ushqehemi ose llojet e transportit që përdorim, gjë që nga ana tjetër ka një ndikim në gjurmët tona individuale të karbonit.

Kur flasim për gjininë, diskutimi shpesh përqendrohet te gratë. Sigurisht, burrat gjithashtu kanë vështirësi të veçanta që duhet të merren parasysh. Por është e rëndësishme që ne të shkojmë përtej njohjes së thjeshtë të këtyre ndryshimeve gjinore dhe të përqendrohemi në aspektet strukturore në mënyrë që t’i transformojmë ato.

Nëse jemi serioz në lidhje me drejtësinë klimatike dhe gjinore, na duhet urgjentisht një formë e re e bashkëpunimit. Kjo përfshinë një shpërndarje më të drejtë të punës së kujdesit dhe të pushtetit politik, ekonomik dhe shoqëror. Gjithashtu përfshinë njohjen e luftës feministe për drejtësi klimatike. Një perspektivë ndër-sektoriale feministe mund të ndihmojë krijimin e një politike ambicioze dhe transformuese të ndryshimit të klimatik.

Nanna Birk

E përktheu: Riola Morina

Teksti origjinal mund ta gjeni në: https://www.rosalux.de/en/news/id/42363/voices-that-deserve-more-attention

QIKA

Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion - QIKA është organizatë e themeluar në gusht të vitit 2020, që për qëllim ka mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të barabarta për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.