Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lexime

Mbiemri i babait – një traditë patriarkale që nuk po ndryshon

QIKA 24.11.2023

Shumica e çifteve  heteroseksuale në SHBA pothuajse gjithmonë u japin fëmijëve mbiemrin e babait. Pse?

Rreth një viti para se Christine Mallinson të lindte fëmijën e saj të parë, ajo dhe burri i saj ranë dakord që të gjithë fëmijët e tyre të merrnin mbiemrin e saj. Çifti donte që dy fëmijët e tyre të ndanin një mbiemër me kushërirën e vetme të përafërt në moshë, e cila ishte mbesa e Mallinson.

Mallinson e dinte se zgjedhja e tyre nuk ishte e përhapur tek çiftet heteroseksuale amerikane – ajo është profesoreshë e sociolinguistikës, gjinisë dhe studimeve mbi gratë në Universitetin e Maryland në Baltimore County, dhe shkroi një punim të vitit 2017 që pjesërisht, analizon konventat e mbiemrave patrilinealë (që trashëgohen nga ana e babait).

Në vitin 2002, studiuesit zbuluan se rreth 97 përqind e çifteve të martuara ia dhanë fëmijës së tyre të parë vetëm mbiemrin e babait. Ky raport ka mbetur jashtëzakonisht konsistent: Një punim i vitit 2017 që studionte prindërit heteroseksualë që adoptuan fëmijë zbuloi se 96 përqind e tyre i vendosën fëmijës së tyre mbiemër patrilinealë. Megjithëse janë kryer pak studime mbi këtë temë, të dhënat sugjerojnë se pothuajse në çdo familje amerikane me një nënë dhe një baba, fëmijët marrin mbiemrin e babait të tyre.

Mallinson mendon se kjo është pjesërisht për shkak të mosveprimit. Ajo beson se shumë çifte heteroseksuale nuk e marrin seriozisht diskutimin mbi vendimin se çfarë mbiemri do marrin fëmijët e tyre.

“Unë poashtu lirshëm supozoj se ato diskutime as që zënë vend nëpër familje. Për shumë partnerë dhe familje është proces i zakonshëm dhe i pavetëdijshëm”, më tha ajo.

“Kjo normë është veçanërisht e habitshme kur krahasohet me të dhëna të tjera nga shoqëritë patriarkale. Përqindja e grave që mbajtën mbiemrin e tyre pas martesës ishte rreth 3 përqind në vitin 1975, kohë kur disa shtete ende kërkonin që gratë të merrnin mbiemrin e burrit të tyre në mënyrë që të mund të votonin. Tre dekada më vonë, shifra arriti në rreth 20 përqind. Megjithatë, edhe në mesin e çifteve heteroseksuale në të cilat secili partner mban mbiemrin e vetë, fëmijët ende marrin mbiemrin e babait në shumicën e rasteve. Një pjesë e madhe e shoqërisë amerikane thjesht nuk ka arritur të konceptojë një realitet përtej mbiemrave patrilinealë.

Disa studiues argumentojnë se bartja e mbiemrit të babait është e gabuar, por statistikat e përgjithshme tregojnë për një kulturë të qëndrueshme patriarkale. Ky është njëkohësisht një reflektim i bisedave mes çifteve, aq sa është produkt i politikave në nivelin e nëpunësve. Megjithatë, disa demografi të reja të familjeve amerikane i qasen mbiemrave ndryshe. Përderisa çiftet zgjedhin një sërë mbiemrash, si psh. mbiemrat me vizë në mes, ata mund të ndryshojnë edhe normat e vendit.

Gjëja e parë që duhet kuptuar në lidhje me mbiemrat patrilinealë që përdoren zakonisht në Shtetet e Bashkuara është se ata nuk janë universalë. Në shumë vende ku flitet spanjisht – përfshi Spanjën, Kolumbinë, Porto Rikon dhe Meksikën – fëmijët tradicionalisht marrin mbiemrat e të dy prindërve, duke krijuar një mbiemër të dyfishtë. Kur dy persona me mbiemra të dyfishtë kanë fëmijë, secili prej tyre bartin të parin nga dy mbiemrat e tyre.

