Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lexime

Është përgjegjësi feministe të kërkosh armëpushim të menjëhershëm në Gaza

QIKA 5.4.2024

Si shumë të tjerë në mbarë botën, edhe unë jam lodhur emocionalisht. Pjesën më të madhe të ditës e kaloj duke i skanuar lajmet, duke i lexuar tragjeditë njëra pas tjetrës dhe duke dëshiruar për fundin e kësaj lufte të pamëshirshme në Gaza. Jam lodhur edhe fizikisht. Fundjavat i kaloj duke marshuar, e shtyrë nga një shpresë dëshpëruese se ndoshta, nëse dalim vazhdimisht në rrugë dhe flasim, zëri ynë kolektiv mund t’i nxisë udhëheqësit tanë që më në fund të bëjnë thirrje për armëpushim.

Me gjithë rraskapitjen fizike dhe emocionale, unë jam më shumë e zemëruar dhe e zhgënjyer me feministet e vendit tim, në Mbretërinë e Bashkuar dhe më gjerë, të cilat duken krejtësisht të pa interesuara për vuajtjet e grave në Gaza.

Çdo ditë, hasim në opinione dhe postime në mediat sociale nga feministet që dënojnë me të drejtë veprimet skandaloze të Hamasit ndaj grave izraelite gjatë sulmit të tyre të 7 tetorit dhe trajtimin e tyre ndaj grave të marra peng pas tij. Këto argumente dhe deklarata janë padiskutim të vlefshme dhe padyshim të nevojshme. Krime të tilla të rënda kundër grave dhe vajzave, kundër kujtdo, nuk duhet të injorohen, të justifikohen apo të harrohen.

E megjithatë, pikërisht këta individë, këto feministe të vetëshpallura, heshtin në mënyrë të frikshme për veprimet e ngjashme skandaloze të Izraelit kundër grave palestineze.

Rrethimi pothuajse total dhe bombardimet e vazhdueshme ndaj Gazës nga Izraeli, tashmë kanë vrarë, gjymtuar dhe zhdukur nën rrënoja dhjetëra mijëra gra dhe fëmijë palestinezë. Shumë të tjerë janë zhvendosur dhe lënë për të mbijetuar dimrin e ashpër pa strehim dhe furnizime të përshtatshme. Dëmtimi pothuajse i plotë i sistemit të kujdesit shëndetësor, i shoqëruar me mungesën e ushqimit dhe ujit të pastër, do të thotë se rreth 45,000 gra shtatzëna dhe 68,000 nëna gjidhënëse në Gaza po përballen me rrezikun e anemisë, gjakderdhjes dhe vdekjes. Ndërkohë, qindra gra dhe fëmijë palestinezë në Bregun Perëndimor të pushtuar janë ende të burgosur, shumica pa gjykim, duke u përpjekur të mbijetojnë në kushte të neveritshme.

Kjo është një katastrofë që po e shohim çdo ditë, por shumica e feministeve në Britani, madje në përgjithësi në Perëndim, duket se nuk kanë asgjë për të thënë.

Pse injorohen historitë e grave palestineze? Pse betejat e grave dhe fëmijëve palestinezë në dukje nuk meritojnë të njëjtin nivel shqetësimi? Gjithnjë e më shumë, më shtyn të besoj se kjo nuk është thjesht një mungesë vëmendjeje, por verbëri e qëllimshme – pasojë e një busulle morali që është thyer përtej riparimit.

Në tre muajt e fundit, i kam menduar thellë këto pyetje. U zhyta në tekste të shumta “feministe” nga autore që dikur i respektoja shumë, përmes të cilave tentoja të kuptoj interpretimin e feminizmit nga ana e tyre dhe pse duket se nuk përfshin gratë palestineze.

Gradualisht, kam arritur të kuptoj se marka e tyre e feminizmit i percepton gratë palestineze si të shtypura kryesisht jo nga Izraeli apo ndonjë forcë tjetër e jashtme, por nga burrat

palestinezë. Për to, gratë palestineze kanë pak ose aspak agjenci dhe janë viktima të përhershme të një shoqërie që ka dhunën me bazë gjinore të rrënjosur në thelbin e saj. Më tej, në sytë e tyre, burrat palestinezë janë sinonim i grupeve thellësisht patriarkale, fetare dhe shoqërore konservatore si Hamasi, të cilët dihet se abuzojnë dhe shtypin gratë. Kështu, këto “feministe” pranojnë pretendimet e Izraelit se sulmi i tij ndaj Gazës do të ndihmojë në “çlirimin” e grave palestineze nga kthetrat e Hamasit dhe po injorojnë dëmin aktual dhe të rëndë që lufta u ka shkaktuar atyre.

