Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lexime

“Puna e Grave” dhe Hendeku Gjinor i Pagave

QIKA 23.1.2025

Përmbledhje

Çfarë gjen ky raport: Gratë paguhen 79 cent për çdo 1 dollar që paguhen burrat—pavarësisht faktit se gjatë dekadave të fundit miliona gra më shumë i janë bashkuar fuqisë punëtore dhe kanë rritur arritjet e tyre arsimore. Shumë shpesh supozohet se ky hendek i pagave nuk është dëshmi e diskriminimit, por përkundrazi është një artefakt statistikor i dështimit të mosllogaritjes së faktorëve që mund të nxisin ndryshimet e fitimeve midis burrave dhe grave. Megjithatë, këta faktorë – veçanërisht dallimet profesionale midis grave dhe burrave – shpesh ndikohen nga paragjykimet gjinore. Për shembull, në kohën kur një grua fiton dollarin e saj të parë, zgjedhja e saj profesionale është kulmi i viteve të arsimit, udhëzimit nga mentorët/et, pritshmërive të vendosura nga ata/ato që e kanë rritur, praktikave të punësimit të kompanive dhe normave e pritshmërive të përhapura në lidhje me baraspeshimin punë-familje, të mbajtur nga punëdhënësit/et, bashkëpunëtorët/et dhe shoqëria. Me fjalë të tjera, edhe pse gratë hyjnë në mënyrë disproporcionale në profesione me paga më të ulëta, të dominuara nga to, vendimi është formësuar nga diskriminimi, normat shoqërore dhe forca të tjera jashtë kontrollit të tyre.

Pse është e rëndësishme dhe si mund të zgjidhet: Hendeku gjinor në paga ekziston — dhe dëmton gratë në të gjitha nivelet, duke ua ulur të ardhurat dhe duke e bërë më të vështirë baraspeshimin mes punës dhe familjes. Përpjekjet serioze për të kuptuar këtë hendek gjinor nuk duhet të përqendrohen në fajësimin e grave për mosfitimin e të ardhurave më të larta. Përkundrazi, këto përpjekje duhet të shqyrtojnë se ku ekonomia jonë krijon mundësi të pabarabarta për gratë në çdo fazë të arsimimit, trajnimit dhe zgjedhjes së karrierës së tyre.

Hyrje dhe gjetjet kryesore 

Gratë paguhen 79 cent për çdo 1 dollar që paguhen burrat (Hegewisch dhe DuMonthier 2016). Kjo pavarësisht faktit se gjatë dekadave të fundit miliona gra i janë bashkuar tregut të punës dhe kanë arritur përfitime të mëdha në arsimimin e tyre. 

Kritikët e kësaj statistike të cituar shpesh argumentojnë se nuk është një provë e fortë e diskriminimit ekonomik kundër grave, pasi nuk merr parasysh faktorë të tjerë përveç gjinisë që mund të ndikojnë në pagat, siç janë vitet e arsimimit, përvoja e punës dhe vendndodhja. Shumë prej këtyre skeptikëve pohojnë se hendeku gjinor në paga nuk është rezultat i diskriminimit, por i zgjedhjeve të lira të burrave dhe grave — veçanërisht zgjedhja e profesionit ku ata/o punojnë. Është e vërtetë se dallimet profesionale kanë rëndësi — profesioni dhe industria përbëjnë rreth gjysmën e hendekut gjinor të përgjithshëm në paga (Blau dhe Kahn 2016).

Për të izoluar ndikimin e diskriminimit të hapur gjinor — si në rastet kur një grua paguhet më pak se kolegu i saj burrë për të njëjtën punë — është zakon të rregullohen të dhënat duke marrë parasysh faktorë të ndryshëm. Por këto statistika të rregulluara mund të nënvlerësojnë rëndë potencialin e diskriminimit gjinor. Kjo ndodh sepse diskriminimi gjinor nuk shfaqet vetëm në praktikat e caktimit të pagave nga punëdhënësit/et. Ai mund të ndodhë në çdo fazë që çon në rezultatet e grave në tregun e punës. 

