Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lexime

Nuk duhet ta quajmë ‘hakmarrje pornografike’

QIKA 8.7.2024

Pothuajse çdo shtet i SHBA-së ka miratuar ligje penale për të mbrojtur viktimat nga abuzimi seksual përmes pamjeve. Ndonëse kanë qëllime të mira, shumica dërrmuese e tyre kriminalizojnë vetëm pjesërisht këtë formë të abuzimit.

Derisa ligjvënësit e sapozgjedhur për të shërbyer në Dhomën e Delegatëve të Virxhinias do të bëjnë betimin, kandidimi i pasuksesshëm i Susanna Gibson është karakterizuar kryesisht nga titujt kryesorë mediatik. Kushdo që do të mbaj mend kandidaturën e saj, do të kujtoj se Gibson ishte përfshirë në një skandal seksual. Në fakt, Gibson ishte viktimë e asaj që në përditshmëri pasaktë e quajmë hakmarrje pornografike – term që ndikon negativisht në mënyrën se si perceptohet dhe ndëshkohet nga shoqëria ky krim ndaj grave.

Termi ‘hakmarrje pornografike’ jep përshtypjen e gabuar se krimi duhet të përkufizohet në bazë të faktit nëse autori ka pasur për qëllim dëmtimin e viktimës.

Pak kohë para mbajtjes së zgjedhjeve, videot e Gibson duke bërë seks me burrin e saj u shpërndanë pa pëlqimin e saj nga persona anonimë. Videot besohet se janë shpërndarë një faqe interneti ku anëtarët transmetojnë drejtpërdrejtë aktin seksual dhe anëtarët e tjerë që i shohin mund t’i shpërblejnë interpretuesit. Kjo faqe lejon anëtarët të shikojnë videot, por ndalon incizimin ose shpërndarjen e tyre. Megjithatë, dikush i incizoi imazhet dhe i shpërndau ato në internet, pa lejen e Gibson si dhe duke shkelur kushtet e përdorimit të faqes.

Teksa e dënoi këtë sjellje, Gibson e quajti këtë shkelje, ashtu si shumë prej nesh, hakmarrje pornografike. Por ‘hakmarrje pornografike’ është emërtim i gabuar. Përdorimi i termit përveçse është i pasaktë dhe fyes për viktimat, e banalizon edhe ashpërsinë e aktit kriminal, duke i shtyrë shtetet që të miratojnë ligjet që nuk mbrojnë efektivisht viktimat. Shumica e ligjeve që kriminalizojnë shpërndarjen pa pëlqim të imazheve intime gabimisht përqendrohen në mendësinë ose qëllimin e autorit – ‘hakmarrja’.

Pavarësisht nga qëllimi i autorëve, krimi është cenimi i privatësisë së viktimave, shumë prej të cilave pësojnë dëme të rënda e të pariparueshme. Deri në 80 % e këtyre incidenteve nuk përfshijnë qëllimin për të lënduar, ngacmuar ose keqtrajtuar personin e paraqitur në imazh. Shumica e viktimave vuajnë dëme serioze e të pariparueshme si rezultat i fotove ose videove që bëhen publike, me pasoja që përfshijnë depresionin, humbjen e punës, poshtërimin nga miqtë dhe familja, madje edhe vetëvrasje.

Jeta seksuale e Susanna Gibson mund të jetë e pazakontë. Ose edhe mund të jetë krejt e zakonshme. Pavarësisht se çfarë mund të mendojnë të tjerët për zgjedhjen e saj për realizimin e jetës seksuale të saj ashtu siç e ka bërë, Gibson u kujdes që atë ta mbante private dhe e ndau atë vetëm brenda një grupi të caktuar sipas zgjedhjes së saj, në një faqe interneti me terma dhe kushte të cilat ndalojnë çdo riprodhim të përmbajtjes dhe përcaktojnë se të gjithë pjesëmarrësit duhet të jenë të rritur.

Pamjet u publikuan pa lejen e saj nga dikush që e dinte ose normalisht do të duhej ta dinte se Gibson nuk dha pëlqimin e saj që ato të shpërndaheshin. Ligji nuk duhet të kërkojë prova shtesë se autori ka dashur t’i shkaktojë dëm asaj.

