Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lexime

Politikat mbi sutjenat – Një histori e shkurtër e kundërshtimit feminist mbi to

QIKA 13.10.2021

Pandemia është tashmë e pranishme për 6 muaj e më shumë, gjatë kësaj kohe marrëdhënia jonë me sutjenat është bërë më komplekse se kurrë më parë. Përderisa në ditët e sotme gjithnjë e më shumë punojmë nga shtëpia, kemi filluar ta kuptojmë edhe më shumë se sa të parëndësishme janë sutjenat. Një mjet mjaft torturues për gratë dhe më delikat se sa egoja e brishtë e burrave. A janë sutjenat çështje feministe? Apo nuk janë? Nuk e di. Por përgjatë historisë, çështja e sutjenave ka qenë një ndër pikat kryesore në diskutim dhe shpesh ka qenë titulli kryesor i lëvizjes feministe. Ndërkaq, ky shkrim është përpjekje për të zbërthyer se çka do të thotë me të vërtetë sutjena, në kontekstin e patriarkalizmit dhe të “çlirimit të grave”.  

Gjoksi i grave është hiper-seksualizuar pothuajse në çdo kulturë madje kjo është edhe ndër arsyet pse trupi nudo i grave në thelb konsiderohet erotik. Në të njëjtën kohë edhe sutjenat asocojnë me erotizëm. Në anën tjetër, sutjenat janë dhe kanë qenë ndër faktorët kryesor që kanë shkaktuar probleme fizike si dhimbja e shpinës, shpatullave apo edhe probleme në qarkullimin e gjakut. Kështu, për shkak të kolonializmit, standardeve të bukurisë, evoluimi i tyre nga korsetë në sutjena, është përhapur në të gjitha kulturat, ku sipas këtyre standardeve “gjoksi i ngritur” konsiderohet më tërheqës. Disa kultura indigjene, si ato spanjolle dhe britanike i kanë prezantuar sutjenat si rregull të kulturës së tyre, por kjo nuk ka përfunduar aty, tashmë sutjenat janë bërë rregull kudo, ku pothuajse në çdo hapësirë, duke filluar nga shkollat deri tek trotuaret, gratë janë arrestuar apo qortuar nëse nuk i kanë pasur të vendosura ato për arsyetimin se kanë bërë “ekspozim të pahijshëm”.

Feminizmi që i djeg sutjenat, çka do të thotë?

“Feministet që dogjën sutjenat”, në të vërtetë nuk dogjën sutjena, mirëpo ky mit buron nga konkursi i Miss Amerika i mbajtur në vitin 1968 në New Jersey, ku protestueset feministe hodhën leckat, buzëkuqët, takat e larta në një kosh plehrash. Ato i hodhën këto gjësende në mënyre simbolike pasiqë i konsideronin ato si shtypëse për gratë. Në këtë event nuk u dogj asnjë palë sutjenash, por megjithatë ky emërtim ngeci që nga ajo kohë. Ky veprim nisi valën e re të feminizmit që u përqendrua në autonominë trupore të grave. Përderisa fenomene si racizmi, komercializmi dhe standardet e trupit të konkurseve po kundërshtoheshin, vetëm çështja e sutjenave u bë sensacion. Që kur kjo etiketë u ngulit, puna e grave për të luftuar për të drejtat e tyre është konsideruar shumë sipërfaqësore dhe e parëndësishme. “Këta tituj e banalizuan lëvizjen”, tha zonja Morgan, e cila protestoi atë ditë.

Këtyre momenteve nuk u munguan as reagimet e burrave të cilët komentonin se feministet që po digjnin sutjenat nuk po kërkonin vërtet liri, por përpiqeshin që të tërhiqnin vëmendjen e burrave. Kjo krijoi një pikturë që çdo grua pa sutjena është “feministe e zemëruar” dhe bëri të nënkuptoj që çdo lloj i feminizmit radikal ka të bëjë me djegie të sutjenave. Feministet gjithashtu përshkruheshin edhe si përbindësha të interesuara për shkatërrim. Pas këtij sensacioni – “Feministet që dogjën sutjena”, heqja e sutjenave u bë politike dhe më e përhapur se kurrë.