Kjo qasje është pjesë e një modeli historik shqetësues – një formë feminizmi i mbushur me paragjykime koloniale dhe perandorake. “Feministet” e këtij lloji e mbështetën edhe pushtimin amerikan të Afganistanit sepse ai gjoja synonte “çlirimin e grave afgane”, por ato nuk mendonin kurrë të argumentonin për “çlirimin” e dhunshëm të, për shembull, grave hebreje qe jetonin në komunitete thellësisht patriarkale dhe fetare në Izrael.

Në këtë lloj feminizmi, ndjeshmëria dhe zemërimi nuk përputhen me parimet universale feministe dhe dëshirën për t’u dhënë të gjitha grave liri dhe pushtet, por me identitete personale dhe përkatësi politike. Kjo rezulton me një hierarki shqetësuese, ku disa lufta feministe – dhe veçanërisht ato kundër burrave myslimanë – u jepet përparësi ndaj të tjerave, duke lejuar që retorika e çlirimit të grave të homogjenizohet me qëllimet e të fuqishmëve, shpesh në shpinën e të shtypurve.

Në këtë kontekst, heshtja feministe perëndimore për domosdoshmërinë e armëpushimit në Gaza përfaqëson jo vetëm një gabim moral, por edhe politik. Ai përjetëson një markë feminizmi të ndërthurur me strukturat e pushtetit kolonial dhe perandorak, të cilat historikisht kanë shkaktuar dëm nën pretendimin e mbrojtjes.

Kjo heshtje është emblematikë e “feminizmit kolonial” modern, ku retorika e “çlirimit të grave” fsheh akte më të thella dhune. Ai justifikon pushtimet dhe okupimet nën maskën e ndihmës, duke i portretizuar gratë palestineze si viktima që thjeshtë kanë nevojë për shpëtim, ndërsa në të njëjtën kohë u mohon të drejtën e tyre për rezistencë. Në fund të fundit, ndjeshmëria selektive e feministeve perëndimore shërben për të përforcuar strukturat e pushtetit që vazhdojnë ciklin e dhunës.

Ndërkohë, disa feministe e justifikojnë refuzimin e tyre për të bërë thirrje për armëpushim duke vënë në dukje qëndrimin kompleks të shoqërisë palestineze ndaj të drejtave LGBT. Hamasi burgos ose u bën më keq individëve LGBT, thonë ato, kështu që lufta duhet të vazhdojë derisa grupi të eliminohet plotësisht.

Megjithatë, ky arsyetim anashkalon një element thelbësor që shpesh diskutohet në ligjërimin feminist: ndërthurja. Përderisa sfidat me të cilat përballet komuniteti LGBT në Gaza nën sundimin e Hamasit janë me të vërtetë domethënëse, përdorimi i tyre si pretekst për të abstenuar nga avokimi për armëpushim të menjëhershëm anashkalon krizën më të madhe humanitare në fjalë. Një qasje e tillë selektive jo vetëm që shpërfill nevojat urgjente të mijëra grave dhe fëmijëve që durojnë dhunën dhe shtypjen e përditshme, por edhe përgënjeshtron

një prirje shqetësuese të ndjeshmërisë selektive. Për më tepër, kjo qasje injoron faktin se lufta e Izraelit po vret dhe gjymton gjithashtu palestinezët LGBT.

Refuzimi i mbështetjes për armëpushim për shkak të shoqërisë palestineze dhe armiqësisë së perceptuar të Hamasit ndaj komunitetit LGBT minon parimin thelbësor të solidaritetit feminist – angazhimin për të mbrojtur dhe ngritur të gjitha gratë dhe komunitetet e margjinalizuara, pavarësisht nga rrethanat e tyre sociopolitike. Duke refuzuar mbështetjen e armëpushimit mbi këto arsye, këto feministe e vendosin pa dashje parimet ideologjike mbi nevojën urgjente për të stopuar dhimbjet dhe vuajtjet e mëtejshme të palestinezëve. Aktivizmi i vërtetë feminist duhet të kapërcejë paragjykimet gjeopolitike, duke mbrojtur të drejtat dhe dinjitetin e të gjitha grave dhe grupeve të cenueshme, pavarësisht nga prejardhja e tyre ose kompleksiteti i konteksteve të tyre shoqërore.