50 juridiksione në Shtetet e Bashkuara kanë miratuar ligje penale për të mbrojtur gratë dhe viktimat e tjera nga abuzimi seksual përmes pamjeve. Megjithëse këto ligje mund të kenë qëllime të mira, hulumtimi ynë ka zbuluar se shumica dërrmuese kriminalizojnë vetëm një pjesë të sjelljes në fjalë. Problemi është se ligjet kërkojnë që prokuroria të provojë se autori kishte për qëllim të dëmtonte personin e paraqitur në imazhe. Në Virxhinia, ku jeton Gibson, ligji kërkon që fotot ose videot të jenë publikuar “me qëllimin për të detyruar, ngacmuar ose frikësuar”.

Gibson e përshkroi kohën e publikimit si të projektuar për ta poshtëruar atë. Ajo mund të ketë të drejtë për këtë. Nëse autori kapet dhe akuzohet sipas ligjit të Virxhinias, sjellja e tij mund të konsiderohet si një përpjekje për ta ngacmuar atë në kandidimin e saj për legjislaturën e shtetit. Madje, është e mundur që, me daljen në dritë të më shumë fakteve, të vërtetohet se motivi i autorit të krimit ishte ta detyronte ose ta frikësonte të hiqte dorë nga kandidimi.

Por, pavarësisht nga motivi i publikimit të videove, detajet e të cilave nuk janë plotësisht të qarta, duket se ato janë publikuar në kundërshtim me termat dhe kushtet e faqes dhe pa pëlqimin e Gibson. Fakti që videot u publikuan pa lejen e saj nga dikush që e dinte ose që arsyeshëm do të duhej ta dinte se Gibson nuk dha pëlqimin e saj që ato të shpërndaheshin duhet të jetë baza e krimit. Ligji nuk duhet të kërkojë prova shtesë se autori ka dashur t’i shkaktojë dëm asaj.

Duke kriminalizuar sjelljen vetëm aty ku mund të vërtetohet se motivimi ishte për të “shtrënguar, ngacmuar ose frikësuar qëllimisht”, nuk do të mund të mbrohen shumica e viktimave.

Këto ligje, për shembull, nuk do të mbronin viktimat e deputetit Matt Gaetz, i cili thuhet se për t’u krenuar ndau me ligjvënësit e tjerë foto intime të grave me të cilat kishte fjetur. As nuk do t’i mbronin gratë, fotografitë intime të të cilave u shpërndanë mes policëve për kënaqësinë e tyre pasi  u ndaluan nën dyshimin e ‘vozitjes nën ndikim’.

Në të vërtetë, të hartuara në këtë mënyrë, ligjet nuk do të trajtonin asnjë situatë ku autori shpërndan imazhet intime për ndonjë qëllim tjetër përveç qëllimit për të dëmtuar personin e përshkruar, duke përfshirë zbavitjen, argëtimin e miqve të tyre ose cilëndo arsye tjetër që mund të jenë nga më të ndryshmet.

Pavarësisht nga motivi që qëndron pas publikimit të imazheve intime të Gibson pa lejen e saj, situata duhet të jetë udhëzues se si të hartohet një ligj që ofron mbrojtje efektive për të mbijetuarat/it e abuzimit seksual përmes pamjeve.

Shtetet duhet të eliminojnë dispozitën e qëllimit për të dëmtuar nga këto ligje, sepse pavarësisht nga arsyeja e autorit për shpërndarjen e pamjeve viktima dëmtohet thellësisht nga publikimi i tyre. Në vend të kësaj, krimi duhet të përcaktohet nga cenimi i privatësisë së viktimës dhe ligjet duhet të fokusohen thjesht në dëmin e pësuar nga viktima dhe mos dhënien e pëlqimit të personit në fjalë.

Jessica A. Magaldi dhe Jonathan Sales

E përktheu: Blenda Asllani

Shkrimin original mund t’a gjeni në: https://msmagazine.com/2024/01/08/revenge-porn-susanna-gibson/