Le të marrim si shembull kyç profesionin e zgjedhur. Ndërsa kontrollimi dhe rregullimi i të dhënave në bazë të profesionit zvogëlon hendekun e matur gjinor në paga, përzgjedhja e grave dhe burrave në profesione të ndryshme mund të ndikohet vetë (të paktën pjesërisht) nga diskriminimi. Kur një grua fiton dollarin e saj të parë, zgjedhja e saj profesionale është rezultati i viteve të arsimit, udhëzimeve nga mentorët/et, pritshmërive të vendosura nga ata/o që e kanë rritur, praktikave të punësimit të kompanive dhe normave të përhapura shoqërore mbi baraspeshimin mes punës dhe familjes të mbajtura nga punëdhënësit/et, kolegët/et dhe vetë shoqëria. Me fjalë të tjera, edhe pse gratë hyjnë në mënyrë disproporcionale në profesione më pak të paguara dhe të dominuara nga to, ky vendim është formuar nga diskriminimi, normat shoqërore dhe forca të tjera jashtë kontrollit të tyre. 

Ky raport shpjegon pse përzgjedhja gjinore e profesioneve është pjesë e vetë diskriminimit me të cilin përballen gratë, shqyrton se si kjo përzgjedhje ndikohet nga forcat shoqërore e ekonomike dhe demonstron se hendekët gjinorë në paga ekzistojnë edhe brenda profesioneve të caktuara.

Pikat kryesore përfshijnë: 

– Hendekët gjinorë në paga ekzistojnë edhe brenda profesioneve, edhe pasi merret parasysh përvoja e punës, orët e punës dhe niveli arsimor. 

– Vendimet që gratë marrin për profesionin dhe karrierën e tyre nuk ndodhin në vakum — ato gjithashtu ndikohen nga shoqëria. 

– Orët e gjata të kërkuara nga profesionet me pagat më të larta e bëjnë të vështirë suksesin e grave, pasi gratë mbajnë shpesh barrën kryesore të kujdesit për familjen. 

– Shumë profesione të dominuara nga gratë janë me paga të ulëta dhe profesionet që kanë kaluar në dominim prej grave kanë pësuar ulje të pagave.

Ky raport analizon pagat në bazë të punës me orë. Teknikisht, kjo është një matje e rregulluar e hendekut gjinor në paga. Në dallim nga të ardhurat javore ose vjetore, të ardhurat për orë nuk marrin parasysh faktin se burrat punojnë më shumë orë mesatarisht gjatë javës ose vitit. Prandaj, hendeku gjinor në paga për orë është pak më i vogël se shifra prej 79 përqind e përmendur më herët. Ky rregullim i vogël lejon një krahasim të pagave të grave dhe burrave pa supozuar se gratë, të cilat ende mbajnë një pjesë disproporcionale të përgjegjësive në shtëpi, do të mund ose do të dëshironin të punonin po aq orë sa kolegët e tyre burra. Analizimi i hendekut gjinor në paga bazuar në orët e punës mundëson një diskutim më të plotë mbi faktorët e shumtë që krijojnë hendekun në paga që gratë përjetojnë.

Hendeku gjinor në paga brenda të njëjtit profesion është i madh — dhe vazhdon të ekzistojë edhe pasi të merren parasysh arsimi dhe faktorë të tjerë. 

Shpesh, ata/o që minimizojnë rëndësinë e hendekut gjinor në paga pretendojnë se gratë zgjedhin vullnetarisht të marrin paga më të ulëta, duke u orientuar në mënyrë disproporcionale drejt profesioneve tipike femërore ose duke kërkuar pozita më pak të paguara. Por edhe kur burrat dhe gratë punojnë në të njëjtin profesion — qofshin ata parukierë/e, kozmetologë/e, infermierë/e, mësues/e, inxhinierë/e kompjuterikë/e, inxhinierë/e mekanikë/e apo punëtorë/e ndërtimi — burrat, mesatarisht, fitojnë më shumë se gratë (CPS microdata 2011–2015). 

