Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lexime

Si mund të ndryshojë bota përmes një politike të jashtme “feministe”

QIKA 10.9.2021

Administrata e Presidentit Biden ka një grua në pozitën e dytë më të lartë shtetërore, Zëvendës Presidenten Kamala Harris, si dhe 61% e të emëruarve në Shtëpinë e Bardhë janë gra. Kjo administratë ka deklaruar që ka për qëllim “mbrojtjen dhe fuqizimin e grave përreth botës”.

Barazia gjinore dhe agjenda gjinore janë dy përbërës të një “politike të jashtme feministe” – një agjendë ndërkombëtare që ka për synim shpërbërjen e sistemeve të asistencës, tregtisë, sigurisë, imigrimit dhe diplomacisë së jashtme të dominuara nga burrat, që i vendosin gratë dhe minoritetet e tjera në rendin e dytë në mbarë botën. Një politikë e jashtme feministe bënë rishikimin e interesave nacionale të një shteti, duke zhvendosur fokusin e tyre nga siguria ushtarake dhe dominanca globale tek barazia si bazë e një bote të shëndetshme dhe paqësore. Ky mision është në përputhje me deklaratën novatore të vitit 1995 nga Hillary Clinton në Kombet e Bashkuara, “Të drejtat e grave janë të drejta njerëzore”.

Studimi mbi gjininë dhe sigurinë i kryer në Universitetin George Washington sugjeron që bota mund të ndryshojë në shumë mënyra pozitive nëse më shumë shtete, sidomos ato të fuqishme – si Shtetet e Bashkuara, do bënin përpjekje të koncentruara për të përmirësuar të drejtat e grave në botë. Sipas hulumtimeve vendet me nivele më të larta të barazisë gjinore janë më pak të prirura që të përjetojnë luftë civile në krahasim me vendet e tjera. Barazia gjinore po ashtu është e ndërlidhur me qeverisjen e mirë, ndërsa shtetet me sisteme që eksploatojnë gratë janë shumë më pak stabile se sa vendet e tjera.

Pavarsisht këtyre të dhënave, asnjë shtet në botë akoma nuk u ka dhënë një rol primar grave në agjendat e tyre të politikës së jashtme. Por, gjatë viteve të fundit shumë shtete kanë filluar që të paktën t’i përfshijnë gratë brenda këtyre agjendave.

Gratë në fund të agjendave

Në vitin 2017, Kanada nisi “politikën feministe ndërkombëtare të asistencës”, që kishte qëllim që të mbështeste shëndetin e grave, fëmijëve dhe adoleshentëve në botë. Duke financuar premtimet e saj, Kanada u zotua që deri në vitin 2023 do u dhurojë 1.4 miliard dollarë qeverive dhe organizatave ndërkombëtare për të përforcuar qasjen e grave të vendeve në zhvillim në ushqim, shërbime shëndetësore dhe arsimim. Rreth 700 milion dollarë nga këto para do dedikohen për promovimin e shëndetit dhe të drejtave seksuale e riprodhuese dhe për të zhdukur dhunën me bazë gjinore. Ndërsa, rreth 10 milion dollarë do i dhurohen UNICEF përgjatë katër viteve, që të reduktojë gjymtimin gjenitalë të grave.

Në janar të vitit 2020, Meksika u bë vendi i parë në Amerikën Latine që përvetësoi një politikë të jashtme feministe. Strategjia e saj ka për objektiv avancimin e barazisë gjinore dhe luftimin e dhunës me bazë gjinore në botë si dhe konfrontimin e pabarazive në të gjitha arenat sociale dhe ligjore. Por, fillimisht Meksikës i duhet të ngrisë stafin e ministrisë së jashtme të saj, që të jetë i përbërë të paktën 50% nga gratë deri në vitin 2024 dhe të sigurojë që kjo ministri është një ambient i punës pa dhunë.

As Kanada e as Meksika nuk kanë arritur qëllimet e tyre të reja. Sipas kritikëve tradita dhe zakonet mbështesin pabarazinë gjinore në Kanadë sepse nuk ka fokus tek burrat dhe djemtë për të adresuar

pabarazinë gjinore plotësisht. Në anën tjetër, është e vështirë që të konsiderosh që Meksika, e cila ka ndër nivelet më të larta të dhunës me bazë gjinore në botë– me mesatarisht 11 femicide çdo ditë – mund të promovojë me kredibilitet feminizmin ndërkombëtar, kur nuk arrinë të mbrojë gratë brenda territorit të vet.

