Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lexime

Jugu i Madagaskarit, vendi ku vajzat shiten për martesë para se të lindin

QIKA 30.4.2024

Në Jug të Magaskarit po bëhen përpjekje për ti dhënë fund një praktike tradicionale, por ilegale, ku vajzat premtohen si nuse tek burrat e moshuar, ndonjëherë edhe para se të lindin.

Martesa e detyruar zakonisht përfshin shkëmbimin e një lope të “shenjt” Zebu, me vajzat adoleshente që ndonjëherë janë vetëm 14 vjeç.

Dy agjenci të OKB-së, UNICEF dhe Fondi i Popullsisë së OKB-së (UNFPA), po punojnë së bashku me autoritetet lokale për të edukuar gratë dhe burrat përmes sesioneve që fokusohen në tiparet e maskulinitetit pozitiv, rreziqet që kanosen dhe barazinë gjinore.

Daniel Dickinson nga UN News foli me Lehilahy Modley, e cila mori pjesë në një nga sesionet në fshatin Ifotaka, në distriktin Amboasary të rajonit Anosy të Madagaskarit. “Sot jam në një hapësirë të vogël takimesh të fshatit me rreth 30 burra të tjerë për të kuptuar dhe diskutuar të gjitha llojet e dhunës që ushtrohen ndaj grave dhe vajzave,” tregon Modley.

Ekziston një përzgjedhje e imazheve përmes së cilave duhet të zgjedhim përshkrimin e mënyrave të ndryshme se si burrat ushtrojnë dhunë ndaj grave. Unë zgjedh një imazh që tregon skicën e një burri që është gati të godasë një grua, gjë që ka çuar në një diskutim për dëmtimin fizik. Ka gjithashtu imazhe që përshkruajnë dhunën seksuale, psikologjike, ekonomike, si dhe keqtrajtimin e fëmijëve.

Një nga sfidat më të mëdha që shoh në rajonin tim është kombinimi i dhunës ekonomike dhe abuzimit të të drejtave të vajzave që prej para se të lindin. Familjet që zakonisht janë shumë të varfra dhe të ndjeshme pajtohen për të shkëmbyer vajzën e tyre të porsalindur për një lopë Zebu.

Zebu është shumë e rëndësishme në kulturën tonë pasi është një shenjë e pasurisë dhe respektit. Ajo është në qendër të shumë traditave, për shembull, në disa grupe etnike si një rit i burrërimit, djemtë detyrohen të vjedhin një lopë përpara se të pranohen si burra në komunitet. Zakonisht një Zebu flijohet për të shënuar lindjet, ceremonitë e synetive, vdekjeve apo martesave.

Kjo është shumë e zakonshme në jug të Madagaskarit dhe kam parë shumë vajza adoleshente, rreth 13 vjeç, të detyruara të largohen nga familja e tyre dhe të bëhen gruaja e një burri të moshuar. Ky burrë mund të ketë edhe gra të tjera, meqë poligamia është gjithashtu praktikë normale atje, shpjegon tutje Modley.

Vajzat që refuzojnë këtë marrëveshje braktisen nga familjet e tyre për shkak të turpit të sjellur dhe kam dëgjuar raste kur vajzat kanë kryer vetëvrasje për këtë shkak.

Kultura dhe varfëria

Burri shpesh duhet të paguaj shpenzimet për gruan e ardhshme të tij si dhe mbështet familjen në mënyra të tjera deri sa merr vajzën dhe e dorëzon lopën Zebu. Familjet pajtohen me këtë shkëmbim pjesërisht për shkak të traditës por kryesisht edhe për shkak të varfërisë.

Jam shumë i frustruar teksa shoh këtë situatë dhe kam shumë ndjeshmëri për këto vajza që nuk kanë zgjedhje dhe që nuk janë më në gjendje të shijojnë fëmijërinë apo madje të shkojnë në shkollë.

Kemi biseduar për këtë në grupet tona për maskulinitetin pozitiv dhe shumica e burrave e kuptojnë se ata duhet të bëjnë ndryshimin sepse janë faktorët e dhunës dhe nënshtrimit.

Shumë shokë të mi i shohin gratë si të dobëta dhe të brishta, tregojnë pak respekt ndaj tyre dhe nuk janë të interesuar për dëgjimin e pikëpamjeve të tyre. Ata më konsiderojnë të dobët dhe bëjnë shaka se mua më kontrollojnë gratë, thjesht sepse përpiqem të promovoj mirëqenien dhe të drejtat e tyre. Edhe pse nuk pajtohem, jam ende shok me ta.

Ne takohemi në këtë grup një herë në muaj, takimet përfshijnë gjithashtu informacione mbi atë se si të raportojmë rastet e dhunës ndaj fëmijëve. Këto raste drejtohen në Qendrën Vonjy, një qendër kujdesi e integruar për viktimat fëmijë të dhunës në qytetin e Fort Dauphin-it. Tani po shoh se disa burra e shohin që duhet të ndryshojmë qëndrimet tona dhe të fillojmë të mendojmë për të drejtat e grave ashtu siç i kemi ne, e cila unë besoj se do të çojë në barazi.

Ndryshimi nuk do të vijë nesër, por burrat duhet të bëjnë gjithçka që munden për të ndalur këtë praktikë kulturore, por të kundërligjshme.

Associated Press

E përktheu: Fjolla Behramaj

Shkrimin origjinal mund t’a gjeni në: https://news.un.org/en/story/2024/03/1147571