Imagjinoni sikur përfaqësimi i grave në profesione të ndryshme të ishte i njëjtë me atë të burrave. Për shembull, nëse 2 përqind e burrave janë zdrukthëtarë, supozoni se 2 përqind e grave bëhen zdrukthëtare. Çfarë do të ndodhte me hendekun e pagave? Duke marrë parasysh ndryshimet në arsimim dhe preferencat për punë me orar të plotë, Goldin (2014) zbulon se 32 përqind e hendekut gjinor në paga do të mbyllej.

Megjithatë, nëse gratë do të mbeteshin në profesionet e tyre aktuale, por hendeku i pagave brenda profesioneve do të mbyllej (p.sh., nëse inxhinierët civilë dhe inxhinieret civile do të paguheshin njësoj për orë), 68 përqind e hendekut të përgjithshëm do të zhdukej. Kjo na shtynë të analizojmë pse kamarierët dhe kamarieret me të njëjtin nivel arsimor dhe përvojë pune nuk fitojnë të njëjtën shumë për orë pune. Siç thotë Goldin:

Një mënyrë tjetër për të matur ndikimin e profesionit është të pyesim se çfarë do të ndodhte me hendekun gjinor në paga nëse do të barazohej paga midis burrave dhe grave brenda çdo profesioni, ose nëse përqindjet e tyre brenda profesioneve do të ishin të njëjta. Përgjigjja është se barazimi i pagave brenda çdo profesioni ka një ndikim shumë më të madh sesa barazimi i përfaqësimit gjinor për secilin profesion. (Goldin 2014).

Ky fenomen nuk kufizohet vetëm te profesionet me aftësi të ulëta dhe gratë nuk mund të arrijnë t’i shpëtojnë hendekut gjinor në paga vetëm duke përmirësuar nivelin e tyre arsimor (të paktën kur flitet për kualifikime të përgjithshme formale). Në fakt, gratë kanë arritje arsimore më të larta se burrat; 37 përqind e grave kanë diplomë universitare ose më të avancuar, krahasuar me 32.5 përqind të burrave (CPS ORG 2015). Për më tepër, gratë fitojnë më pak për orë pune në çdo nivel arsimim. Burrat me diplomë universitare fitojnë më shumë për orë sesa gratë me diplomë të avancuar. Po ashtu, burrat me diplomë të shkollës së mesme fitojnë më shumë për orë sesa gratë që kanë ndjekur studime universitare por nuk i kanë përfunduar tërësisht. Madje, sapo dalin nga universiteti, gratë fitojnë 4 dollarë më pak për orë sesa burrat — një hendek që është rritur që nga viti 2000 (Kroeger, Cooke dhe Gould 2016).

Drejtimi i grave në rrugë të caktuara arsimore dhe profesionale — si dhe diskriminimi i drejtpërdrejtë — mund të çojë në rezultate të ndryshme profesionale 

Hendeku gjinor në paga shkaktohet, të paktën pjesërisht, nga ndikimi kumulativ i shumë faktorëve gjatë jetës së grave kur trajtohen ndryshe nga bashkëmoshatarët e tyre burra. Vajzat mund të orientohen drejt karrierave të përshtatshme sipas normave gjinore që në moshë të hershme. Në një periudhë kur ndikimi prindëror është vendimtar, prindërit kanë më shumë gjasa të presin që djemtë dhe jo vajzat, të punojnë në fusha të shkencës, teknologjisë, inxhinierisë ose matematikës (STEM), edhe kur vajzat kanë rezultate të barabarta në matematikë (OECD 2015).

