Përgjatë shekujve gratë kanë qenë të përfshira në të bëmat artistike, si kreatore apo edhe shpikëse të formave të reja shprehëse artistike, mbështetëse ndaj artistëve të rinj, koleksionuese, burim frymëzimesh, apo edhe kontribuese si kuroatore dhe historiane arti. Gratë kanë qenë dhe mbeten pjesë e pandashme e institucioneve të artit, por përveç përfshirjes së tyre të llojllojshme në botën e artit, shumë gra artiste kanë gjetur veten të limituara në barrierat e rrëfimeve tradicionale së historisë së artit. Ato janë ballafaquar me sfida për shkak të paragjykimeve gjinore, nga vështirësitë në përgatitje formative e deri te shitja e veprave dhe njohja e tyre si artiste. Po si i’a kanë dalë gratë të ecin përpara dhe të bëhen zëra kaq të fuqishëm në art dhe histori të artit sot? Cila është e mënyra e duhur e tregimit të historive të atyre që u harruan nga historia?
Si janë përfaqësuar, nënpërfaqësuar, dhe keq përfaqësuar gratë në histori të artit?
Sipas një tregimit nga “Plaku Plini” një shkrimtar Romak i shekullit të parë C.A., vizatimi i parë i bërë ndonjëherë ishte nga një grua me emrin Dibutades, e cila ndoqi hijen e të dashurit të saj në mur. Nëqoftëse vendosni të besoni këtë gjë ose jo, vlen të ceket se para së gjithash mitologjia perëndimore na tregon se gruaja ishte artistja e parë, dhe artistet tjerë morën shumë pak vëmendje deri në fund të shekullit 20-të. Që nga antikiteti e tutje, vetëm një grup i vogël i grave gjetën udhën e tyre në tregimet e artistëve më të mëdhenj. Edhe atëherë ato shpesh u përshkruan si talente të pazakonta të cilat kapërcyen limitet e gjinisë në mënyrë që të shquheshin në atë që besohej të ishte fushë e burrave. Artistja Britaneze Mary Beale, ishte portretiste e suksesshme nga fundi i viteve 1600, por suksesi i saj më shumë i’u atribua faktit se bashkëshorti i saj ishte drejtuesi i studios ku ata punonin dhe ai prezantoi veprat e saj si eksperiment në metodat pikturale që ai zhvilloi. Gwen John vetportreti i së cilës paraqitet në mënyrë të izoluar e të ekzaminuar detajisht, hoqi shumë që të pranohej e njihej në fushën e dominuar prej burrave, duke përfshirë këtu edhe vëllaun e saj Agustus.
Në mënyrë sistematike për shekuj me radhë gratë mbetën të përjashtuara nga arkivat e historisë së artit. Kjo ndodhi si shkak i disa faktorëve: format e artit si tekstili dhe ajo çka ne e quajmë “Arti zbukurues” u ç’vlerësua e u hodh poshtë në kategorinë e punëdores e jo si “Art i bukur”; shumë grave nuk iu dha mundësia të synojnë për edukim të përgjithshëm, e lëre më që të synojnë trajnime arti. Edhe burrat të cilët dominuan këtë disiplinë si në praktikë ashtu edhe në histori gjithnjë besuan se gratë ishin artiste më të dobëta. Hans Hoffmann artist e mësues kishte thënë duke “lavdëruar” piktoren me ndikim të ekspresionizmit abstrakt në mes të shekullit të 20-të Lee Krasner: “Është kaq e mirë (vepra e saj), sa nuk do ta dinit që është e bërë nga një Grua”. Në fillim të viteve të 60-ta, lëvizjet feministe mbi të drejtat e barabarta morën hov, dhe gratë bënë bujë në mësimdhënie e studim të artit në shkollat Amerikane e në Evropë. Këto ngjarje u bënë rrjetëzim për aktivitetet feministe, duke i inkurajuar e paraqitur gratë në muze e galeri. Kjo lëvizje e grave nxiti një trup të gjerë teorish e praktikash të larmishme artistike. Duke i ridefinuar këto praktika që zhvilloheshin në studio e me gjerë dhe në këtë mënyrë duke i hapur udhë shumë grave artiste që praktikojnë artin sot.
