Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lexime

Pse “lëkura normale” është një mit

QIKA 22.7.2021

“Lëkura normale” është term marketingu – jo term mjekësor

Lëkura e njeriut ka ekzistuar për përafërsisht 200,000 vite, mirëpo deri në vitet e hershme të shekullit XX askush nuk e ndjeu nevojën ta klasifikonte lëkurën nëpër “lloje.” Ajo që e bëri këtë klasifikim nuk ishte një dermatologe. Ajo ishte Helena Rubinstein, një mjeshtre e marketingut dhe një ndër themelueset e para të markave të famshme të bukurisë së botës moderne. Kur Rubinstein vendosi ta kategorizonte lëkurën si “të thatë”, “të yndyrshme” apo “normale” ajo po kategorizonte dukuri të zakonshme – pjesët e thata të lëkurës, prodhimin e yndyrës nga lëkura – si abnormale dhe në këtë mënyrë duke i kthyer këto dukuri në probleme të cilat duhen zgjidhur. Probleme për t’u zgjidhur nga kremra të fytyrës! Nga kremi i saj e fytyrës. Ah Kapitalizmi.

Tash, më shumë se 100 vite më pas, industria akoma mbështetet në sistemin arbitrar të Rubinstein për shitjen e produkteve. Redaktorët e magazinave të bukurisë shkruajnë ode të pafundme rreth blerjes së produkteve për llojet specifike të lëkurës tuaj. (Edhe unë jam fajtore për këtë.) Faqet komerciale elektronike e bëjnë shumë të lehtë për ty që t’i ndjekësh këshillat e tyre. Edhe disa dermatologë i nënshtrohen klasifikimit të lëkurës në të thatë, të yndyrshme dhe normale. Ky klasifikim nuk ka ndonjë ndërlidhje me fototipet e lëkurës sipas Fitzpatrikut, shkalla dermatologjike për përcaktimin e ndjeshmërisë ndaj kancerit të lëkurës, edhe pse kjo e fundit ka pak ose aspak baza shkencore. Fuqia e përhapur e marketingut nuk njeh ndonjë kufi.

Kur reklamat një-shekullore krahasohen me shkencën e vërtetë të kujdesit të lëkurës, duke ekspozuar shtresat e propagandës së shitjes së produkteve, është e qartë se nuk ka asgjë të parregullt me thatësinë e lëkurës. (Ekspertët sugjerojnë se kjo e fundit mund të prek rreth 70% të popullsisë dhe 50% të të rriturve më të shtyrë në moshë.) Nuk ka asgjë të parregullt me yndyrshmërinë e lëkurës. (Një punim shkencor e quan atë “një nga shqetësimet më të zakonshme dermatologjike” që “raportohet nga të gjitha llojet e pacientëve”.) Nuk ka asgjë të parregullt me aknet. (Ndonjë formë e tyre mund të prek rreth 80%  të njerëzve midis moshës 11 dhe 30 vjeç dhe deri në 54% të grave mbi moshën 25 vjeç.) Duke parë këto vlera është e qartë se këto lloje të supozuara të lëkurës nuk përjashtojnë njëra-tjetrën gjë, e cila, zhvlerëson ekzistencën e llojeve të lëkurës.

“Mua nuk më pëlqen klasifikimi i lëkurës nëpër lloje. Kjo është një taktikë marketingu për shitje të produkteve”, thotë Amy Wechsler në një intervistë telefonike me Teen Vogue dhe e cila është e specializuar në dermatologji dhe psikiatri. Nuk më ndihmon mua si dermatologe të flas për lëkurën në mënyrë të klasifikuar, sepse nuk mendoj se ka një lloj të lëkurës e cila është ‘normale’.”

Duke folur në terme dermatologjike, ideja e pranuar e lëkurës “normale” – përherë e pastër, e rrafshët, e balancuar dhe pa të meta – është një mit.

