Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lexime

Gratë vs. burrat në udhëheqje gjatë pandemisë: Një përditësim dhe gjurmim në të dhënat më të fundit

QIKA 6.7.2022

Falë disa performancave virtuoze të profilit të lartë nga disa gra, ky pretendim u hodh shpejt që herët: të kesh një grua në krye të qeverisë suaj ishte një avantazh i madh pandemik. Megjithatë, le të tregohemi të sinqertë. Kishte vetëm 21 gra lidere kombëtare në maj 2020 nga 195 vende të njohura nga OKB – dhe disa prej tyre ishin kryetare shtetesh me pak ose aspak përfshirje në vendimmarrje politike. Por edhe nëse të gjitha ato do të ishin individualisht plotësisht përgjegjëse, kjo do të ishte ende shumë pak për të nxjerrë përfundime të besueshme rreth ndikimit të gjinisë më vete midis gjithë kompleksitetit të reagimit të një vendi ndaj pandemisë.

Natyrisht, njerëzit e një gjinie të caktuar nuk sillen në të njëjtën mënyrë në udhëheqje. Karakteristikat e tjera personale mund të çojnë në dallime shumë më të mëdha se ngjashmëria e gjinisë së tyre. Nuk është aq e thjeshtë, pasi lideret gra janë përfaqësuese të mira për përparimin e shëndetit social dhe publik të një vendi. Më shumë se 70 vende kanë pasur gra kryetare në qeveritë e tyre dhe kjo nuk do të thotë se ato kanë më shumë gjasa të jenë Norvegjia apo Zelanda e Re: më shumë se gjysma e grave lidere nuk bëjnë pjesë në ekonomitë evropiane apo të pasura dhe progresive. Dhe sigurisht, nëse krerët e ardhshëm të qeverive në Norvegji dhe Zelandën e Re janë burra, kjo nuk do të thotë vetvetiu se vendet do të ndryshojnë papritmas rrënjësisht – ose që vendet e udhëhequra më parë nga gratë ndryshuan kur një burrë ishte më pas udhëheqës.

Për disa arsye – të cilat do ti shpalosë më poshtë – pyetja “gratë apo burrat udhëheqës” përgjatë pandemisë nuk më duket se rezulton në ndonjë përgjigje. Megjithatë, ende i shoh përpjekjet e njerëzve për ta bërë atë interesante. Kjo është kryesisht sepse jam shumë e interesuar të krahasoj vendet në përgjithësi. Por mendoj se është edhe sepse do të doja që ky pretendimi të ishte i vërtetë. Dhe ky paragjykim personal më vë në dyshime për të arritur në një përfundim të shpejtë.

Pikërisht dy vjet më parë po shkruaja për zhgënjimin tim kur ky pretendim u bë viral, dhe se si njerëzit e përqafuan atë pa futur në funksion sensin e kritikës. Dhe disa studime kohëve të fundit u dukën se konfirmuan se gratë ia dilnin më mirë. Këto studime u shfaqën në qershor 2020: një printim paraprak nga Supriya Garikipati dhe Uma Kambhampati (meqë u botua në një revistë), dhe një tjetër nga Soumik Purkayastha dhe kolegë të tjerë. Diskutova mbi shqetësimet specifike për secilin prej këtyre studimeve, por përtej kësaj, ishte periudhë shumë e hershme e pandemisë për të dalë në përfundime: Covid-i do të ishte prezent për një kohë të gjatë.

Brenda disa javësh nga publikimi i shkrimit tim, dolën edhe 5 nga këto studime të hershme, qoftë të publikuara ose të dorëzuara në revista. Në të parën prej tyre, Luca Coscieme dhe kolegët tjerë ranë dakord me autorët e qershorit se gratë lidere kishin qeverisur më mirë për disa arsye – për shkak të reagimeve të tyre politike ndaj pandemisë dhe atributeve të vendeve që kishin gra udhëheqëse. Megjithatë, Leah Windsor së bashku me të tjerë, arritën në përfundimin se vetëm faktori i dytë ishte i rëndësishëm dhe jo gjinia e udhëheqësve.

