Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lexime

Pse feminizmi dhe kapitalizmi nuk mund të ekzistojnë së bashku

QIKA 2.12.2021

Feminizmi nënkupton të luftuarit për një jetë më të mirë për të gjithë, pavarësisht nga gjinia, raca apo të ardhurat financiare. Kjo nuk mund të arrihet në kapitalizëm.

Në pyetjen nëse kapitalizmi është i mirë për gratë është një çështje që feministët dhe ata që nuk janë feministë e kanë debatuar për një kohë të gjatë. Çdo interesim mbi këtë pyetje është bërë në një kontekst të veçantë. Pra, cilat janë kushtet e kohës së tashme që inkurajojnë një interes të tillë?

Kapitalizmi është në krizë. Jo domosdoshmërisht një krizë ekonomike në kuptimin e një rënie të plotë. Ne jemi dëshmitarë të më tepër se një dekade stimulimi që përfshin ndihmë multitrilionë dollarëshe nga bankat qendrore, vite të lehtësimit dhe një normale të re të normave të ulëta të interesit të krijuara nga qeveria për të mbajtur investitorët larg dëmtimit kolektiv.

Pavarësisht këtyre nxitjeve, pagat dhe rritja ekonomike stagnuan. Kompanitë duket se janë më të interesuara të vënë bast në tregun e aksioneve sesa të investojnë në mënyrë të sigurt. Ndërkohë, normat, idetë dhe politikat që i nënshtrohen status quos të kapitalizmit neo-liberal përgjatë katër dekadave të fundit po përjetojnë një krizë të thellë të legjitimitetit. Ekziston një humbje e përhapur e besimit në qeveri, rënie e besimit në kapitalizëm dhe një ringjallje e popullzimit nga e djathta dhe e majta.

Si pikë e dytë e referimit është ringjallja e feminizmit në dekadën e fundit në SHBA dhe në nivel global. Kjo ringjallje ka marrë një larmi formash dhe ka përfshirë një sërë perspektivash që tregojnë se si të ndjekësh një program feminist, por është edhe një tipar i vazhdueshëm i diskursit publik së fundmi me lëvizjen #MeToo.

Humbja e Hillary Clinton në sfondin e krizës së legjitimitetit të kapitalizmit neo-liberal ka vënë në pikëpyetje modelin dominues të feminizmit neo-liberal, me idenë se qëllimet feministe arrihen më së miri nga çdo grua që përpiqet të arrijë një pozitë pushteti dhe suksesi brenda kapitalizmit. Gratë, veçanërisht gratë e reja, po bëjnë thirrje për një lloj tjetër feminizmi që shpesh ka ngjyrime anti-kapitaliste. Sondazhet zbulojnë se afërsisht gjysma e të rinjve preferojnë socializmin sesa kapitalizmin dhe sipas Pew Research Center, 53% e mbështetësve të Bernie Sanders janë gra.

Pikërisht në këtë kontekst krize, të cilin mund ta shohim si një moment ndryshimi dhe jo si rënie në vetvete, ne pyesim se si feministët duhet të orientojnë pozicionet dhe përpjekjet e tyre.

Unë them të shikojmë përpara. Tani është koha që të vlerësojmë betejat e fituara me vështirësi dhe të bëjmë strategji se si ta bëjmë të mundur që të gjitha gratë t’i gëzojnë këto fitore, si dhe të ecim përpara me kërkesa të reja konkrete të cilat përmbushin qëllimet e gjera të feminizmit.

Por fillimisht, për hir të qartësisë duhet të bëj disa sqarime. Padyshim unë nuk flas për të gjitha gratë, por as nuk flas për të gjitha gratë e majta, ose për të gjithë feministët, socialistët apo feministët socialist. Gjithashtu, ka shumë kritika feministe ndaj kapitalizmit. Duke pasur parasysh kufizimet e kohës dhe bazën e njohurisë time, unë do të flas vetëm për disa prej tyre.