Heqja e sutjenave – Politike dhe personale

Heqja e sutjenave ishte e thjeshtë, “mos i vishni më”. Ishte politike në kuptimin që gratë po e çlironin veten nga industria miliarda dollarësh e sutjenave. Bëhej fjalë  për vetë-pranim, autonomi trupore dhe praktikisht kjo ishte më e rehatshme, më e shëndetshme dhe mundësonte të frymuarit lirshëm.  [LM1] 

Susan Brownmiller, në librin e saj Feminiteti të botuar në vitin 1984, përshkruan se “mungesa e sutjenave i trondit dhe zemëron burrat sepse ata në mënyrë të pavetëdijshme nënkuptojnë që gjoksi është pronë e tyre dhe duhet të jenë ata të vetmit që i heqin ato”. Madje edhe në Indi, ‘bluzat’ (bebidollkat), u bënë të njohura përgjatë British Raj, pasi grave indiane iu refuzua hyrja në klube për shkak që nuk i kishin veshur bluzat e tilla.

Largoni sutjenat

Largimi i sutjenave erdhi si lëvizje mbi zgjedhjen. Kjo lëvizje sfidon besimet puritanike dhe synon që të deseksualizoj gjinjtë, megjithëse pjesa më e madhe e fushatës ka të bëjë me pranimin e lakuriqësisë, në mënyrë më aktive, ajo sfidon imponimet që iu janë vendosur grave në mbarë botën. Ushqyerja me gji në hapësira publike është ende mjaft tabu edhe pse ka të bëjë më shumë me çështje praktike. Gratë gjithashtu detyrohen t’i nënshtrohen një mijë rregulloreve të kodit të veshjes dhe shpesh janë pushuar nga puna për shkak të shkeljes së kodit. Më tutje, në shumicën e kulturave ideja e rritjes së gjinjve ka të bëjë me pjekurinë e vajzave dhe atyre që u zhvillohen shumë herët, shpesh detyrohen për martesë të hershme ose seksualizohen nga vetë familjarët. Kështu atyre u kërkohet të rrinë në shtëpi, të mos luajnë sport dhe të ‘zbuten’. E gjitha kjo bëhet për të mos njollosur titullin ‘grua’.

Nuk është thirrje për nudizëm por thirrje për liri. Gjithashtu është parë kryesisht në internet, mbështetja e lakuriqësisë artistike dhe kundërshtimi i censurës së thithkave. Sidoqoftë, ekziston një debat i madh sesi kjo lëvizje nuk është gjithëpërfshirëse dhe e nuancuar, duke injoruar kryesisht luftën e grave zezake dhe indigjene.

Sutjenat si një masë kontrolluese

Edhe në kohët e tashme, vendimi i grave për veshjen e sutjenave ndërmjetësohet nga “shikimi mashkullor”. Shkollat ndalojnë ‘sutjenat shumëngjyrëshe’ sepse ato mund të shpërqendrojnë djemtë. Në vendin e punës, ka ligje të ndryshme varësisht nga gjinia.

Në vitin 2013, manekinët në reklama të dyqaneve që mbanin sutjena dhe brekë u ndaluan ligjërisht për të parandaluar ‘përdhunimin’ në Mumbai. Kjo u bë për të vetmen arsye që burrat të mos eksitohen nga ato pamje.

Gjinjtë gjithashtu janë kontrolluar për të siguruar hierarkinë e kastës. Në shekullin e 18-të, u vendos një kastë për gjinj për gratë e Dalit dhe Shudra nga Mbretëria e Travancore. Sipas kësaj, nëse ato dëshironin që të mbulonin gjoksin njësoj si gratë e kastës së sipërme, ishin të detyruara të paguanin taksë varësisht nga mosha dhe madhësia e gjinjve të tyre. Sundimtari i atëhershëm e shihte këtë si ‘shenjë’ respekti për kastat e larta të fshatit. Kjo praktikë u shpall e jashtëligjshme në vitin 1924.

Edhe tani mbetet shumë për të bërë sa i përket çlirimit të vërtetë nga kufizimet e sutjenave, si në mënyrë figurative ashtu edhe në kuptimin bukfal. Kjo përfshin zhvendosjen e pronësisë së gjinjve nga burrat tek gratë. Nuk ishte thirrje për nudizëm por thirrje për liri.

Anureet Watta

E përktheu: Medinë Dauti

Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://www.shethepeople.tv/home-top-video/history-of-bra-feminism/?fbclid=IwAR2aAgopKJG9122d3amGObuYFH0iuSmPEN8CCV0N7vS0dNVaEAH9IPfaX9M