Autorët e tjerë gjithashtu nuk u pajtuan se gjinia ishte vendimtare. Andrea Aldrich dhe Nicholas Lotito analizuan të dhënat mbi përgjigjet specifike parandaluese si urdhrat për të vijuar mësimin nga shtëpia dhe fushatat e informimit publik në fazën e hershme të pandemisë. Ata arritën në përfundimin se vendet që kishin udhëheqëse gra kishin më pak gjasa t’i krijonin ato. Mette Harder dhe Christoffer Harder studiuan gjithashtu reagimet ndaj pandemisë dhe ata arritën në përfundimin se gratë lidere kishin më pak të ngjarë të vendosnin për masën e izolimit të plotë – por nëse e kufizoni atë në vendet e OECD, vendet e udhëhequra nga gratë u izoluan më shpejt. Jennifer Piscopo analizoi të dhënat e pasurisë dhe kapacitetit të vendit, duke arritur në përfundimin se korrelacioni gjinor që të tjerët kishin gjetur ishte “i rremë…[sepse] shumë vende të udhëhequra nga gratë kanë rezultate të larta në kapacitetin shtetëror dhe se shtetet me kapacitet të lartë kanë vdekshmëri të ulët nga koronavirusi, pavarësisht nëse udhëhiqen nga gratë apo burrat.”

Rreth asaj kohe – korrik 2020 – një tjetër studim ishte gati të fillonte. Sebawit Bishu dhe kolegë të tjerë zhvilluan sondazhe në 8 shtete të SHBA-së, duke zgjedhur shtete që përputheshin sa i përket gjinisë dhe partisë politike të guvernatorëve. Rezultatet? Të komplikuara. Gjinia e guvernatorit nuk pati një ndikim të qartë në shumicën e masave të tyre të perceptimit publik dhe sjelljes së synuar të njerëzve. Megjithatë, ideologjia e tyre politike, po. Nga ana tjetër, Shrabanti Maity dhe Ummey Rummana Barlaskar, autorët e një studimi të mëvonshëm, arritën në përfundimin se lidershipi i grave në nivel rajonal në Indi ishte më i mirë sa i përket luftimit të Covid-it. Ata analizuan burime të ndryshme të të dhënave në shtete dhe territore përgjatë gjithë vitit 2020.

Këto studime rajonale tregojnë për disa nga kompleksitetet që diskutova në vitin 2020. Në vendet më të mëdha, pushteti i shumtë mbi reagimin ndaj pandemisë mund të qëndrojë në nivel provincial. Dhe për shembull në Australi, edhe disa vendime kryesore kombëtare ishin në përgjigje të presionit nga udhëheqësit e shtetit (gra dhe burra) në një kabinet kombëtar.

Po studimet që analizojnë më shumë se vetëm muajt e parë të pandemisë? Gjeta disa prej tyre. Një studim i publikuar së fundmi ishte shkas për këtë postim, megjithëse ai mbulon vetëm pjesën deri në fund të vitit 2020. Është nga Dianna Chang dhe kolegë të tjerë. Ka një tjetër që përfshin periudhë pak më të gjatë – deri më 28 maj 2021 (nga Cullen Hendrix). Megjithatë, nuk kam gjetur ende ndonjë me të dhënat e fundit. Dhe kjo ka shumë rëndësi: viti i kaluar ka qenë shumë i ndryshëm nga viti i parë i pandemisë. Për shembull, shkalla e vdekshmërisë së popullsisë së Zelandës së Re, vend i udhëhequr nga gratë, ka tejkaluar atë të Japonisë, vend i udhëhequr nga burrat dhe nuk është më aq dramatikisht e ndryshme nga ajo e Australisë e udhëhequr nga burrat.