Chelsea Follett, moderatore dhe analiste e politikave në Cato, si dhe redaktore në Human Progress, parashtroi disa pyetje orientuese për diskutim.

A ka qenë përhapja e kapitalizmit fitim apo humbje për gratë?

Kjo është një pyetje e vështirë për t’iu përgjigjur, sepse më duket e çuditshme të formuloj një ekuacion të kostove njerëzore në të cilën përfshihen shekuj të kapitalizmit. A e tejkalojnë përmirësimet jetësore, shkrim-leximi dhe autonomia e grave masakrën masive të grave dhe fëmijëve indigjenë, jetën e dëshpëruar të grave që torturohen në skllavëri, apo shpërfytyrimin dhe vdekjet e hershme të grave që kaluan jetën duke punuar, trupat e të cilave ishin të shkatërruar nga puna në fabrikë?

Një llogaritje e vështirë për të qenë të sigurt. Por nëse do ta provonim, me siguri do të duhej të zbusnim pretendimet e sukseseve të fundit të kapitalizmit global me realitetin e ashpër ku më shumë se dy miliardë njerëz vuajnë nga kequshqyerja, apo që 60% e njerëzve në mbarë botën humbin 95% të të ardhurave nga rritja globale dhe që numri absolut i njerëzve që jetojnë në varfëri është rritur me një miliardë njerëz gjatë dekadave të fundit.

Jam e gatshme të them se në përputhje me Marx-in, kapitalizmi është më i mirë se feudalizmi. Ne gjithashtu mund të tregojmë të dhëna që sugjerojnë përparim të përgjithshëm drejt përmbushjes së Objektivave të Zhvillimit të Mijëvjeçarit për jetëgjatësinë, vdekshmërinë dhe arsimin. Gratë e klasës së mesme dhe të lartë në pjesën më të madhe të botës gëzojnë qasje dhe të drejta që nuk i kanë pasur gratë e tjera një shekull më parë.

Ne duhet t’i gëzohemi këtyre përfitimeve, por duhet të jemi të vetëdijshëm edhe për paralelet kauzale të cilat i tërheqim. Përderisa disa nga këto përfitime mund t’i atribuohen zhvillimit dhe racionalizimit e që lidhen me kapitalizmin, shumë nga këto përfitime janë rezultat i luftës së ashpër politike dhe jo kapitalizmit më vete.

Ligjet dhe normat kundër diskriminimit, e drejta për të mos qenë pronë e burrave tanë, e drejta e votës, e drejta për të qenë në gjendje të mbrojmë veten dhe fëmijët tanë nga dhuna në familje, këto dhe shumë të drejta të tjera nuk janë dhënë nga Departamenti i Tregtisë. Këto të drejta u fituan nga lëvizjet shoqërore, shumë prej të cilave u udhëhoqën nga socialistët dhe feministët, të cilët luftuan dhe pësuan shumë disfata për t’i siguruar ato.

Megjithatë, në këtë moment unë mendoj se është e rëndësishme të vazhdojmë përpara. Edhe nëse do të pranonim se kapitalizmi ka qenë një përfitim për gratë, gjë për të cilën nuk mendoj se është ashtu, është shumë me e rëndësishme të pyesim nëse kapitalizmin do të sjellë përfitime në të ardhmen.

Feminizmi nuk ka të bëjë vetëm me eliminimin e diskriminimit me bazë gjinore. Ka të bëjë me luftimin e pabarazive dhe krijimin e barazisë dhe jetës më të mirë për të gjithë, pavarësisht nga seksi, gjinia, raca, etnia, arsimimi, të ardhurat, feja ose vendi ku jetojmë. Kjo është gjëja e mrekullueshme që karakterizon feminizmin, kjo është arsyeja pse unë jam feministe.

Thjesht ne nuk mund t’i arrijmë këto gjëra në kapitalizëm.