Pritshmëritë shpesh kthehen në profeci vetëpërmbushëse. Një studim i vitit 2005 zbuloi se vajzat e klasës së tretë i vlerësonin aftësitë e tyre në matematikë më ulët sesa djemtë, edhe pse performanca e tyre nuk ishte më e dobët (Herbert dhe Stipek 2005). Po kështu, në shtetet ku njerëzit ishin më të prirur të thoshin se “gratë janë më të përshtatshme për shtëpi” dhe “matematika është për djemtë”, vajzat kishin më shumë gjasa të kishin nota më të ulëta në matematikë dhe më të larta në lexim (Pope dhe Sydnor 2010). Teksa ky është vetëm një korrelacion, nuk ka arsye për të besuar se aftësitë gjinore në lexim dhe matematikë do të kishin lidhje me gjeografinë. Pritshmëritë e prindërve ndikojnë në performancën e fëmijëve përmes uljes së vetëbesimit, i cili lidhet me rezultate më të larta në testime (OECD 2015).

Në kohën kur vajzat përfundojnë shkollën e mesme dhe hyjnë në universitet, ato tashmë i vlerësojnë ndryshe mundësitë e tyre të karrierës në krahasim me djemtë. Përzgjedhja e degëve nga studentët e vitit të parë të ndarë sipas gjinisë tregon që ndërsa vajzat gjithnjë e më shumë kanë hyrë në shkollën e mjekësisë dhe vazhdojnë të dominojnë fushën e infermierisë, ato janë dukshëm më pak të prirura për të përzgjedhur inxhinierinë, shkencat kompjuterike ose fizikën, krahasuar me bashkëmoshatarët e tyre djem.

Vendimet për të lejuar që dyert drejt mundësive të punës me paga të larta të mbyllen nuk ndodhin në vakum. Shumë faktorë mund ta bëjnë të vështirë për një vajzë të re të shohë veten në fusha si shkenca kompjuterike apo në një profesion tjetër të mirëpaguar. Një shembull veçanërisht shqetësues është mbështetur nga të dhënat e publikuara mbi seksizmin në industrinë e teknologjisë (Hewlett et al. 2008). Fatkeqësisht, teknologjia nuk është e vetmja fushë e STEM që përballet me këtë problem. 

Gratë e reja mund të demoralizohen nga ndjekja e disa karrierave për shkak të kulturës së industrisë. Edhe për ato që guxojnë të shkojnë kundër rrymës dhe të ndjekin karriera në STEM, një mjedis armiqësor ndaj pjesëmarrjes së grave mund të kufizojë përfaqësimin e tyre në këto profesione. Një studim i vitit 2008 zbuloi se “52 përqind e grave me kualifikim të lartë që punojnë në kompanitë SET (shkencë, teknologji dhe inxhinieri) japin dorëheqje për shkak të mjedisit armiqësor të punës dhe presioneve ekstreme të punës” (Hewlett et al. 2008). Presionet ekstreme përfshijnë punën për më shumë se 100 orë në javë, gatishmërinë 24/7, menaxhimin e kolegëve në zona kohore të ndryshme dhe presionin për të kaluar shumë kohë në vendin e punës (Hewlett et al. 2008).

Në krahasim me burrat, gratë kryejnë punë shtëpie dy herë më shumë çdo ditë dhe kalojnë dyfish më shumë kohë duke u kujdesur për anëtarët e tjerë të familjes (BLS 2015). Për shkak të këtyre normave kulturore, gratë kanë më pak gjasa të përballojnë presionet ekstreme të punës. Për më tepër, 63 përqind e grave në vendet e punës SET përjetojnë ngacmime seksuale (Hewlett et al. 2008). Për të përkeqësuar situatën, 51 përqind e tyre e braktisin formimin e tyre në fushat e SET pasi lënë punën. Të gjithë këta faktorë kontribuojnë në largimin e grave nga profesionet e paguara mirë, veçanërisht në fushat STEM.