Gratë artiste në shekullin e 20-të: Një ndryshim peizazhi
Gratë kanë qenë gjithmonë artiste, kësisoj ato gjithmonë kanë gjetur një mënyrë që të shfaqeshin qoftë edhe në paraqitje të shkurtër brenda shoqërive të drejtuara nga burrat. Edhe kur bëhet fjalë për veprat më të hershme të artit të njohura për ne si: figura e kolmë (voulptuous) e Venusit nga Willendorf ne 25000 para Krishtit e gurëgdhendje të tjera, që askush se di me siguri nëse këto vepra arti u krijuan nga gra apo burra. Në anën tjetër, objektet si endjet (thurjet, tjerrjet) dhe rrobaqepjet kanë qenë gjithmonë të ndërlidhura me zanatet e bëra nga gratë, që nga historia e Penelopës dhe endjet e guximshme të pëlhurës në eposin e Homerit në tregimin mbi “Odisenë”, deri te Qilimi i Baiu-së (Bayeaux) nga viti 800 para krishtit e deri në shekullin e 11-të, një qilim ky i gjatë prej 82 metrash dokumenton për historinë e Birtanisë mesjetare, shtofin e të cilit me shumë gjasë e kishin qëndisur gratë. Dhe gratë serish vazhduan të ballafaqoheshin edhe në shekujt në vazhdim me vështirësitë në përpjekjet e tyre për përfshirje në botën e artit në zhanre të caktuara. Por gjërat ndryshuan me ardhjen e të 20-tave, në fillim të këtij shekulli ky ndryshim nuk erdhi vetëm për gratë artiste por për gratë amvise dhe ato të përfshira në sferat publike.
Një theks i veçantë i kësaj lëvizje të grave ishte në avokimin mbi të drejta e barabarta, organizata të përkushtuara për vëmendje ndaj grave, dhe gjeneratë krejtësisht e re e grave profesioniste e artiste transformuan zakonet e vjetra të një shoqërie të drejtuar e të strukturuar nga burrat në të gjithë botën. Këto ndryshime sociale, të cilat filluan të përhapeshin në fillim të shekullit, u zhvilluan edhe më tutje me hyrjen e luftës së parë botërore dhe u zgjeruan me hov të madh globalisht, duke inkurajuar më shumë gra të bëhen pjesë e fuqisë punëtore dhe kësisoj duke i shtyrë ato të paraqiten më shumë në hapësira sociale, profesionale e çështje politike që më parë kishin qenë të zakonshme veç për burra.
Përkundër se të margjinalizuara e të përjashtuara nga anëtarët burra të grupit, artistet si Helen Saunders dhe Jessica Dismorr ishin ato që udhëhoqën e realizuan idetë në lëvizjen e Vorticist. Piktorja franqeze Francoise Gilot krijoi një stil vizuel dhe identitet tërësisht të saj, pavarësisht se ajo ishte e njohur si e dashura e Pablo Pikasos dhe punoi në afërsi me artist të mëdhenj si Henri Matisse e Fernand Leger në 1940-tat. Piktoret e zhanrit surealist dhe skulptoret si Elieen Agar e Louise Bourgeois ishin iconoclasts (kritike) në eksplorimet mbi mendjen e trupin, duke zhvilluar ide mbi fluiditetin, intimitetin, e në mënyrë të hapur edhe për temat mbi seksin. Cilat çështje vendosën t’i adresonin gratë përmes artit të tyre? Për shkak të ndryshimeve kontekstuale, sociale e zhvillimore qysh në vitet 1960-ta duke u mbështetur në to’ nga fillim i shekullit 20-të, shumë gra artiste aktualisht adresojnë çështje personale e ndërkombëtare mbi identitetin, duke eksploruar në politikat globale e disaporike. Artistet mërgimtare si Mona Hatoum e Shirin Neshat na tregojnë për storiet mbi humbjen dhe ndjesitë e brendshme në vendet e konfliktit, për kulturën, dhe rolet gjinore. Në të njëjtën kohë artistja Sonia Boyce, nëpërmjet filmit, fotografisë e pikturave sjell në pah stereotipet raciste.