Le të marrim parasysh shembullin e ndryshimit të klimës. Asgjë nuk demonstron dështimin e të ashtuquajturit treg të lirë më mirë sesa katastrofa klimatike. Përderisa kapitalizmi mund të jetë racional për individët, në një nivel sistemik është shumë irracional. Ndjekja e pamatur e fitimeve nga kapitalistët individualë, të cilët janë fuqizuar nga elitat dhe qeveritë, ka krijuar problemin kolektiv masiv të ngrohjes globale, pa përmendur këtu edhe shterimin e burimeve dhe shkatërrimin e habitatit. 

Por në vend që të trajtojmë këtë problem, një problem që ne e kuptuam përafërsisht dekada më parë, për dyzet vitet e fundit elitat dhe pronarët e bizneseve kanë këmbëngulur në fuqinë shëruese të tregjeve të lira. Ata kanë argumentuar se tregjet janë të natyrshme dhe se janë pjesë e një rendi spontan, se individët racional që veprojnë me informacion të përsosur krijojnë rezultate optimale dhe se efektet janë të parëndësishme.

Ne e dimë se çfarë duhet të bëjmë, megjithatë imperativat e përfitimit dhe prerogativat e rrënjosura të elitave kanë parandaluar vendet e botës që të miratojnë projekte dhe programe për të çliruar veten nga ekonomitë tona shkatërruese të bazuara në lëndë djegëse fosile, nga zhvillimi dhe krijimi i zgjidhjeve të qëndrueshme deri tek përmbushja e kërkesave dhe nevojave tona.

Vetëm një projekt kolektiv, i rrënjosur në solidaritet e bashkëpunim dhe i organizuar rreth parimit të kthimit të planetit tonë nga korporatat grabitqare, do të na ofrojë një shans për të ndryshuar trajektoren tonë aktuale.

A është kapitalizmi një sistem ekonomik shfrytëzues, shtypës dhe patriarkal që ndërthuret me nënshtrimin e grave?

Le ta analizojmë këtë. A është kapitalizmi shfrytëzues? Në ekonominë politike, shfrytëzimi përshkruan një marrëdhënie ku dikush ia shet fuqinë e punës dikujt tjetër që zotëron mjetet e prodhimit, me ç’rast ky i fundit fiton duke i paguar punëtorëve më pak se vlera e asaj që ata prodhojnë. Pra, shumica e njerëzve, përfshirë gratë, shfrytëzohen në kuptimin që ata punojnë me pagë dhe se nuk do të ishin në gjendje të blinin ushqim ose të paguanin qiranë e tyre pa punuar.

A është ky shfrytëzim shtypës, pra a përbën trajtim mizor apo të padrejtë? Kjo varet. Në SHBA, jo të gjitha gratë janë të shtypura. Ka feministë dhe socialistë që do të kundërshtonin këtë vlerësim. Sidoqoftë, nuk mendoj se gratë e bardha që paguhen shumë, të cilat gëzojnë respekt, siguri dhe autonomi në organizimin e jetës së tyre janë të shtypura, të paktën nuk janë aq të shtypura sa të më bëjnë që të dalë në rrugë për të luftuar për të drejtat e tyre.

Problemi qëndron se ky skenar i lumtur nuk e përshkruan situatën e shumicës dërrmuese të grave, qoftë në SHBA apo në nivel global. Një grua që punon me orar të plotë për pagë minimale, e cila nuk ka mundësi që të shkojë tek mjeku, të blejë perime ose të paguaj qiranë e saj, është e shtypur. Një i diplomuar nga universiteti i cili është i zhytur në borxhe të huas studentore është i shtypur në momentin që punon më shumë se 60 orë me një kontratë të tech start-up, kontratë e cila kompenson pagën e ulët me birrë falas në pauzë.

Një pjesë e mirë e kësaj shtypje lidhet me patriarkalizmin, ose më saktë me seksizmin, pasi ne nuk jetojmë në një shoqëri formalisht patriarkale. Gjykimi është i qartë, kapitalizmi është në thelb seksist edhe pse seksizmi ekziston edhe jashtë kapitalizmit. Dikur mund të mendohej një model i kapitalizmit që nuk ishte seksist dhe racist. Por, kapitalizmi është një mënyrë e jetesës reale për të organizuar normat, përparësitë, strukturat dhe aktivitetet e shoqërisë të cilat zhvillohen me kalimin e kohës dhe hapësirës.

