Gratë shpesh luajnë rolin e “menaxheres” së shtëpisë.
Në stripin e vitit 2017 “Duhet të më kishe thënë”, artistja franceze Emma Clit tregon një rast kur ka vizituar një kolege të saj për darkë. Ema po bisedonte me partnerin e koleges, deri sa ajo gatuante darkën dhe ushqente fëmijët. Ndërkohë, kolegia e saj u shpërqendrua nga fëmijët dhe djegi darkën. Partneri i saj vrapoi në kuzhinë dhe bërtiti “Çfarë katastrofe! Çfarë bëre?”.
“Çfarë bëra?! Gjithçka bëra!!”, ia kthen ajo e acaruar dhe e lodhur. “Duhet të më kishë thënë! Do të kisha ndihmuar!”, u përgjigj partneri i saj.
Veprat artistike të Emma-s ilustrojnë se si gratë shpesh, në mënyrë automatike janë “menaxhere” të familjes së tyre. U takon atyre të dinë se çfarë dhe kur duhet bërë, të merren me një pjesë të madhe të punëve, si dhe të delegojnë detyra të caktuara tek një anëtar tjetër i familjes.
Puna e organizimit dhe menaxhimit të punëve të shtëpisë ka filluar të njihet si “ngarkesë mendore”, mirëpo shumica e grave nuk e dinë se janë duke e përjetuar këtë ngarkesë.
“E kuptova që pothuajse çdo grua që njoh përjeton këtë ngarkesë mendore”, tha Emma për një intervistë në BBC. “E kemi diskutuar këtë çështje vetëm përmes anekdotave, jo si koncept në vete. Kur mësova që ekzistonte termi ‘ngarkesë mendore’ disi u lehtësova dhe isha e sigurt që edhe gratë tjera do të ndihen kështu.”
Përderisa ngarkesa mendore mund t’i referohet punëve fizike, ajo gjithashtu ka të bëjë shumë me punën emocionale si p.sh fakti që shpesh u bie grave të merren me aranzhimet e udhëtimeve, ditëlindjeve apo listave për blerje dhe me gjithçka tjetër që mund të konsiderohet si “administrim i jetës”. Siç tregon Gemma Hartley në librin e saj Fed Up, edhe nëse punët e shtëpisë ndahen 50/50, gratë ende bëjnë shumicën e punës së padukshme. “Për çdo detyrë që prodhon një rezultat të dukshëm, ekzistojnë shumë hapa mendorë të cilat nuk shihen”, shkruan ajo. “Këto hapa vërehen, ndjeken dhe ekzekutohen kryesisht nga gratë.”
Shpesh themi, “Eh, kështu janë burrat”, por burrat nuk janë fizikisht të paaftë për të kryer këto punë, ashtu siç gratë nuk lindin me aftësinë për të menaxhuar një familje. Kështu kushtëzohemi që nga mosha e hershme. Mendoni një moment për familjen tuaj – a keni parë ndonjëherë babanë tuaj duke bërë gati valixhet e familjes për pushim, apo duke blerë gjëra që u nevojitet fëmijëve për në shkollë? A i mbetet gjithnjë nënës tuaj që të dërgojë kartolina për ditëlindje? A është zakonisht ulur gjyshi juaj ndërsa gjyshja gatuan darkën, shtron tryezën dhe më pas pastron rrëmujën që ka mbetur (me ndonjë ndihmë nga gratë tjera në familje)?
Ideja se gruaja duhet të kujdeset për shtëpinë është po aq e vjetër sa vetë patriarkati dhe ende e rrënjosur fuqishëm në Kushtetutën Irlandeze. Një raport i vitit 2017 nga Instituti Evropian për Barazi Gjinore tregon që gratë kalojnë një pjesë disproporcionale të kohës së tyre duke kryer punë të papaguar, të përkujdesjes së shtëpisë dhe familjes, pavarësisht se kanë punë jashtë shtëpisë. Në Irlandë, ky hendek gjinor është shumë i madh – pothuajse 90% e grave irlandeze bëjnë punë shtëpie, krahasuar me më pak se 50% të burrave.