Lëkura normale reagon ndaj botës përreth dhe nën të

Lëkura vepron si ndërmjetësuese midis mjedisit tuaj të brendshëm dhe të jashtëm; ajo komunikon me ty dhe të paralajmëron për ndonjë problem të mundshëm. Ndonjëherë këto “paralajmërime” janë shpëtuese për jetën tuaj. Një djegie nga dielli ju njofton se keni qenë të ekspozuar në diell për një kohë tejet të gjatë. Urtikët mund t’ju tregojnë se keni një reaksion alergjik. Aknet mund të jenë një mënyrë e trupit tuaj për të reaguar ndaj stresit. Lëkura e plogët mund të tregojë se nuk jeni të mbrojtur mjaftueshëm ndaj grimcave të ndotjes. Qeskat nën sy mund të jenë një shenjë se keni nevojë për më shumë gjumë. Realisht, lëkura normale – lëkura e shëndetshme, lëkura që kryen punën që është e përcaktuar të kryejë, lëkura që komunikon – është lëkurë e cila reagon ndaj ambientit të jashtëm dhe të brendshëm.

Madje, mund të argumentohet se nuk ka fare lloje të lëkurës, por vetëm reaksione të lëkurës. (Dhe sigurisht, çrregullimet gjenetike të lëkurës që janë të pranishme që nga lindja, si ichthyosis harlequin, e cila është e rrallë dhe e rëndë.)

“Ky është një koncept i vështirë për t’u komunikuar,” thotë për Teen Vogue Heather Woolery-Lloyd, një dermatologe e çertifikuar. “Por një mënyrë për t’ua komunikuar njerëzve është të thuash se problemet e zakonshme të lëkurës shkaktohen dhe ndikohen nga shumë faktorë në të njëjtën kohë. Psoriaza, për shembull, është një sëmundje autoimune e lëkurës që shkaktohet nga ndryshimet në sistemin imunitar, por e cila gjithashtu mund të përkeqësohet nga faktorë të jashtëm si stresi, i cili e vë trupin në një gjendje pro-inflamatore”, shton ajo.

Për ta thjeshtësuar, nuk është lëkura ajo e cila po shkakton shpërthimin e psoriazës tuaj, është kombinimi (hipotetik) i funksionimit imunitar të dëmtuar, stresit kronik dhe inflamacionit të brendshëm. Nuk është lëkura juaj ajo e cila po prodhon yndyrë të tepërt, mund të jenë “hormonet të cilat rrisin prodhimin e yndyrës”, thotë Woolery-Lloyd. Nuk është lëkura juaj që prodhon vaj të tepërt, mund të jenë “hormonet tuaja që rrisin prodhimin e vajit”, thotë Woolery-Lloyd. Nuk është lëkura juaj ajo e cila po shkakton aknet; mund të jetë zorra juaj, gjëndrat tuaja, mikrobioma juaj ose ndoshta produktet të cilat i përdorni në fytyrën tuaj.  Nuk është se lëkura juaj është e thatë; mund të jetë acidi shtresues (faktikisht një proces shumë i rëndësishëm) i cili tretë qelizat e vdekura në lëkurë dhe i cili poashtu mund të jetë duke tharë lagështinë natyrale të lëkurës tuaj. Mundësitë e shkaktarëve janë të pafundme.

Gjenetika gjithashtu luan një rol të rëndësishëm në se si, ose edhe nëse, do të ndikoheni nga një faktor specifik i brendshëm apo i jashtëm. “Sëmundjet e lëkurës si ekzema dhe rosacea trashëgohen në familje dhe këto shkaktojnë që lëkura të jetë më e ndjeshme ndaj faktorëve specifik”, thotë Woolery-Lloyd. “Në këto situata, sistemi imunitar është më reagues ndaj stimujve të cilët normalisht nuk shkaktojnë acarim te shumica e njerëzve të tjerë”, shton ajo.

Kjo shpjegon përse simptomat e këtyre çrregullimeve mund të shfaqen e të largohen në periudha të ndryshme; përse ato mund të shpërthejnë brenda javës, e të largohen javën tjetër; përse miqtë tuaj mund të ushqehen në mënyrë të pashëndetshme dhe përsëri të mirëmbajnë një lëkurë të pastër, përderisa ju nuk mund të hani akullore pa iu shkaktuar akne. Sëmundjet gjenetike të lëkurës mund të provokohen dhe shfaqen nga shkaktarë të cilët nuk kanë ndërlidhje me natyrën e lëkurës.

