Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lexime

Judith Butler: Kur vrasja e grave nuk është krim

QIKA 3.2.2021

Lufta globale për të ndaluar dhunën ndaj grave dhe lufta për barazi shoqërore janë të lidhura.

I kam shkruar filozofes Judith Butler vitin e kaluar, jo shumë kohë pasi kisha shkruar një artikull me titull “Unë jam seksist”, pasi lëvizja #MeToo kishte marrë hov të shpejtë. Shpresoja të merrja një kritikë të sinqertë mbi esenë. Fitova shumë më tepër: Një shkëmbim të fortë dhe të thellë që çoi në këtë intervistë dhe kujtesën që dhuna ndaj grave, në shumë forma, është një tragjedi globale.

Judith Butler është e njohur me dekada për punën e saj në filozofi, feminizëm dhe aktivizëm në të gjithë botën. Një profesore në departamentin e letërsisë krahasuese dhe programit të teorisë kritike në Universitetin e Kalifornisë “Berkeley”, ajo është autore e librave të shumtë me ndikim, duke përfshirë “Notes Toward a Performative Theory of Assembly” dhe librit të ardhshëm, “The Force of Non-Violence.” Kjo intervistë u zhvillua përmes email-it.

George Yancy: E di që ju e njihni lëvizjen ndërkombëtare Ni Una Menos. Lëvizje, e cila përfshin disa vende të Amerikës Latine dhe po lufton shumë forma të dhunës, në veçanti femicidin, vrasjen e grave dhe vajzave për shkak të gjinisë së tyre. (Një shembull: Në Argjentinë, thuhet se çdo 30 orë vritet një grua.) Në Shtetet e Bashkuara kemi lëvizjen #MeToo. Çfarë mendoni ju për këto mobilizime të ndryshme por të ngjashme?

Judith Butler: Është e rëndësishme të përmendim se ka shumë feminizma tani (siç ka pasur gjithmonë) dhe ato ndryshojnë në bazë të fokusit dhe kornizës së tyre. Ni Una Menos është një lëvizje që ka nxjerrë miliona gra në rrugë nëpër Amerikën Latine për të luftuar dhunën ndaj grave, personave trans dhe indigjenëve. Slogani “As edhe një më pak” do të thotë se asnjë grua më shumë nuk duhet të vdes si pasojë e dhunës.

Kjo është një thirrje kolektive: “Asnjë grua nuk do të vdes më, ky kolektiv në zgjerim i reziston dhunës së drejtuar kundër tyre.” Por gjithashtu: “Si gra, ne nuk do të humbasim një jetë tjetër”. Lëvizja nuk bazohet në një ide të ngushtë të identitetit, por është një koalicion i fortë dhe intensifikues që tërheq mbështetje nga gratë dhe personat trans që janë punëtorë, që i përkasin sindikatave dhe kishave, të cilët mund të kenë ose jo ndonjë lidhje me universitetet.

Kundërshtimi i ashpër kolektiv ndaj vrasjes së grave është thelbësor, gjithashtu dhuna kundër personave trans, veçanërisht grave trans dhe “las travestis” (të cilët jo gjithmonë identifikohen si trans). Kjo është arsyeja pse nganjëherë referohet si lëvizje kundër “feminicidio” – të gjithë atyre që konsiderohen “feminin”. Kjo është e rëndësishme sepse nuk është vetëm se vrasja kryhet në bazë të gjinisë; dhuna ndaj grave është një mënyrë për të përcaktuar feminitetin e viktimës. Dhuna kërkon të sigurojë që gratë janë të vrasshme, të zëvendësueshme; është një përpjekje për të përcaktuar vetë ekzistencën e jetës së grave si diçka të vendosur nga burrat, si një prerogativë mashkullore.

Lëvizja është njëlloj lufte për liri dhe barazi dhe si e tillë lufton për të drejtën e abortit, të drejtën për pagë të barabartë dhe luftën kundër ekonomisë neoliberale që po intensifikon pasigurinë, veçanërisht për gratë, indigjenët dhe të varfrit. E drejta për abort bazohet në të drejtën e secilës grua për të pohuar lirinë mbi trupin e saj, por rrjedh nga kërkesat kolektive të grave për të qenë në gjendje të realizojnë dëshirat e tyre lirisht pa ndërhyrjen e shtetit dhe pa frikën e dhunës, ndëshkimit dhe burgimit.