Përtej atyre që theksojnë Hamasin dhe shtypjen e gjerë të shoqërisë palestineze ndaj grave, duke përfshirë paragjykimet e dukshme ndaj komunitetit LGBT, si arsye për të mos mbështetur thirrjet për armëpushim të menjëhershëm, ka edhe feministe që heshtin karshi kësaj çështje sepse duan të qëndrojnë “neutrale” për një çështje kaq “komplekse”. Ky qëndrim më huton dhe më zemëron më shumë se çdo tjetër.

Përballë këtij terrori, nuk mund të ketë neutralitet.

Sot, gratë palestineze po jetojnë nëpër tmerre që sfidojnë rrënjësisht vlerat thelbësore të feminizmit. Nënat varrosin fëmijët me duart e tyre; familjet janë të shkatërruara nga dhimbja për jetët dhe shtëpitë e tyre të humbura dhe urinë e vazhdueshme nën shiun e bombardimeve të vazhdueshme.

Në këto rrethana, heshtja nuk është një qëndrim neutral. Heshtja sot është një miratim pasiv i tragjedisë së vazhdueshme. Sa jetë të tjera duhet të copëtohen përpara se këto feministe të kujdesshme dhe politikisht “neutrale” të gjejnë guximin të bëjnë thirrje për armëpushim? Numri në rritje i vdekjeve nuk është vetëm një shifër; përfaqëson jetë individuale, të ardhme të vjedhura dhe një sfidë të drejtpërdrejtë ndaj parimeve që mbështesin vetë feminizmin.

Sot, ajo që mbetet e pa thënë ka po aq rëndësi dhe ndikim sa ajo që u tha.

Zëra të shumtë të shquar “feministë”, gjithmonë të zëshëm në pikëpamjet e tyre për gjininë, seksin dhe shoqërinë, janë ende dukshëm të heshtur ndaj betejave të grave palestineze. Duke konsideruar se platformat e tyre kanë fuqinë për të nxjerrë në dritë çështje kritike, ato gjithashtu kanë fuqinë delikate për të mënjanuar ato. Shumë shpesh, ne shohim se shqetësimet e grave joperëndimore po shtyhen në periferi nga ngurrimi i këtyre aktivisteve të profilit të lartë për të shkruar dhe folur për to.

Kjo heshtje selektive sfidon universalitetin e solidaritetit feminist. Sidomos kur kjo heshtje vjen nga feministe me nam dhe që influencojnë të tjerë, heshtja bëhet një formë bashkëpunimi me agresorin. A besoni se heshtja juaj për tragjedinë e grave palestineze ka kaluar pa u vënë re? E

urrej t’ua përplasë realitetin, por heshtja juaj është shurdhuese dhe e ka zhveshur punën e juaj nga çdo besueshmëri në sytë e shumë njerëzve.

Nëse je një prej këtyre “feministeve”, që nuk flet për vuajtjet e grave palestineze, apo nuk përkrah thirrjet për armëpushim të menjëhershëm në Gaza, për çfarëdo arsye, unë kam një kërkesë shumë të thjeshtë nga ju. Shikoni fotot që dalin drejtpërdrejt nga Gaza. Ndoshta edhe i keni shmangur ato, duke i konsideruar si përmbajtje propaganduese – por për një sekondë, lini prapa paragjykimet dhe justifikimet tuaja të zgjuara dhe shikoni ato përmbajtje. Shikoni imazhet e nënave që përqafojnë trupat e pajetë dhe të gjakosur të fëmijëve të tyre. Shikoni imazhet e të vegjëlve të hutuar, shpesh të cilëve u mungojnë gjymtyrët, të shtrirë të vetmuar në dyshemetë e spitalit. Shikoni imazhet e vajzave të reja, me sy të vdekur, që përpiqen të mbledhin fragmente nga jeta e tyre me familjet e tyre të vrara nën rrënojat e shtëpive të tyre të shkatërruara. Shikoni këto imazhe, shikoni me të vërtetë ato, dhe më pas më shpjegoni pse mendoni se “nuk është e drejtë të kërkosh armëpushim tani”. E pasi t’i shihni ato imazhe, duke i parë me të vërtetë ato, dhe ende dëshironi të qëndroni “neutral”, të qëndroni të heshtur, ose të flisni për “shtypjen islamike” dhe “intolerancën LGBT”, mos e quani veten feministe. Sepse nuk jeni e tillë.

Maryam Aldossari

Përktheu: Medinë Dauti

Linku origjinal i artikullit: https://www.aljazeera.com/opinions/2024/1/4/for-feminists-silence-on-gaza-is-no-longer-an-option?fbclid=IwAR25kT2ccTVDbDx4nMLWEB5nMbTMbte3s5RrnrC1H22-WtYMlOAtZPbM7sM