Në përpjekjet e identifikimit të shkaktarëve të simptomave te pacientët, Wechsler thotë se tipi i lëkurës nuk merret në konsideratë. Në vend të kësaj, ajo heton çdo faktor të jashtëm: “Vendin ku ata po jetojnë, çfarë po vendosin në lëkurën e tyre, tërë mënyrën e jetesës. Thjesht mund të jetë gjumi i pamjaftueshëm dhe stresi i tepërt dhe lëkura juaj papritmas është e thatë”, thotë ajo.

Faktori i lëkurës të cilin Wechsler e konsideron si të dobishëm për pacientin është ndjeshmëria. Por në shumicën e rasteve, ajo që disa individë interpretojnë si lëkurë “të ndjeshme” është në të vërtetë lëkura e sensibilizuar ose lëkura që është bërë e ndjeshme përmes shkaqeve të tjera si aplikimi i produkteve ose ekspozimi mjedisor.

“Disa njerëz me të vërtetë kanë lëkurë të ndjeshme nga natyra”, sqaron Loretta Ciraldo, një dermatologe e çertifikuar dhe themeluese e linjës së kujdesit të lëkurës Dr. Loretta. “Kjo është zakonisht e trashëgueshme dhe quhet dermatit atopik”, tha ajo. Studimet tregojnë se dermatiti atopik (lloji më i zakonshëm i ekzemës) prek 1 deri në 3% të të rriturve dhe 20% të fëmijëve.

Mirë. A i kuptuat të gjitha këto? Është shumë për të procesuar  dhe e gjitha është diçka normale.

Duke marrë parasysh sa ngatërrues mund të jetë përcaktimi i rrënjës së këtyre shqetësimeve, ka shumë kuptim që sugjerimi dinak i Rubinstein, se reagimet e lëkurës janë asgjë më shumë pos probleme sipërfaqësore të cilat gjejnë zgjidhje sipërfaqësore, rezononte me masat. Adresimi i rrënjës së problemit është i vështirë. Blerja e një produkti 10 dollarësh është e lehtë. Derisa më nuk është.

Produktet aktuale të marketuara për lëkurë të thatë, yndyrshme dhe me akne janë rrallë herë zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe të përhershme.

“Kam parë aq shumë raste kur dikush mendon se ka lëkurë të yndyrshme dhe blen një produkt të posaçëm për ” lëkurë të yndyrshme “, si p.sh. një pastrues me shkumë që ka edhe alkool –  i cili thanë lëkurën”, ndan Wechsler. “Pra, ‘lloji i lëkurës’ nuk është diçka statike. Kur stimuli ndryshon, ndryshon edhe i ashtuquajturi tipi i lëkurës”, shton ajo.

Kjo është pjesërisht arsyeja përse si një dermatologe, Wechsler shmang kategorizimin e lëkurës së pacientëve të saj si “të thatë”, “të yndyrshme” ose “të prirur për puçrra” dhe veçanërisht, si “normale” – por si një psikiatre, ajo ka një arsye tjetër. “Kur nuk gjen një kategori për veten tënde, ndihesh i izoluar, i ndarë. Është ndjenjë vetmie dhe izolimi. Unë nuk mendoj se është e mirë për vetëbesimin”, thotë ajo.

Në industrinë e bukurisë, vetëbesimi i ulët mund të jetë vetëm një mënyrë tjetër për të treguar “vëllim të lartë të shitjeve”. (Rubinstein shpiku fjalë për fjalë idenë e lëkurës anormale për të shitur më shumë krema hidratues.)