Lëvizja e ka ndarë veten nga mënyrat individualiste të feminizmit që bazohen në lirinë personale dhe të drejtat e subjektit individual. Kjo nuk do të thotë që tregimet dhe historitë individuale nuk kanë rëndësi. Ato kanë rëndësi, por format e feminizmit që nuk përfshijnë një kritikë të kapitalizmit priren të riprodhojnë individualizmin si një çështje e natyrshme. Kolektivet formohen përmes realizimit të një gjendjeje të përbashkët shoqërore dhe një lidhje shoqërore, e cila pranon se ajo që po ndodh me një jetë, qoftë dhuna, borxhi apo nënshtrimi ndaj autoritetit patriarkal, po ndodhë gjithashtu për jetë të tjera. Dhe megjithëse këto mund të ndodhin në mënyra të ndryshme, modelet janë të dukshme dhe po ashtu janë edhe bazat e solidaritetit.

Në Shtetet e Bashkuara, “#MeToo” ka qenë shumë e fuqishme në ekspozimin e karakterit të përhapur të ngacmimeve dhe sulmeve seksuale në çdo lloj vendi të punës. Nuk ka asnjë mënyrë për të mbyllur sytë për sa kohë gratë kanë vuajtur nga ngacmimet, hakmarrjet dhe humbja e karrierës së tyre – humbja e besimit tek ata nga të cilët ato shpesh varen për punë. Por “unë” në #metoo nuk është e njëjtë me kolektivin në “ne”, dhe një kolektiv nuk është vetëm një sekuencë e tregimeve të individëve. Baza për solidaritet, për veprim kolektiv, kërkon që të largohemi nga supozimi i individualizmit; në Shtetet e Bashkuara tendenca është të riafirmojmë atë parim të liberalizmit politik në kurriz të lidhjeve të forta dhe të qëndrueshme kolektive. Në Argjentinë, Ni Una Menos në disa mënyra po merr detyrimin etik dhe politik të “Nunca Mas!” ose “Kurrë më!” si imitim nga pasojat e diktaturës. Shkatërrimi dhe zhdukja e jetës së mijëra studentëve dhe aktivistëve të së majtës ka çuar në një kundërshtim të ashpër ndaj censurës, shtypjes dhe dhunës së shtetit. Vrasja e grave është po aq e tmerrshme, shumë shpesh e ndihmuar dhe e nxitur nga policia dhe gjykatat që nuk arrijnë ta pranojnë krimin dhe nga një qeveri që refuzon të pohojë të drejtat e barabarta të grave për të jetuar jetën e tyre në liri dhe pa frikën e vdekjes.

Yancy: Arsyet për këto dy lëvizje janë të lidhura me strukturat politike dhe ekonomike që margjinalizojnë dhe shtypin gratë. Strukturat politike dhe ekonomike janë të lidhura në mënyrë të pazgjidhshme me makizmin, sensin toksik të identitetit mashkullor që përkthehet në të drejtën e burrave mbi trupat e grave; realisht në atë se nëse gratë mund të jetojnë apo vdesin. Ju lutem flisni për dimensionet performative të makizmit.

Butler: Nuk jam më e sigurt se çfarë llogaritet si performative, por pikëpamja ime është se një arsye pse burrat ndjehen të lirë të vendosin për jetën e grave ashtu siç e gjykojnë vet të arsyeshme është sepse ata janë të lidhur me njëri-tjetrin përmes një pakti të vëllazërisë së heshtur (në fakt jo aq të heshtur). Ata kthejnë shikimin nga ana tjetër; ata i japin njëri-tjetrit leje dhe i lejojnë njëri-tjetrit pandëshkueshmëri. Në shumë vende, dhuna e ushtruar ndaj grave, përfshirë vrasjet, nuk është konceptuar as si krim. Këto krime janë “mënyra se si bota funksionon” ose “akte të pasionit” dhe këto fraza zbulojnë qëndrime të thella që kanë natyralizuar dhunën ndaj grave, domethënë e kanë bërë të duket sikur kjo dhunë është një pjesë e natyrshme ose normale e jetës së zakonshme. Kur burrat feministë thyejnë atë pakt solidariteti, ata rrezikojnë përjashtimin nga disa komunitete dhe prapëseprapë ai lloj përjashtimi është pikërisht ajo që nevojitet.