Autorët e këtyre dy studimeve duke parë një kohë më të gjatë arrijnë në përfundimin se lidershipi i grave ishte një faktor i rëndësishëm në reduktimin e vdekshmërisë nga Covid-i. Do të fillojmë me Hendrix-in, që shikon rezultatet e Covid-it në maj 2021. Për shkak se ai merr parasysh vetëm vendet e OECD-së, ato të udhëhequra nga gratë janë një përqindje më e lartë se norma ndërkombëtare prej 10% – pra, më shumë se 20%. Megjithatë, përqindja është ende e vogël: ai klasifikon 8 vende si të udhëhequra nga gratë. Dhe këtu qëndrojnë disa probleme të mëdha.

Problemi i parë është menjëherë i dukshëm kur shikon se cilat vende përmend: gjysma janë 4 nga 5 vendet nordike. Pesë vendet nordike janë Danimarka, Finlanda, Islanda, Norvegjia dhe Suedia. Ato janë të rëndësishme këtu, sepse janë një grup gjeografik i vendeve të pasura që merren me barazinë, me kultura të forta të shëndetit publik, kufij që janë relativisht të lehtë për t’u siguruar, proporcione të mëdha njerëzish që jetojnë vetëm dhe popullsi relativisht të vogël – këto katër vende kanë më pak se 6 milionë njerëz secila dhe Suedia ka pak më shumë se 10 milionë.

Megjithatë, ishte diçka e re për këto katër vende që kishin të gjitha lidere gra: 2019 ishte hera e parë që ndodhi – dhe Suedia e bëri atë 5/5 vonë në 2021. (Kam numëruar vitet midis 2011 dhe 2021 që secili prej tyre kishte një grua kryetare të qeverisë për të paktën një pjesë të vitit.) Sikur të kishte goditur pandemia disa vite përpara, do të kishte një ose dy në vend të katër: disa vjet më vonë, edhe Suedia do të kishte llogaritur në kolona të drejtuara nga gratë. A ishte përcaktuese gjinia e liderëve të këtyre vendeve në atë moment?

Hendrix mendon se ishte. Ai shkruan, “…shkalla e vdekshmërisë nga COVID në Suedi – i vetmi vend nordik me një drejtues burrë – është tre herë më e lartë se ai i vendit tjetër më të lartë nordik (Danimarka…)”. Unë mendoj se ky është një shembull i shkëlqyeshëm i gropave në të cilat njerëzit po bien me qëndrime të thjeshta për këtë çështje. Nuk mendoj se Suedia është anomali nordike sepse kreu i qeverisë së saj ishte burrë. Ndikimi i tij ishte i kufizuar, sepse qeveria suedeze ishte e detyruar ligjërisht të ndiqte këshillat e agjencisë së saj të shëndetit publik. Dhe kreu i asaj agjencie ishte një udhëheqës i dalluar dhe kryesor i shëndetit publik në këshillat për Covid – i cili ka shprehur keqardhje për kontributin e tij në shkallën e lartë të vdekshmërisë. Suedia ndoshta shpërdoroi një avantazh të gjerë nordik, jo sepse nuk kishte një grua në krye të vendit, por për shkak që preokupohej në një emergjencë të shëndetit publik më shumë sesa lideri i vendit.

Problemi i dytë madhor në analizën e Hendrix të 8 vendeve kundrejt 29 vendeve është se cilat vende ai i klasifikon si të udhëhequra nga gratë. Të analizosh në mënyrë të drejtë çështjen “ne kundrejt tyre” është padyshim kritike në këtë lloj analize – dhe ai nuk e bën një gjë të tillë. Përveç katër vendeve nordike, ai numëron Gjermaninë, Lituaninë, Zelandën e Re dhe Zvicrën si vende të udhëhequra nga gratë.