“Për shumicën e markave të bukurisë, kultura aspiruese që ata përçojnë  ushqehet nga dëshira e konsumatorëve për të qenë çka ata mund dhe duhet të jenë”, shpjegon themeluesi. Kompanitë e kujdesit për lëkurën nuk po shesin produkte aq shumë sa po shesin premtime për një lëkurë “më të mirë” dhe si rezultat, një jetë më të mirë. Siç kam shkruar më parë edhe për Nylon, produktet me emra si “Serumi i vetëbesimit” dhe “Vetëbesimi në një krem” manipulojnë mendjen që ta asocojnë lëkurën e pastër me vetëbesim dhe poashtu këto produkte me lëkurën e pastër – rrjedhimisht, nëse blini këto produkte, do ndjeheni më mirë.

Përcaktimi i lëkurës pa njolla si “normale”, përderisa lëkurën e thatë, të yndyrshme, lëkurën e prirë për akne dhe të ndjeshme si “të tjera”, përshtatet plotësisht në atë paradigmë dhe  ky koncept ka formësuar (keq)kuptimin e publikut të gjerë rreth lëkurës për dekada. 

Ne nuk kishim një filtër të “blerjes sipas llojit të lëkurës” në faqen tonë dhe ne pamë numër të madh kërkimesh dhe pyetje nga klientët rreth kësaj”, thotë Priscilla Tsai, themeluese e markës së kujdesit për lëkurën, Cocokind. “Konsumatorët ende duan të blejnë në bazë të shqetësimeve specifike” – kjo është fuqia e përhapur e marketingut dhe do të duhet shumë arsim para se të heqim dorë nga këto koncepte”, shton ajo.

Një prej këtyre mënyrave është filozofia e “kujdesit të lëkurës pa synime” e Tsait.

“Si konsumatore, ndihesha vërtet jonormale sepse nuk mund të përdorja produkte tradicionale”, shtjellon Tsai. “Lëkura ime ishte aq e ndjeshme. Kisha kaq shumë shpërthime të akneve dhe ndihesha kaq e vetme. Kuptova se e gjithë ideja e ‘lëkurës me synime’ e cila na shtyn për një lëkurë më të mirë, është po ajo e cila edhe po na lëndon dhe kujdesi i lëkurës ‘pa synime’ mund të jetë një ilaç psikologjik”, shton ajo.

“Pa synime” është sigurisht thjesht një tjetër koncept i marketingut, por Tsai nuk është vetme në qasjen e saj.

Një valë e re e dermatologëve, ndikuesve dhe markave të bukurisë kanë filluar të përfaqësojnë lëkurën e vërtetë – lëkurën normale, të mbushur me skuqje, puçrra dhe njolla të thata – dhe të përqendrohen në mbështetjen e saj, në vend që ta luftojnë atë në nënshtrim.

Psikodermatologjia, një sektor i vogël i dermatologjisë i cili eksploron marrëdhënien midis mendjes dhe lëkurës, kohëve të fundit ka fituar një vëmendje më të madhe. Ky është specialiteti i Wechsler dhe në praktikën e saj, adresimi i shëndetit mendor është po aq i rëndësishëm sa adresimi i shëndetit të lëkurës. “Pacientët shpesh i referohen lëkurës së tyre si ‘të keqe’ ose ‘të mirë’ dhe unë kurrë nuk përdor fjalë gjykimi ndaj lëkurës. Nuk mendoj se është e shëndetshme”, thotë ajo.

Loretta merr të njëjtën qasje. Para se të “nxitojmë me recetat e ilaçeve”, thotë ajo, “duhet të jemi të mirë me vetveten. Kjo është shumë e rëndësishme. Ne duhet të fillojmë me të vërtetë duke treguar pak dashuri ndaj vetes dhe më pas shumë të mira do të rrjedhin.”

Pranimi i vetvetes mund të ketë një efekt fizik në shëndetin e lëkurës, realisht, hormonet e prodhuara gjatë stresit mund të dobësojnë barrierën e lëkurës dhe të përkeqësojnë “problemet” ekzistuese – kështu që sa më pak të stresoheni rreth lëkurës tuaj, aq më mirë. Woolery-Lloyd adreson këtë lidhje në Wellness Master Course – seria e videove të saj e nisur kohëve të fundit mbi mjekësinë e stilit të jetesës.