Orët e gjata të punës që kërkohen nga disa prej profesioneve më të paguara nuk përputhen me përgjegjësitë familjare historikisht të ndara sipas gjinisë 

Personat që përpiqen të anashkalojnë hendekun gjinor në paga shpesh sugjerojnë se gratë që punojnë mjaftueshëm dhe arrijnë majat e fushës së tyre do të korrin plotësisht frytet e punës së tyre. Megjithatë, në realitet hendeku gjinor në paga është më i madh për ato që fitojnë më shumë. Gratë në 5 përqindëshin më të lartë të shpërndarjes së pagave përjetojnë një hendek shumë më të madh në paga sesa gratë me paga më të ulëta. 

Sërish, ky hendek i madh në paga midis fituesve/eve më të mëdhenj/aja është pjesërisht i ndikuar nga paragjykimi gjinor. Ekonomistja e Harvardit, Claudia Goldin (2014), sugjeron se kompanitë me paga të larta kanë praktika që shpërblejnë në mënyrë disproporcionale ata që punojnë orë shumë të gjata dhe në periudha të veçanta. Kjo do të thotë se edhe nëse burrat dhe gratë janë njësoj produktivë, individët—kryesisht burra—që kanë më shumë mundësi të punojnë orë shtesë dhe të jenë në dispozicion jashtë orarit, paguhen më mirë (Hersch dhe Stratton 2002; Goldin 2014; Landers, Rebitzer dhe Taylor 1996). 

Është e qartë pse kjo situatë i dëmton gratë. Normat dhe pritshmëritë shoqërore u ushtrojnë presion grave që të marrin një pjesë disproporcionale të punëve shtëpiake—veçanërisht kujdesin për fëmijët dhe prindërit e moshuar. Kjo e bën veçanërisht të vështirë për to (krahasuar me kolegët e tyre burra) të jenë në dispozicion për punë të dielën në mbrëmje pas një jave me 60 orë pune. Sa më shumë që disponueshmëria për të punuar orë të gjata dhe në periudha të caktuara të bëjë diferencën midis marrjes së një promovimi ose ngecjes në karrierë, aq më të pafavorizuara janë gratë. 

Ky disavantazh krijon rreth vicioz. Imagjinoni një familje ku dy partnerë, burri dhe gruaja, kanë punë me kërkesa të ngjashme. Nëse njëri prej tyre duhet të marrë prioritet kur gjyshi shkon në spital ose kujdestarja e fëmijës sëmuret, ka gjasa që karriera e burrit të favorizohet. Nëse praktikat e pagave të punëdhënësve/eve që kanë dëmtuar gratë më parë kanë krijuar tashmë një hendek në paga për këtë çift, kjo mund të shihet si një zgjedhje “racionale” për të prioritetizuar karrierën e burrit. Kjo rivendosë pritshmërinë se gjithmonë ka kuptim që gratë të marrin përsipër shumicën e punëve shtëpiake, duke thelluar edhe më tej hendekun gjinor në paga.

Profesionet e dominuara nga gratë paguhen më pak, por kjo është një çështje e lidhur me fenomenin “pula apo dhe veza” 

Shumë gra zgjedhin të punojnë në industri me paga të ulëta ku ato dominojnë. Për shembull, kujdestaret shëndetësore mobile janë kryesisht gra. Megjithatë, hulumtimet sugjerojnë se këto zgjedhje janë shpesh të arsyetuara, duke marrë parasysh kufizimet ekzistuese. Kjo ndodh sepse edhe nëse përpiqen të sfidojnë normat gjinore dhe të hyjnë në profesione të dominuara nga burrat, ato zakonisht nuk përfitojnë një rritje domethënëse të pagës. Përjashtimet ekzistojnë, veçanërisht në sektorin publik ose në vende pune me sindikata të forta (Anderson, Hegewisch dhe Hayes 2015). 

Megjithatë, studimet tregojnë se nëse gratë që punojnë në profesione të dominuara nga gratë do të kalonin në profesione të dominuara nga burrat, ato shpesh do të përballeshin me paga të ngjashme ose madje më të ulëta në krahasim me ato që fitonin në profesionet e mëparshme (Pitts 2002). Në këtë kontekst, shumë gra që zgjedhin profesione tradicionale të lidhura me gratë në të vërtetë po maksimizojnë të ardhurat e tyre. Ky trend vlen për shumicën e grave, përveç atyre me arsim më të lartë, të cilat kanë më shumë mundësi të fitojnë më shumë në një profesion të dominuar nga burrat sesa në një profesion tradicionalisht të lidhur me gratë. 

