Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lexime

Të bëhesh grua: Simone de Beauvoir mbi mishërimin e femërores

QIKA 15.8.2023

Grua nuk lind, bëhesh” – Simone de Beauvoir

Në përgjithësi për ekzistencialistët, njeriu lind si asgjë: gjithçka që jemi është rezultat i zgjedhjeve tona, meqë ne e ndërtojmë veten nga burimet tona dhe ato që na ofron shoqëria. Ne jo vetëm që i krijojmë vlerat tona; ne krijojmë vetveten. Simone de Beauvoir, ndonëse një ekzistencialiste e betuar gjatë gjithë jetës, ajo i vendos kufij kësaj ideje ekzistencialiste qendrore të vetëkrijimit dhe vetëpërkufizimit, që mundëson lirinë absolute të cilën Jean-Paul Sartre e parashtroi tek Qenia dhe Hiçi. Për dallim, de Beauvoir parashtron një pamje të paqartë të lirisë njerëzore, në të cilën gratë luftojnë kundër disavantazheve të dukshme të trupit femëror.

Tek Seksi i Dytë, vepra e saj më e famshme, de Beauvoir skicon një lloj historie ekzistenciale të jetës së një gruaje: një histori se si qëndrimet e një gruaje ndaj trupit dhe funksioneve trupore ndryshojnë me kalimin e viteve dhe se si shoqëria ndikon në këto qëndrime. Këtu de Beauvoir ngre pyetjen thelbësore të mishërimit femëror: A janë disavantazhet e supozuara të trupit të femrës, disavantazhe aktuale që ekzistojnë objektivisht në të gjitha shoqëritë, apo ato thjesht gjykohen si disavantazhe nga shoqëria jonë? Ajo i përgjigjet kësaj pyetjeje duke eksploruar raste studimore të fazave të ndryshme të jetës femërore. Në këto raste studimore trupi femëror paraqitet sa pozitiv ashtu edhe negativ, dhe gratë si të shtypura dhe të lira. Trupi i një gruaje është vendi i kësaj paqartësie, sepse ajo mund ta përdorë atë si një mjet për lirinë e saj dhe të ndihet e shtypur prej tij. Nuk ka asnjë të vërtetë thelbësore për këtë çështje: kjo varet nga shkalla në të cilën një grua e sheh veten si një subjekt i lirë dhe jo si objekt i gjykimit të shoqërisë.

Sartre vërejti se çdo gjë që ne perceptojmë, duke përfshirë njerëzit e tjerë, përkthehet si “objekt” për shikimin tonë dhe përcaktohet nga ne. De Beauvoir e merr këtë ide dhe e zbaton atë në perceptimin e burrave për gratë. Vetë koncepti i “gruas”, argumenton de Beauvoir, është një koncept mashkullor: gruaja është gjithmonë “tjetra” sepse mashkulli është “shikuesi”: pra ai është subjekti dhe gruaja objekti – kuptimi i asaj se çka do të thotë të jesh një grua, jepet pikërisht nga burrat.

De Beauvoir argumenton se nuk është gjendja biologjike e gruas në vetvete ajo që krijon barriera: është mënyra se si një grua e interpreton këtë gjendje që e bën atë pozitive ose negative. Asnjë nga përvojat unike femërore – zhvillimi i organeve seksuale femërore, menstruacionet, shtatzënia, menopauza – nuk kanë kuptim në vetvete; por në një shoqëri armiqësore/shtypëse ato marrin kuptimin e të qenurit barrë dhe disavantazh, pasi gratë arrijnë të pranojnë kuptimet që një shoqëri patriarkale u jep atyre.

De Beauvoir thekson se djemtë dhe vajzat para adoleshencës nuk janë vërtet shumë të ndryshëm: ata “kanë të njëjtat interesa dhe të njëjtat kënaqësi” (The Second Sex, f. 295, Translation and Ed, H.M. Parshley, Vintage, 1997). Nëse dallimet fillestare psikologjike midis djemve dhe vajzave të reja janë relativisht të parëndësishme, çfarë i bën që ato të bëhen të rëndësishme pas një kohe? Nëse dikush “bëhet” grua, si ndodh kjo “bërje”?