Ashtu siç gratë konsiderohen nga shoqëria se duhet të jenë kujdestare, burrat janë rritur në një shoqëri që i dekurajon të ndjekin role apo aktivitete të ashtuquajtura “femërore”. Ky çekuilibër po i vë në sprovë lidhjet e dashurisë.
Bordet e Këshillimit të platformës Reddit janë të mbushura me gra të frustruara me burrat e tyre të cilët nuk kryejnë asnjë punë në shtëpi, dhe gjithmonë presin nga partneret e tyre të rregullojnë gjithçka. Këshilla kryesore për këto raste është “Mos kryej ato punë për ta!”. Por, ta lësh tualetin të pa pastruar apo të lësh ushqimet të prishen mbi tavolinë është vetë-ndëshkim. Ajo çfarë gratë duan, është që burrat ti vërejnë këto gjëra vet. Pra, të mos kenë nevojë t’ua kujtojnë, mirëpo të jetë refleks për ta, ashtu siç është për gratë.
“Unë isha ajo që kujdesej për detajet, kështu që e ndjeja të natyrshme që unë duhet të isha ajo që i ka gjërat nën kontroll”, shkruan Gemma Hartley. “Por të jesh personi i vetëm që kujdeset për këto gjëra mund të shpie në një çekuilibër të dëmshëm”.
“Puna emocionale” që kryente burri im u kthye në diçka që duhej të lavdërohej, një e “mirë”, që ai e bënte për mua. Përpjekjet e tij nuk ishin të lidhura me përmirësimin e jetës apo me një ndjenjë të thellë përgjegjësie…Ishte një akt që kërkonte lavdërime dhe mirënjohje të cilën unë nuk mund ta prisja në këmbim të së njëjtës punë”.
Kjo është arsyeja pse kur debatojmë për enët e palara dhe çorapet e pista, në të vërtetë nuk po grindemi për enët dhe çorapet. Gratë nuk i adhurojnë burrat mikromenaxhues. Ka të bëjë me vlerësim dhe respekt, diçka që shkrimtari Matthew Fray e vuri në pah në esenë e tij “U divorcuam, sepse nuk i lava enët”
“Nuk do të bezdisem asnjëherë nga një gotë e palarë. Asnjëherë. Por, ka një arsye pse unë nuk do të lë asnjë gotë të palarë. Diçka që mësova shumë vonë: sepse unë e dua dhe respektoj partneren time, dhe kjo gjë ka shumë rëndësi për të. E kuptoj se kur unë e lë atë gotë aty, ajo lëndohet, sepse duket sikur i them “Unë nuk të respektoj ty dhe nuk vlerësoj mendimet dhe opinionet e tua. Të mos harxhoj katër sekonda kohë për të futur gotën në makinën larëse është më e rëndësishme për mua sesa ti”.
Ironik është fakti se edhe biseda për ngarkesën mendore kërkon punë emocionale. (“Ndiheni totalisht e rraskapitur nga obligimi për të parashikuar nevojat e familjes? Duhet të na kishe thënë!”) Por si ndryshe mund ta kthejmë këtë situatë në drejtim tjetër, qoftë edhe për pak.
Ky problem është sistematik, por zgjidhja të paktën tani për tani mund të jetë personale. Gemma Hartley zbuloi balancin duke e lënë përsosmërinë e saj mënjanë dhe duke vendosur një standard të përbashkët me burrin e saj. “Nuk mund të kemi gjithçka nën kontroll dhe të presim që të gjithë rreth nesh të adaptohen me këtë”, thotë ajo. “Ne duhet të punojmë së bashku, të gjejmë një mënyrë të re për të shfrytëzuar fuqinë e punës emocionale për burrat dhe për gratë poashtu”.
E përktheu: Greta Avdyli
Teksti origjinal mund ta gjeni në:
https://stellar.ie/real-talk/you-shouldve-asked-how-carrying-the-mental-load-of-the-household-is-exhausting-women/75119