Si një sistem historik seksizmi dhe racizmi kanë qenë pjesë thelbësore e strategjive grumbulluese në kapitalizëm. Seksizmi bën që puna e papaguar e grave në shtëpi, e cila është thelbësore për shoqërinë, të duket si diçka e natyrshme, pra një punë që tregon dashuri. Seksizmi dhe racizmi gjithashtu vazhdojnë të jenë mjete jashtëzakonisht të dobishme për pronarët e bizneseve për të ndarë dhe shtypur punëtorët, për të dekurajuar kërkesat për përfitime dhe paga më të mira, ose për të bllokuar përpjekjet për krijimin e një sindikate.

A ka ndihmuar kapitalizmi në fuqizimin e grave për të rritur mirëqenien e tyre dhe për të nxitur barazinë gjinore?

Siç thashë më herët, gratë janë fuqizuar në kapitalizëm. Përderisa ne duhet të jemi të kujdesshëm për të mos ngatërruar kauzën, duke pasur parasysh variablat e tilla siç janë lëvizja e grave, lëvizja e të drejtave civile, lëvizja e punës dhe lëvizja e mjedisit, është ende një çështje që tregjet mund të fuqizojnë gratë.  

Paratë janë të barabarta me pushtetin. Nëse gratë amerikane sot kanë fatin të kenë prind të pasur, ose kanë lindur me aftësi dhe inteligjencë të shtuar që u mundëson atyre të gjejnë një punë të paguar mirë e cila i përmbush, ato do të fuqizohen. Për më tepër, ato do të jenë në gjendje të fuqizojnë të tjerët, p.sh. fëmijët e tyre, përmes rrjetëzimit shoqëror të tyre.

Por, të vërejturit se disa gra janë mjaft të fuqizuara në kapitalizëm nuk do të thotë se rruga për të arritur synimet e feminizmit është e lehtë dhe ne duhet vetëm ta ndjekim atë. Pasuria e të afërmve nuk është një aksident. Reformat miqësore të tregut përgjatë dekadave të fundit kanë pasuruar në mënyrë të pabesueshme një grup njerëzish (kryesisht burra) përderisa shumica dërrmuese e njerëzve përjetojnë një ngecje në jetën e tyre dhe mundësitë e tyre pakësohen.

Zhvillimet e jashtëzakonshme teknologjike dhe shkencore përgjatë dyzet viteve të fundit mund të ishin kanalizuar drejt zvogëlimit të varfërisë, përmirësimit të rezultateve të kujdesit shëndetësor, qëndrueshmërisë ekologjike të proceseve tona të prodhimit dhe sigurimit të furnizimit dhe shpërndarjes me ujë të pastër, ushqim të shëndetshëm dhe kushte të përshtatshme strehimi. Këto janë gjërat që të gjithë njerëzit i vlerësojnë. Këto janë gjithashtu aspekte që do të fuqizonin më shumë gratë që vuajnë në mënyrë disproporcionale nga mungesa e tyre.

Ne kemi mjetet për të përmirësuar shumë jetën e grave në botë dhe të gjithë njerëzimit. Megjithatë, ne ende nuk i kemi drejtuar burimet, njohuritë dhe energjinë tonë drejt arritjes së këtij qëllimi. Pse? Sepse qëllimi i kapitalizmit nuk është të përmirësojë botën, qëllimi i këtij sistemi është të nxjerrë përfitime.

Nicole Aschoff

E përktheu: Greta Avdyli

Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://jacobinmag.com/2019/09/capitalism-socialist-feminism-inequality-sexism?fbclid=IwAR2MGP5x0WRtmGM6c0t7IvFwBdJ4_pztkYD3B5PXgjVkJ3xwfugIbtzum1M