Lëvizja për pozitivitet ndaj lëkurës e udhëhequr nga influencerja, e lindur nga lëvizja për pozitivitet ndaj trupit, ofron një qasje më pak klinike ndaj pranimit të vetes dhe lëkurës: selfies. Mbushja e Instagramit me fytyra të pa filtruara – me pore, puçrra, ekzema, gjithçka tjetër dhe hashtagun #SkinPosivitity kundërvepron ndaj standardit të bukurisë së lëkurës së përsosur duke dëshmuar se ajo nuk ekziston. (Madje as për modelet dhe ndikueset si Annika Saige dhe Lou Northcote.) Përshkimi i Instagramit është pothuajse i mjaftueshëm për të zhbërë mesazhet nga mediat ndër vite se “puçrrat janë anormale.

Këtu hyn marketingu i pozitivitetit ndaj lëkurës sa i përket kujdesit ndaj saj.

Markat si Starface dhe Squish jo vetëm që normalizojnë aknet, por inkurajojnë klientët që të tregojnë ato të tyret të cilat tërheqin vëmendje. Newcomer Topicals është në një mision të ngjashëm për të krijuar “shpërthime më argëtuese” të lëkurës. Instagrami i tyre përmban ndikues të mrekullueshëm dhe klientë të cilët shfaqin ekzemën, plagët nga puçrrat dhe hiperpigmentim e lëkurave të tyre. “Njerëzit me sëmundje të lëkurës kanë dy deri në gjashtë herë më shumë gjasa të përjetojnë ankth dhe depresion”, shkruan faqja e tyre në internet. “Pse? Sepse ne jemi mësuar të synojmë përsosmërinë kur jeta (dhe lëkura) është fluide dhe e çrregullt”, shtohet aty.

Nga përvoja e saj me Cocokind, Tsai beson se kjo taktikë – promovimi i pozitivitetit ndaj lëkurës dhe jo përsosmërisë – krijon besim midis markave dhe konsumatorëve dhe “besimi është më i rëndësishëm sesa një shitje e shpejtë”, thotë ajo.

Por sigurisht, Cocokind bën shitje. Pas çdo pamjeje pozitive të lëkurës në faqet e këtyre markave është një produkt që premton t’i heqë qafe aknet që sapo iu tha t’i doni, për të pastruar ekzemën që iu kërkoi ta përqafonit. (Nuk ka shumë para për tu fituar nga pranimi i plotë i lëkurës dhe gjithmonë do të ketë kërkesa nga konsumatorët për produkte që “rregullojnë” një “të metë” të perceptuar.)

Megjithatë, sidoqoftë sa paradoksale mund të jetë, të zgjedhësh të shesësh produkte të tilla përmes mesazhit që thotë se, “Çdo lëkurë është lëkurë normale” shënon një ndryshim të fuqishëm në kulturën e bukurisë.

Ju vetëm duhet të shikoni efektet e gjera të marketingut nëpërmjet nocionit të Rubinstein të tipit të lëkurës në të gjithë industrinë,  për të kuptuar se marketingu ndikon në atë se çka dhe si e mendojmë. Është një burim i arsimimit të konsumatorit. Ndikon në politikat qeveritare. Për mirë ose për keq, kjo na mëson rreth lëkurës tonë, vetes tonë, botës në të cilën jetojmë. Marketingu ka rëndësi.

Ndoshta tani brezat e ardhshëm do të shikojnë në pasqyrë dhe do të shohin pjesë të thata të lëkurës, pjesë të yndyrshme, puçrra, ekzema – ndonjë prej tyre, të gjitha prej tyre – dhe në vend se të ndihen të metë, ata do të ndihen… normalë. Dhe kjo, ndryshe nga kremi për fytyrë, është një nevojë njerëzore aq e vjetër sa koha.

Jessica Defino

E përktheu: Latra Demaçi

Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://www.teenvogue.com/story/standard-issues-why-normal-skin-is-a-myth?fbclid=IwAR3uXCoeXhT0eLRD8kOJgmy_tFTv-cOfaKwhrSXPaefTKXH19CwbcOhnUPI