Për shembull, aktorja Salma Hayek u lind si Salma Hayek Jiménez; prindërit e saj quhen Sami Hayek Domínguez dhe Diana Jiménez Medina. Ndërkohë, Islandezët nuk kanë mbiemra familjarë, por marrin mbiemra të përafërt me emrin e prindit.

“Mbiemri si Helguson, për shembull, do të thotë ‘djali i Helga-s,’ duke u referuar emrit të nënës; shumë islandezë të tjerë kanë mbiemra që reflektojnë emrin e babait të tyre.

Në Kinë, përqindja e grave që bartin mbiemrin e tyre familjar është në rritje. Në vitin 2018, rreth 8.8 përqind e foshnjave të lindura në Shangai morën mbiemrin e nënës së tyre.

Një shkencëtar ka sugjeruar se ky ndryshim në praktikat e mbiemrave mund të lidhet me përfundimin e politikës që lejon linden e vetëm një fëmije në Kinë në vitin 2015: Në një qytet të madh e të zhvilluar, çiftet mund t’i japin mbiemrin e babait foshnjës së parë dhe mbiemrin e nënës foshnjës së dytë.”

Edhe në SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar, mbiemrat patrilinealë janë një konventë çuditërisht e re. Siç përshkroi Deborah Anthony, profesoreshë e studimeve juridike në Universitetin e Illinois në Springfield, në një punim të vitit 2018, mbiemrat në Angli para shekullit të 17-të nuk ishin të standardizuar. Shumë prej tyre nënkuptonin një profesion (siç është Potter – poçar) ose vendbanim (siç është Hilton, shkurtim i “qytetit kodrinor”). Mbiemrat ndryshuan gjithashtu me kalimin e kohës: një person i quajtur Hilton, për shembull, mund të merrte mbiemrin Potter pasi filloi profesionin e tij në fushën e qeramikës.

Në vitet 1400, shkruante Anthony, kur mbiemrat më shpesh kaloheshin drejtpërdrejt nga prindi tek fëmija, shumë fëmijë morën mbiemrin e nënës ose gjysheve të tyre.

Kjo filloi të ndryshojë rreth shekullit të 18-të, kur ligjet konsideronin gratë si pronë ligjore të burrave të tyre  u rrënjosën më shumë në Britani dhe u zhvilluan për të ndaluar në mënyrë efektive gratë që të zotëronin tokë.

Për gratë, marrja e mbiemrit të burrit të tyre u bë një simbol i pranimit të autoritetit të tij.

Rastet e grave që ua kalonin emrin fëmijëve të tyre pothuajse u zhdukën në fund të shekullit të 19-të.

Në Shtetet e Bashkuara, mbiemrat patrilineal janë një normë që ka ekzistuar për një kohë të gjatë – në vitin 1881, një gjykatë në Nju Jork tha se “ligji i zakonshëm në mes të gjithë njerëzve që flisnin anglisht” kërkonte që gratë të hiqnin dorë nga mbiemri i tyre.

Sot, gratë nuk janë të detyruara ligjërisht për t’u dhënë fëmijëve të tyre mbiemrin e burrit të tyre, por burokracia amerikane ka vazhduar të zbatojë konventat patrilineale të emërtimit.

Anthony ka hulumtuar çështje gjyqësore në të cilat çiftet luftojnë se kush ka të drejtë t’ua kalojë mbiemrin fëmijëve të tyre. “Nëna pothuajse gjithmonë humbet”, më tha Anthony.

Gjyqtarë individualë kanë përdorur herë pas here doktrinën ligjore të “interesit më të mirë të fëmijës” për të favorizuar të atin.

“Ekziston një kuptim i pavetëdijshëm se të kesh mbiemrin e babait është në thelb në interesin më të mirë të fëmijës”, tha ajo, duke përmendur rastet kur gjyqtarët argumentuan se marrja e mbiemrit të babait do të thellonte lidhjet familjare ose do t’u siguronte fëmijëve më shumë siguri financiare më vonë në jetë.