Lituania është i vetmi vend në atë grup që kishte një shkallë të ngjashme të vdekshmërisë me Suedinë në kohën e studimit të tij. Megjithatë, deri në fund të nëntorit, ajo shkoi me normën shumë të ulët të Norvegjisë. Kjo ka rëndësi, sepse kreu i qeverisë ishte një burrë në atë moment: Lituania llogaritet si vend i udhëhequr nga gratë vetëm nga dhjetori, më pak se gjysma e periudhës së studimit. Vetëm disa javë më vonë, Estonia u drejtua nga gratë, por ai e konsideron atë vend si të udhëhequr nga burrat. Ai gjithashtu e konsideron Belgjikën si vend të udhëhequr nga burrat, edhe pse në shumicën e kohës ajo drejtohej nga një grua, shkalla e vdekshmërisë së saj u rrit në më të lartat për një vend të madh në Evropë. Dhe së fundi, ai e konsideron Zvicrën si vend të udhëhequr nga gratë, edhe pse vendi ka një formë kolektive të qeverisjes – një Këshill Federal, me një president që në thelb është një rol kryesues dhe i barabartë me anëtarët e tjerë, me rotacion vjetor. Në vitin 2020 atë karrige e mbante një grua, por nga janari ishte një burrë. Duke qenë se ka disa dhjetëra faktorë të tjerë në analizën e Hendrix, është e pamundur të dihet se sa ndikim do të kishte ky problem klasifikimi. Por nuk mendoj se është një krahasim i vlefshëm gjinor.

Kjo gjë na shpie në studimin e Chang-ut. Këta autorë analizojnë 99 vende deri në fund të vitit 2020, dhe ata kodojnë 14 vende si të udhëhequra nga gratë. Megjithatë, ata nuk raportojnë se cilat ishin. Kjo është një gjë e rëndësishme për të cilën duhet të jemi transparent. Autorët thonë se ata zgjodhën “udhëheqës politikë” dhe kjo mund të nënkuptojë se ata përfshinin vetëm krerët e qeverisë: por nëse e bënin këtë, mostra e tyre përfshin pothuajse çdo vend me një grua, ndërsa nuk numëron rreth 100 vende me kryetarë qeverish burra. Sipas numërimit tim të shpejtë dhe të përafërt në listën e Wikipedia-s, kishte 15 gra kryetare të qeverisë në një pikë të caktuar në vitin 2020 pas fillimit të pandemisë, dhe 11 gra kryetare shteti (monarkët nuk përfshihen). Disa kishin qenë në detyrë vetëm disa ditë, ose që nga fillimi i vitit. (Wikipedia ka gjithashtu një listë me liderë të hapur LGBT – nuk kishte udhëheqës kombëtarë transgjinorë.)

Gjysma e vendeve të udhëhequra nga burrat e përfshirë në studimin Chang-ut nuk është e shpërndarë në mënyrë të barabartë në të gjithë globin. Nga një vështrim i shpejtë, për shembull, është më pak se gjysma e vendeve të Afrikës, por më shumë se gjysma e Evropës dhe e gjithë Amerikës. Dhe në pamje të parë, duket e pamundur që vendet me liderë politikë burra dhe gra të përfaqësohen në të njëjtën mënyrë. Duket sikur nëse je një grua që drejton një vend shumë të vogël, për shembull, ka më shumë gjasa të përfshihesh në studim sesa nëse je burrë.

Autorët nuk raportojnë se në cilën pikë kohore ata klasifikuan gjininë e udhëheqjes së vendeve për vitin 2020. Disa vende me norma shumë të larta të vdekshmërisë nga Covid patën ndryshime lidershipi midis tetorit dhe dhjetorit. Disa nga ata liderë të rinj ishin të gjinive të ndryshme: për shembull, Belgjika dhe Bolivia kaluan nga lideret gra në liderë burra; Lituania dhe Moldavia nga liderët burra në lideret gra. Korrelacioni i raportuar në këtë punim është mjaft i dobët.

Gjinia e udhëheqësit kombëtar është një nga 21 faktorët në lidhje me vendet që ato përfshijnë – asnjëri prej tyre nuk e konsideron reagimin ndaj pandemisë. Kur keni shumë elementë në një analizë si kjo, ju përballeni me shumë rreziqe: nga njëra anë, peshkimi për “goditje” me kaq shumë grupe të dhënash rrit shanset tuaja për të marrë një korrelacion të rastësishëm. (Për më shumë rreth kësaj, shihni postimin tim mbi gropat e testimit të rëndësisë statistikore.)

