Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lexime

Kriza klimatike rëndon më shumë mbi gratë. Ja pse.

QIKA 27.11.2024

Ndërkohë që ndryshimet klimatike janë probleme që prekin të gjithë, pasojat e tyre – shpërngulja, papunësia, varfëria, dhuna seksuale, sëmundjet – rëndojnë më tepër tek gratë dhe vajzat.

“Nëse dëshiron të jesh feminist/e në një botë me temperaturë në rritje, duhet të jesh feminist/e klimatik/e.”  — Katharine K. Wilkinson, bashkëredaktore e antologjisë mbi klimën “Gjithçka që Mund të Shpëtojmë”

Shkencëtarët kryesorë të klimës në botë këtë muaj publikuan një raport historik me mesazhin e tyre më të qartë deri më sot: Kriza klimatike ekziston, është shkaktuar nga njerëzimi, përbën një problem katastrofik që kërcënon planetin dhe që vetëm do të përkeqësohet përpara se të ketë shpresë për përmirësim — nëse përmirësimi është i mundshëm.

Raporti i Kombeve të Bashkuara, i miratuar nga 195 qeveri dhe i bazuar në mbi 14,000 studime, përcakton se përdorimi shfrytëzues i energjisë për më shumë se një shekull ka ngrohur planetin me rreth 1.1 gradë Celsius. Për shkak të emetimeve ekzistuese, ngrohja e mëtejshme në tre dekadat e ardhshme është e pashmangshme. Por raporti thekson se vitet e ardhshme ofrojnë një mundësi të vogël dhe urgjente: shansin për të ndryshuar rrënjësisht zakonet tona të konsumit dhe përdorimit të energjisë, për të shmangur një ngrohje akoma më katastrofike.

Katharine K. Wilkinson, bashkëredaktore e antologjisë mbi klimën “Gjithçka që Mund të Shpëtojmë,” argumenton se edhe pse ndryshimet klimatike janë probleme që prekin të gjithë, ndikimet nuk janë të barabarta — ato bien më shumë mbi popullatat më të cenueshme të botës, në veçanti mbi gratë dhe vajzat.

“Kriza klimatike nuk është e barabartë apo neutrale përsa i përket gjinisë,” shprehet ajo. Një studim tregon se burrat kanë gjurmë karboni më të lartë se gratë, me 16 përqind më shumë. Dhe 1 përqindëshi më i pasur në botë, që kryesisht përbëhet nga burrat, është përgjegjës për më shumë emetime karboni sesa 50 përqindëshi më i varfër. Sipas OKB-së, kjo përkthehet në rreth 70 milionë njerëz në krye, krahasuar me 3.5 miliardë në pjesën më të ulët. Megjithatë, janë gratë dhe vajzat ato që mbajnë barrën kryesore e fatkeqësive klimatike të shpeshtuara. Këto barra përfshijnë shpërnguljen — 80 përqind e njerëzve të shpërngulur nga ndryshimet klimatike janë gra — si dhe shtimin e papunësisë, varfërisë, dhunës seksuale dhe sëmundjeve.

Në librin e saj, Dr. Wilkinson, e cila ka një doktoraturë në gjeografi dhe mjedis nga Oksfordi dhe bashkëredaktorja e saj, Ayana Elizabeth Johnson, vënë në pah shumë gra që hulumtojnë, udhëheqin, bëjnë fushata dhe shkruajnë për zgjidhjet e problemeve klimatike.

Në rubrikën “Në Fjalët e Saj”, Dr. Ëilkinson shpjegon pse përgjigjet janë të pandashme nga barazia gjinore dhe shpjegon idenë e feminizmit klimatik. Biseda është përmbledhur dhe redaktuar paksa.

Ju thoni se kriza klimatike ka një ndikim të pabarabartë tek gratë. Çfarë do të thotë kjo?

Pentagoni ka krijuar këtë term të klimës si një shumëzues kërcënimesh, që natyrisht ata e mendojnë për sigurinë kombëtare. Por mendoj se është një kornizë shumë e dobishme që klima është një shumëzues i çdo çarjeje, pabarazie ose padrejtësie që janë të pranishme në shoqërinë aktuale. Ajo i amplifikon ato.

Kriza klimatike nuk është neutrale në aspektin gjinor në shkaqet e saj rrënjësore, të cilat burojnë nga patriarkati, ndër të tjera. Ajo nuk është neutrale në ndikimet e saj sepse gratë dhe vajzat janë në disavantazh në mënyra të ndryshme. Ngjarjet ekstreme të motit po lidhen me martesat e hershme, trafikimin seksual, dhunën në familje, të gjitha këto gjëra që janë tashmë të pranishme në shoqëri dhe që përkeqësohen edhe më shumë.

Flisni më shumë për lidhjen midis ndryshimeve klimatike dhe patriarkatit.

Shkaku i ndryshimeve klimatike janë emetimet e gazrave serrë. Por për mua, pyetja është se pse kemi një bollëk të tillë të këtyre emetimeve dhe pse kanë qenë kaq të vështira për t’u kontrolluar? Dhe kur fillojmë të bëjmë këto pyetje, përballemi me një sistem që ka qenë shumë i fokusuar në hierarki, kontroll, shfrytëzim dhe sinqerisht, vendimmarrje që ka qenë kryesisht në duart e një grupi relativisht të ngushtë njerëzish. Sigurisht, gratë nuk kanë qenë në tryezë në mënyrë të barabartë në formësimin e status quo-së në të cilën ndodhemi. E njëjta gjë vlen për njerëzit me ngjyrë. E njëjta gjë vlen për popujt indigjenë.