Disa shtete, si Louisiana, mbajnë politika që zbatojnë mbiemrin patrilineal si parazgjedhje kur babai njihet dhe i mbështet fëmijët, përveç nëse të dy partnerët bien dakord ndryshe.

Faktorë të tjerë banalë, strukturorë kanë penguar qasje më të larmishme ndaj mbiemrit. Kur Alícia Hernàndez Grande, tani kandidate për doktoratë në Universitetin Northwestern, mori patentën e shoferit si adoleshente në Hjuston në vitin 2004, ajo kujton se Departamenti i Automobilave (DMW) u përpoq të ndante mbiemrin e saj, Hernàndez Grande, në dy pjesë. Ata i printuan asaj një licencë në të cilën “Hernàndez” ishte renditur si emri i mesëm dhe “Grande” si mbiemër, duke e shkurtuar emrin e saj në Alícia H. Grande. Hernàndez Granden, e cili ishte transferuar në SHBA nga Spanja në moshën 8-vjeçare, e kapi paniku. “Është e pasaktë. Nuk përputhet me pasaportën time. Nuk përputhej me leje qëndrimin tim”, më tha ajo.

Kur ajo dhe nëna e saj vunë në dukje gabimin, ajo tha se zyrtarët i thanë se nuk mund të shtonin hapësira në kolonën e mbiemrit. (Hernàndez Grande vite më vonë ajo arriti të korrigjonte licencën.)

Ky problem me sa duket ishte mjaft i përhapur saqë në vitin 2019, shteti i Nju Jorkut miratoi një ligj për t’i lejuar banorët të zgjidhnin dy mbiemra të ndarë nga një hapësirë. Edhe pse mbiemrat e lidhur me vijë janë shumë më të pranuar në SHBA krahasuar me mbiemrat e dyfishtë, edhe ata kanë hasur pengesa.

Në vitin 2007, kur një hulumtues po studionte politikat e mbiemrave shtetërore, DMV i New Hampshire raportoi se sistemi i tyre kompjuterik nuk lejonte shtimin e vijave në mbiemra. (As DMV i New Hampshire, as DMV i Nju Jorkut, as DMV i Teksasit nuk u përgjigjën kur u kërkuam koment).

Kur Hernàndez Grande lindi fëmijë, ajo vendosi që ata do të merrnin mbiemrin e burrit të saj, i cili është nga Anglia, kështu që ata nuk do të kishin të njëjtën përvojë si ajo. “Kalimi i një mbiemri të dyfishtë në mënyrën se si kultura ime e bën, do të ishte thjesht një ndërlikim administrativ për fëmijët e mi”, tha ajo.

Duke lënë anash pengesat burokratike, shumë hulumtues dyshojnë se qëndrueshmëria e mbiemrave patrilinealë për çiftet heteroseksuale lidhet me mënyrën se si ata flasin për këtë çështje kur bisedojnë për mbiemrin e një fëmije, ata kanë më shumë tendencë të mbështeten në traditë.

Në vitin 2016, studiuesit Charlotte J. Patterson dhe Rachel H. Farr krahasuan konventat e mbiemrit midis çifteve të gjinisë së kundërt dhe çifteve të së njëjtës gjini, në rastet kur ata adoptuan fëmijë, duke zbuluar se 52 përqind e çifteve të gjinisë së njëjtë zgjedhin t’u japin fëmijëve të tyre një version të dy mbiemrave me një vizë ndarëse.

Kur studiuesit i kërkuan çifteve të shpjegonin pse zgjodhën mbiemrat që kishin zgjedhur, “çiftet lezbike dhe homoseksualë treguan se kanë diskutuar shumë më gjatë për ato tema sesa çiftet heteroseksuale,” më tha Patterson

Çiftet heteroseksuale folën për bartjen e mbiemrit të babait sikur të ishte e qartë në vetvete; Çiftet lezbike dhe homoseksuale folën për mënyrën sesi ata donin që mbiemri të përfaqësonte të dyja anët e familjes.