Të tjera artiste gra përdorën artin e tyre për të folur për çështje specifike që ato si gra përballeshin. Në 1970, Margaret Harrison përdori vizatime të gjallëruara e ironike për të vënë në dukje objektivizimin me të cilën ballafaqoheshin gratë në përditshmërinë e tyre. Në po të njëjtën dekadë artistja Linder vizatoi frymën e rrymës punk dhe qëllimin e politikës së Dadas (Lëvizje ndërkombëtare e shekullit 20-të frymëzuar në muzikë, art, film, fotografi për të nxjerrë natyrën satirike dhe të pa-kuptimit të dukurive negative në shoqëri) duke krijuar fotomontazhe të cilat përmbysin imazhet që përcjellin qëndrime shqetësuese në mediat tradicionale. Regjisorja Barbara Hammer përdori pamje filmike të trupit të saj për të promovuar hapur seksualitetin lezbik, ndërsa artiste në ditët e sotshme si Cornelia Parker po na inkurajojnë që të mendojmë më thellë mbi imazhin e idealizuar të standardeve të bukurisë të trupit të grave të cilat me pas vihen në krahasim të zhdrejtë me figurën realistike të grave reale. Duke vënë në dukje identitetin, seksualitetin, politikën dhe historinë, gratë artiste kanë dominuar në debatet mbi artin për këto dekadat e fundit. Por si t’ia bëjmë që të flasim për ato gra që historia i ka harruar?
Si t’i tregojmë storiet e grave artiste të harruara sot?
A mendoni se kurset, librat e muzetë të cilat kanë qenë të dedikuara posaçërisht për gratë artiste mund të jenë disi përjashtuese? A e mënjanojnë këto prodhimin kulturorë nga gratë duke i deklaruar ato si diçka të veçantë nga zhanret artistike përkatëse në historinë e artit tradicional? Në anën tjetër kjo qasje e të shtuarit të emrave të grave në këto zhanre të veçanta artistike do të përforconte një udhë tradicionale në histori të artit pa e sfiduar atë? Dhe duke mos i etiketuar në termin “Gra artiste” po e krijojmë një udhë qorre që pa dashje na lidhë midis gjinisë, biografisë dhe rezultateve krijuese?
Këto e pyetje të tilla artistët e historianët po vazhdojnë ti shtjellojnë sot. Grupe si Vajzat Luftëtare – (Guerrilla Girls), komunitet ky i grave artiste dhe profesioniste të artit, të cilat së bashku luftojnë diskriminimet dhe ngrisin vetëdijen për çështje me të cilat përballen gratë në botën e artit sot. Në këtë mënyrë ato paraqesin pakënaqësitë me intervenime skenike e protesta, duke veshur maska në formë gorille për të shpërqendruar publikun nga identiteti i tyre i vërtetë. Reforma e tyre qëndron në mënyrën e parashtrimit të pyetjeve: “Pse historia perëndimore nuk ka pasur më shumë artiste të mëdha gra? Dhe në vend të kësaj të pyesim: “Pse nuk janë konsideruar më shumë gra artiste të mëdha përgjatë historisë perëndimore?
Projektet që synojnë kërkimin e grave artiste të përjashtuara nga zhanret e caktuara artistike na kanë inkurajuar që të ridefinojmë vetë këto praktika të artit, duke na ftuar që të rimendojmë atë çka ne e quajmë “art zbukurues” artet tre-dimensionale, dhe artet përformative të shoqëruar nga trupa artistike. Duke i inkurajuar kështu edhe shumë studiues që të vihen në kërkim të këtyre grave të harruara, projekt ky i cili vazhdon edhe sot. Me një përhapje përtej zhanreve artistike perëndimore për të përfshirë më shumë gra të racave të ndryshme nga e gjithë bota, gra të cilat na ndihmuan të kuptojmë se nuk ka diçka si “Arti i grave” po art i cili është përpunuar e riformuar nga kultura, që mbartë në vete mbrojtjet kulturore mbi bukurinë, gjininë, pushtetin, dhe në këtë mënyrë ne mund ta përdorim si një instrument të fuqishëm për të ngritur pyetje mbi çështjet e racës, klasave, e identitetit.
Ese nga Camille Gajewski
E përktheu: Ardita Avdija
Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://www.khanacademy.org/partner-content/tate/women-in-art/history-of-women-in-art/a/a-brief-history-of-women-in-art