Si lidhet gjinia me zgjidhjet klimatike?

Ne flasim shumë për zgjidhje klimatike në shkallë të gjerë, të cilat natyrisht se nevojiten. Na duhet bujqësi rigjeneruese në mbarë botën. Na duhet një sistem energjie elektrike 100 përqind i pastër, na duhen mjete lëvizshmërie që nuk mbështeten në lëndët djegëse fosile. Na duhen të gjitha këto, sigurisht. Por mendoj se ndonjëherë ne anashkalojmë vlerat. Sepse nuk po përpiqemi vetëm të ndërtojmë një të ardhme me zero emetime, apo jo? Ne po përpiqemi të ndërtojmë një të ardhme në të cilën mund të lulëzojmë së bashku.

Dhe për mua, patriarkati është themeluar në mënyrë të tillë që disa njerëz të lulëzojnë në kurriz të të tjerëve. Dhe sigurisht, e njëjta gjë vlen për supremacinë e bardhë. Trajtimi i të dyjave është në zemër të punës klimatike.

Në librin tuaj, ju përshkruani nevojën për një udhëheqje klimatike që është me më shumë “karakteristika femërore”. Më tregoni më shumë për këtë ide.

Sherri Mitchell, një avokate, aktiviste dhe autore indigjene nga Kombi Penobscot, flet për femëroren si urtësi e përqendruar në zemër dhe mashkulloren si veprim.

Kur mendojmë për gjërat që do të duhen për të adresuar krizën klimatike dhe për të ndërtuar një të ardhme produktive, kjo do të kërkojë një riorientim themelor drejt kujdesit. Do të kërkojë bashkëpunim, lidhje, dhembshuri, krijimtari, të gjitha këto gjëra që bien brenda këtij spektri të femërores, pavarësisht nga identiteti gjinor.

A mund të jepni një shembull të një fushe ku do të dëshironit të shihni këtë riorientim të manifestuar?

Kur shikojmë filantropinë klimatike, ende ka pabarazi të mëdha në linjat e racës dhe gjinisë. Shumica e parave që po investohen në lëvizjen klimatike po shkojnë për punë që udhëhiqen nga burra të bardhë. Ne i duam ata në ekip. Ata thjesht nuk mund të përbëjnë të gjithë ekipin.

Si do t’i përgjigjeshit dikujt që thotë se veprimi i guximshëm për klimën është në thelb antikapitalist?

Nëse kapitalizmi nuk është antiklimatik, barra për ta provuar këtë bie mbi kapitalistët, të cilët deri tani nuk kanë arritur të tregojnë se si mund të funksionojë brenda sistemit tonë planetar. Ne kemi pasur këtë besim shumë të çuditshëm mbi pafundësinë e këtij sistemi ekonomik e ndërkohë po jetojmë në një planet të kufizuar, kështu që nëse mendoni se ka një mënyrë për të zgjidhur rritjen e pafundme në një planet të kufizuar, do të doja ta shihja këtë mënyrë të hartuar në letër.

Si shpresoni që do të evoluojë lëvizja për feminizmin klimatik?

Mendoj shumë për mënyrën se si mirëpresim njerëzit që janë feministë të përkushtuar, por që nuk e kanë parë veten si feministë klimatikë ose që kanë ndjerë se hapësira klimatike nuk është shumë mikpritëse. Mendimet si “nëse nuk keni një doktoraturë në shkencat atmosferike, atëherë faleminderit, nuk kemi nevojë për ju.” Dhe sigurisht, kjo është shumëë larg nga e vërteta. Nëse do të jeni feminist/e në një planet më temperatura në rritje, duhet të jeni feminist/e klimatik/e.

Nëse dikush do të vinte tek ju dhe do të pyeste se çfarë hapash mund të ndërmerrte tani për të adresuar emergjencën klimatike, çfarë do t’i thoshit?

Unë shpesh i pyes njerëzit: Cilat janë superfuqitë tuaja dhe si mund të kontribuojnë ato në një farë mënyre në punën që duhet bërë për klimën? Sepse ne jemi shumë më tepër sesa zgjedhjet tona si konsumatorë, ne jemi shumë më tepër edhe sesa praktikat tona të votimit dhe pjesëmarrja qytetare. Shumë prej nesh mund të gjejnë mënyra për të ndërthurur klimën në jetën tonë profesionale. Dhe kjo për mua është koha kur gjërat fillojnë të bëhen të fuqishme.

Përktheu: Riola Morina

Shkrimin origjinal mund ta gjeni këtu

___________________________________________________________

Ky artikull mbështetet nga qeveria gjermane dhe zbatohet përmes Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH në kuadër të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë 2024 – “Skema e Mbështetjes së Shoqërisë Civile (CSS)” organizuar nga Zyra e Presidentës së Republikës së Kosovës. Pikëpamjet dhe mendimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit. Ato nuk synojnë të pasqyrojnë opinionet apo pikëpamjet e GIZ-it dhe Zyrës së Presidentës së Republikës së Kosovës.