Ky studim gjithashtu ofron një udhërrëfyes se si normat amerikane të mbiemrave mund të ndryshojnë. Pamja dhe struktura e familjes amerikane është transformuar duke përfshirë më shumë çifte queer, më shumë çifte të pamartuar dhe çifte më diverse në racë, të cilët duken më pak të lidhur me mbiemrat patrilinealë.

Shumë hispanikë në SHBA vazhdojnë traditat e mbiemrave me dyfishtë.

Ndërkohë, çiftet e së njëjtës gjini që fillojnë të krijojnë familje, nuk kanë norma tradicionale për të ndjekur dhe shkalla me të cilën prindërit zgjedhin të mos martohen është rritur ndjeshëm në 50 vitet e fundit.

Disa shtete, duke përfshirë Indianën, Dakotën e Veriut dhe Rhode Island, kërkojnë që nënat e pamartuara të bartin mbiemrat e tyre me automatizëm (përveç rastit kur ka një deklaratë ose pëlqim me shkrim).

“Mendoj se mund të thuash me një shkallë shumë të lartë besimi se prindërit e pamartuar kanë më pak gjasa të bartin mbiemrin e babait”, më informoi Emily Shafer, një sociologe në Universitetin e Portlandit,. Shafer tregoi të dhënat nga një studim i vazhdueshëm nga hulumtues të Universiteteve të Princetonit dhe Kolumbias, në të cilin 707 nëna beqare (në një sondazh me 3,624 persona) rreth 19.5 përqind, raportuan se nuk do t’i bartnin fëmijës mbiemrin e babait. Edhe nëse mbiemri patrilineal fillon të humbasë një pjesë të ndikimit së tij në SH.B.A., është e vështirë të imagjinohet një standard i vetëm dhe tërësisht i drejtë për mbiemrin. Çdo qasje ka kompromiset e saj.

Kur dy persona me mbiemra të ndarë me vizë martohen, gjetja e mënyrës se si të zgjedhin cilin mbiemër të kalojnë është një çështje e komplikuar.

(Mbiemrat e dyfishtë mund të ruajnë gjithashtu linjat patrilineare të tyre; Spanja kërkonte që mbiemri i babait të ishte i listuar i parë – dhe kështu të ishte emri i ardhshëm që do të bartjes – derisa ligjet filluan të ndryshonin në vitin 2000).

Krijimi i një mbiemri të ri nga e para, që do të ndahej nga të gjithë anëtarët e familjes, përfshin shumë dokumente shtesë. Shumë gra dhe burra  mund të zgjedhin të mos japin mbiemrin e tyre fëmijëve nëse ky mbiemër është i lidhur me traumë familjare. Mënyra e emërtimit të familjes duhet të jetë një zgjedhje për çdo çift.

Emrat sot nuk tregojnë më një profesion, vendlindje ose shenjë pronësie; në vend të kësaj, ato pasqyrojnë atë që vlerëson një familje.

Përqindja e foshnjave amerikane të emërtuar me 10 emrat e parë më të popullarizuar për djemtë në kohën e tyre është ulur drastikisht në shekullin e kaluar, nga 40 përqind në vitet 1880 në 8 përqind në vitin 2015, një statistikë që mund të reflektojë një rritje të personave që përdorin emrat për të shprehur identitetin e tyre.

Nëse prindërit e rinj vendosin të diskutojnë se si të strukturojnë mbiemrin e fëmijës së tyre, ata mund të krijojnë hapësirë për një shpërthim mbiemrash të llojllojshëm”, tha Mallinson. Sot ndikimi i nënës dhe i babait mund të ekzistojnë në mbiemër me vizë, mbiemër të dyfishtë e në opsione tjera. Për të arritur atje, çiftet dhe nëpunësit duhet të mendojnë përtej normave.

Michael Waters

Përktheu: Bletë Rashiti

Artikullin origjinal mund ta gjeni këtu: https://www.theatlantic.com/family/archive/2021/10/patrilineal-surnames/620507/?fbclid=IwAR1-wwTQyLZdfiDLE3wE-uzhy-W9dMbY3qRWfaMug1OhfySyd5tPZv7pcGY