Megjithatë, të paktën këto dy vende janë duke i marrë në konsideratë nevojat e grave.

Politika e jashtme feministe

Edhe SHBA-të kanë ndërmarrë hapa drejtë një politike të jashtme më feministe. Në verën e 2020, nën aministratën Trump, departamentet e Sigurisë, Shtetit dhe Mbrojtjes, bashkë me Agjencinë e SHBA-ve për Zhvillimin Ndërkombëtarë, kanë publikuar një plan për përfshirjen e elementit të fuqizimit të grave në agjendat e tyre ndërkombëtare.

Këto dokumente promovojnë pjesëmarrjen e grave në vendimmarrjen në zonat e konfliktit, avancojnë të drejtat e grave dhe u sigurojnë qasje në asistencën humanitariane. Po ashtu, ato përfshijnë provizione që inkurajojnë partnerët amerikan ndërkombëtarë të promovojnë pjesëmarrjen e grave në proceset e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.

Këto janë komponente të një politike të jashtme feministe. Por, këto plane akoma janë duke operuar të izoluara. Një politikë e jashtme feministe duhet të jetë koherente përgjatë skemave të tregtisë, ndihmës, sigurisë, diplomacisë dhe imigrimit dhe duhet të prioritizojë barazinë gjinore në vazhdimësi.

Një ndër lëvizjet e hershme të Biden në Shtëpinë e Bardhë ishte anulimi i politikës Republikane që ndalonte ofruesit e shërbimeve shëndetësore në vendet e huaja, të cilët marrin mbështetje financiare nga SHBA-të që të ofrojnë shërbime të ndërlidhurara me abortin edhe nëse përdorin paratë e tyre. Studimet tregojnë që kufizimi në fonde redukton qasjen e grave në të gjitha llojet e shërbimeve shëndetësore, duke i ekspozuar ndaj sëmundjeve dhe duke i shtyrë që tu nënshtrohen aborteve të pasigurta.

Rialokimi i resurseve financiare në forma përmes së cilave grave do u ofrohej qasje e njëjtë në ndihmën sikur burrave është një aspekt tjetër shumë i rëndësishëm i politikës së jashtme feministe.

Afganistani – gratë dhe paqja

Nuk është shumë realiste të mendojmë se SHBA-të do të zëvendësojnë strategjinë e tyre të sigurisë ndërkombëtare ushtarake me një politikë të jashtme plotësisht feministe. Por, faktikisht nuk kanë as nevojë që të bëjnë këtë.

Me rritjen e provave që mirëqenia e grave është qëndrore për mirëqenien e të gjithëve, ndërlidhja mes barazisë gjinore dhe sigurisë globale mund të inkorporohet në mënyrë të natyrshme përbrenda strategjive të reja globale, që fokusohen në synimet tradicionale amerikane si siguria ndërkombëtare dhe të drejtat njerëzore.

Afganistani paraqet një paradigmë perfekte për demonstrimin e domosdoshmërisë dhe mundësive të SHBA-ve për implementimin e një politike të jashtme feministe. Nën sundimin Taliban gratë afgane ishin të diskriminuara brutalisht – vajzave u ishte ndaluar arsimimi dhe gratë nuk lejoheshin të përfshiheshin në udhëheqjen politike, të sigurisë, dhe bizneseve. Ndërsa, nën qeverisjen afgane të Presidentit Ashraf Ghani, 28% e antarëve të parlamentit afgan ishin gra dhe 3.5 milion vajza vijonin shkollën.

Megjithatë, zyrtarët amerikan vetëdijshëm nuk inkorporuan cështjet gjinore përbrenda negociatave me militantët Taliban për të përfunduar luftën në Afganistan. Vetëm një negociatore e SHBA-së ishte grua, ky është përfaqësim i dobët për një vend i cili u zotua që do angazhohej për mbrojtjen e të drejtave të grave afgane. Delegacioni Taliban nuk kishte asnjë grua, dhe vetëm katër gra ulen në delegacionin e qeverisë afgane.

Me ndihmën e Shteteve të Bashuara, Afganistani mund të kishte siguruar vazhdimin e progresit të zhvilluar nga gratë afgane që kur Shtetet e Bashkuara rrëzuan Talibanin në vitin 2001 – por, fatkeqësisht këto të drejta janë sakrifikuar.

E përktheu: Vesa Gashi

Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://theconversation.com/how-a-feminist-foreign-policy-would-change-the-world-152868