Gjithashtu, hulumtimet tregojnë se nëse një profesion i dominuar nga burrat do të bëhej më i leverdishëm për gratë, ato do të orientoheshin drejt atij profesioni (Pitts 2002). Pra, zgjedhjet e karrierës nuk janë thjesht rezultat i preferencave personale, por ndikohen nga kufizimet gjinore dhe mënyrat e përcaktimit të pagave në të gjitha profesionet.

Për ta bërë situatën edhe më të rëndë, kur gratë hyjnë në një profesion gjithnjë e më shumë, paga mesatare në atë fushë ka tendencë të bjerë në raport me profesionet e tjera. Levanon, England dhe Allison (2009) zbuluan se kur më shumë gra hynin në një industri, paga relative e asaj industrie pas dhjetë vitesh ishte më e ulët. Ky fenomen tregon për një proces zhvlerësimi — ku përqindja e grave në një profesion ndikon në nivelin e pagës për atë industri, pasi puna e kryer nga gratë nënvlerësohet.

Programimi kompjuterik është një shembull ku ka pasur një ndryshim të tillë. I parë si një profesion i përzier, fillimisht shpesh i lidhur me punë sekretaresh, tani është shndërruar në një profesion fitimprurës dhe të dominuar nga burrat (Miller 2016; Oldenziel 1999). Megjithëse programimi kompjuterik është bërë më i ndërlikuar teknikisht në dekadat e fundit, nuk ekziston ndonjë arsye e bazuar në aftësi që justifikon pse kjo fushë duhej të dominohej nga burrat. Kur burrat pushtuan këtë profesion, pagat u rritën. Në të kundërt, kur gratë u bënë roje të parqeve, pagat në atë profesion ranë (Miller 2016). 

Për më tepër, shumë profesione ku pagat përcaktohen në mënyrë të padrejtë nga tregu, por që ofrojnë përfitime të jashtëzakonshme sociale kur kryhen me cilësi të lartë, dominohen nga gratë. Shembujt kryesorë përfshijnë punonjësit/et e kujdesit shëndetësor që kujdesen për të moshuarit, mësuesit/et dhe edukatorët/et e fëmijëve. Nëse mbyllja e hendekut gjinor në paga do të ndihmonte në rritjen e pagave dhe profesionalizmit në këto sektorë thelbësorë, kjo do të përbënte një fitore të madhe si për ekonominë, ashtu edhe për shoqërinë.

Përfundim

Hendeku gjinor në paga ekziston—dhe dëmton gratë në të gjitha fushat. Shpeshherë supozohet se ky hendek nuk përfaqëson një formë diskriminimi, por është thjesht një devijim statistikor që vjen nga dështimi për të marrë parasysh faktorë që mund të ndikojnë në ndryshimet e të ardhurave mes burrave dhe grave. Megjithatë, këta faktorë—veçanërisht dallimet profesionale mes burrave dhe grave—janë vetë produkt i paragjykimeve gjinore. Përpjekjet serioze për të kuptuar hendekun gjinor në paga nuk duhet të përqendrohen në fajësimin e grave për faktin se nuk fitojnë më shumë. Përkundrazi, ato duhet të shqyrtojnë se ku ekonomia jonë ofron mundësi të pabarabarta për gratë në çdo fazë të arsimit, trajnimit dhe zgjedhjeve të karrierës.

Jessica Schieder dhe Elise Gould

Përktheu: Riola Morina

Raportin origjinal mund ta gjeni këtu.

Përkthimi i këtij artikulli është mbështetur nga Ambasada Holandeze përmes projektit “Fuqizimi i Grave në Treg të Punës”, i cili zbatohet nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore dhe QIKA.