Megjithatë, në të njëjtën kohë, midis grupit tuaj të madh të pikave të të dhënave, mund të mashtroheni duke mos marrë parasysh çështjet kritike. Për shembull, faktorët përfshijnë temperaturën mesatare javore të një vendi, por jo sa e lehtë është për një udhëheqës kombëtar të sigurojë sigurimin e kufijve. Ai përfshin moshën, por jo përqindjen e njerëzve që jetojnë në familje me shumë breza ose në shtëpi të grumbulluara.

Kjo e fundit është mjaft kritike për një sëmundje infektive ajrore. Ky studim përfshin dendësinë e popullsisë dhe urbanizimin, por jo madhësinë e familjes. Pra, kjo do të thotë se vendet shumë të urbanizuara me sipërfaqe të mëdha toke të papopulluar ose me popullsi të rrallë shihen si thelbësisht të ndryshme nga ato që janë e kundërta e tyre. Por ndryshimi kritik se sa më e lehtë është të reduktosh ekspozimin ndaj virusit nëse jetoni në një familje me një person nuk merret parasysh. Edhe brenda BE-së, këto dallime janë të mëdha: më pak se 20% e familjeve janë të rritur beqarë në Portugali dhe Sllovaki për shembull, por është afër 50% në vendet nordike të BE-së. Ose merrni parasysh OECD: vetëm 13% e të gjithë të moshuarve jetojnë vetëm në Meksikë, krahasuar me 46% në Danimarkë.

Përtej problemeve të zakonshme të të dhënave për pikat kyçe që nuk janë njësoj të besueshme nga vendi në vend – duke përfshirë vdekshmërinë nga Covid – ka pika të dhënash në këtë studim të veçantë që janë veçanërisht të paqarta, si lumturia e vlerësuar e një vendi. Ata gjithashtu grumbullojnë të dhëna për investimet në teknologjinë emergjente, mbulimin celular 4G dhe përdorimin e mediave sociale në një pikë të vetme të dhënash të quajtur teknologji. Ata argumentojnë se ato ishin kritike për gjurmimin e kontakteve dhe shpërndarjen kryesisht të saktë të informacionit, dhe ky ishte një avantazh kryesor pandemik. Ndërsa kjo plejadë mund të jetë pozitive në disa vende, unë jam i dyshimtë për këtë supozim globalisht. Merrni parasysh gjurmimin tepër mbresëlënës të kontakteve në vendet afrikane që do të shënonin më pak në “teknologji” këtu, së bashku me një nivel të tmerrshëm dezinformimi në mediat sociale.

Kur zgjidhni 21 faktorë për diçka kaq komplekse siç janë krahasimet ndërkombëtare, ka shumë mënyra për të përfunduar me gjetje të rreme. Përdorimi i grupeve të të dhënave të thjeshta me cilësi shpesh jashtëzakonisht të ndryshme në vende të ndryshme për t’iu përgjigjur pyetjeve jashtëzakonisht komplekse socio-politike nuk është një rrugë solide për të arritur në përfundime të besueshme. Pamja e të gjitha atyre të dhënave duhet të ndezë kambanat e alarmit. Megjithatë, shumë shpesh duket se i shtyn njerëzit në një tepricë të bindjes për gjetjet.

Zbulime: Unë identifikohem si grua. Jam rritur në Australi dhe kam jetuar në Gjermani dhe SHBA. U ktheva në Australi para pandemisë. Kishte një udhëheqës burrë, dhe po ashtu edhe shteti ku unë jetoj (Victoria). Australia ka pasur një grua kryetare qeverie dhe një grua kryetare shteti.

Karikaturat janë të miat (licenca CC BY-NC-ND).

Hilda Bastian

E përktheu: Greta Avdyli

Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://absolutelymaybe.plos.org/2022/06/28/women-versus-men-leaders-in-the-pandemic-an-update-and-dig-into-the-latest-data/