Në Barcelonë një burrë qëllimmirë më tha se nuk kishte të drejtë të bashkohej në një demonstratë feministe kundër dhunës. Por unë nuk isha dakord me të. Epo, mbase jam dakord me të: pjesëmarrja nuk është e drejtë; është një detyrim. Por burrat që i bashkohen asaj lufte të rëndësishme kundër dhunës ndaj grave dhe personave trans duhet të ndjekin udhëheqjen e grave. Nëse qëndrojnë së bashku kundër paktit vdekjeprurës të vëllazërisë që lejon, devijon dhe shfajëson, ata e bëjnë atë para së gjithash duke u përballur me burra të tjerë dhe duke formuar grupe që refuzojnë dhunën dhe pohojnë barazinë radikale. Mbi të gjitha, kur merret jeta e grave dhe të gjitha pakicave të tjera, kjo është një shenjë që ato jetë nuk trajtohen si të vlefshme. Lufta kundër dhunës dhe lufta për barazi janë të lidhura.

Yancy: Si flet libri juaj i ri mbi jo-dhunën për pyetjet në lidhje me cenueshmërinë e grave?

Butler: Libri i ri, “The Force of Non-Violence”, ka të bëjë me gratë, sigurisht, por edhe me të gjithë njerëzit që konsiderohen të jenë pak a shumë të pavajtueshem. Unë punoj me idenë feministe të “lidhshmërisë” në mënyrë që të tregoj jo vetëm se si jetët janë të ndërvarura, por edhe se si detyrimet tona etike për të mbështetur jetën e njëri-tjetrit vijnë nga ajo ndërvarësi. Ndalimi i dhunës është një mënyrë për të pohuar dhe nderuar atë lidhje bazuar në vlerën e barabartë të jetës, por ky nuk është një parim abstrakt ose formal. Ne i kërkojmë njëri-tjetrit të jetojmë dhe kjo është po aq e vërtetë për lidhjet familjare ose farefisnore sa edhe për lidhjet ndërkombëtare dhe globale. Kritika e individualizmit ka qenë një komponent i rëndësishëm si i mendimit feminist ashtu edhe i atij marksist, dhe tani ajo bëhet urgjente ndërkohë që kërkojmë të kuptojmë veten si krijesa të gjalla të lidhura me krijesa njerëzore dhe jonjerëzore, me sisteme dhe rrjete të tëra të jetës. Kërcënimet e ndryshme të shkatërrimit mund të marrin formën e dhunës shtetërore, femicidit, braktisjes së migrantëve dhe ngrohjes globale. Ne duhet të rimendojmë lidhjet e jetës për të ditur se pse jemi të detyruar të kundërshtojmë dhunën edhe kur, ose saktësisht kur armiqësitë përshkallëzohen.

Yancy: Në çfarë mënyrash adreson diskutimi juaj mbi jo-dhunën praktikën tonë të përhapur kulturore të dhunës, specifikisht asaj mashkullore?

Butler: Kjo është pyetje e mirë. Për mua, dhuna nuk është mashkullore apo burrërore. Unë nuk mendoj se ajo vjen nga skutat e burrave ose është e ndërtuar në një përkufizim të domosdoshëm të maskulinitetit. Mund të flasim për struktura të dominimit mashkullor, ose patriarkalizëm, dhe në ato raste janë strukturat shoqërore dhe historitë e tyre që kërkojnë të shpërbëhen. Është e vështirë të dish të kuptosh akte individuale të dhunës brenda strukturave shoqërore që inkurajojnë, lejojnë dhe shfajësojnë akte të tilla. Mund të ndodhë që ne të jemi krijesa shoqërore, jeta e të cilave zhvillohet në struktura shoqërore të cilat kemi një farë fuqie për t’i ndryshuar. Kështu që nuk mendoj se burrat si individë mund të përdorin “strukturat shoqërore” si një justifikim, domethënë “struktura shoqërore e dominimit mashkullor më bëri të kryej këtë akt dhune”.

Në të njëjtën kohë, është e gjithë përgjegjësia jonë të pyesim veten se si po jetojmë, duke riprodhuar apo rezistuar këto struktura. Pra, megjithëse ndryshimi mund të ndodhë në një nivel individual, modelet e drejtësisë rikuperuese na tregojnë se individët ndryshojnë në kontekstin e bashkësive dhe marrëdhënieve dhe kjo është mënyra se si ndërtohen strukturat e reja të ndërveprimit dhe shkatërrohen ato të vjetrat. Nga ana tjetër, kjo do të thotë që etika duhet të jetë më shumë sesa një projekt individual i vetë-përmirësimit, pasi jeta përmirësohet në bashkëpunim me të tjerët. Këto marrëdhënie janë ato që na mbajnë dhe si të tilla meritojnë vëmendjen dhe përkushtimin tonë kolektiv.

Judith Butler

E përktheu: Riola Morina

Tekstin origjinal mund ta gjeni në:   https://www.nytimes.com/2019/07/10/opinion/judith-butler-gender.html