Mishërimi dhe Femërorja

De Beauvoir argumenton se përderisa zhvillohet trupi i një vajze, çdo fazë e re përjetohet si traumatike dhe e kufizon atë gjithnjë e më ashpër nga seksi i kundërt. Trupi i një vajze piqet e shoqëria reagon në një mënyrë gjithnjë e më armiqësore dhe kërcënuese ndaj saj. De Beauvoir flet për procesin e “mishërimit”, i cili është procesi në të cilin njeriu e përjeton veten si trup seksual i cili ekspozohet ndaj shikimit të tjetrit. Kjo nuk është domosdoshmërisht një e gjë e keqe; por për fat të keq, kjo bëhet mizori kur vajzat e reja shpesh detyrohen të mishërohen kundër vullnetit të tyre:

Vajza e re ndjen se trupi po i vidhet… në rrugë burrat e ndjekin me sy dhe komentojnë për anatominë e saj. Ajo do të donte të ishte e padukshme; mishërimi e tremb” (f.333).

Ka shumë më tepër ngjarje të tilla në jetën e një vajze, të cilat përforcojnë besimin se është fat i keq të lindësh në një trup femëror. Trupi i femrës është një shqetësim, një dhimbje, një siklet, një problem për t’u përballur, i shëmtuar, i sikletshëm etj. Edhe nëse një vajzë përpiqet të harrojë se ka një trup femëror, shoqëria nuk harron t’ia kujtojë. De Beauvoir jep disa shembuj për këtë: nëna që kritikon shpesh trupin dhe qëndrimin e vajzës së saj, duke e bërë atë të ndihet e vetëdijshme mbi trupin; burrat në rrugë që bëjnë komente seksuale mbi trupin e një vajze të re, duke e bërë të turpërohet; dhe sikleti i një vajze pasi të afërmit meshkuj bëjnë shaka për menstruacionet e saj.

Megjithatë, de Beauvoir jep edhe shembuj pozitiv mbi trupin femëror. Ajo na tregon se ka situata në të cilat vajzat e reja mund të ndjehen rehat në trupin e tyre – në fakt, jo vetëm rehat, por të hareshme dhe krenare. Imagjinoni një vajzë që kënaqet duke ecur në fusha dhe pyje, duke ndjerë një lidhje të thellë me natyrën. Ajo ka një ndjenjë të madhe lumturie dhe lirie në trupin e saj, të cilën nuk e ndjen në një mjedis shoqëror. Në natyrë nuk ka meshkuj që ta shikojnë trupin, nuk ka nëna që ta kritikojnë atë. Ajo nuk e sheh më veten me sytë e të tjerëve dhe kështu më në fund është e lirë të përcaktojë trupin e saj për vetveten.

Por, arratisja e përhershme në natyrë është e pamundur. Të jesh pjesë e shoqërive patriarkale do të thotë t’i nënshtrohesh disa ngjarjeve traumatike, e ndër to është edhe kontakti i parë seksual. Marrëdhëniet seksuale janë fizikisht më traumatike për vajzat, meqë përfshinë penetrimin dhe shpesh (por jo gjithmonë), dhimbje. Kulturalisht është më traumatike sepse vajzat i mbajnë në një situatë të vazhdueshme injorance mbi seksin dhe shpesh janë të papërgatitura për atë që do të vijë. Madje kulturalisht, ka disa teknika të marrëdhënieve seksuale që mbizotërojnë, të cilat mund të mos jenë ideale për kënaqësinë dhe orgazmën femërore (për shembull, mashkulli në pozitën në krye). De Beauvoir thekson se edukimi seksual i vajzave priret të jetë kryesisht i llojit “romantik”, i cili thekson periudhën e miqësisë dhe kënaqësinë e përkëdheljeve të buta, por asnjëherë depërtimin. Kështu, kur më në fund ndodh seksi, duket një botë larg fantazive romantike me të cilat është rritur një vajzë. De Beauvoir vëren se për të renë e tronditur “dashuria merr aspektin e një operacioni kirurgjik” (f.404).

Në fund të fundit, a është vetë depërtimi biologjik që shkakton shqetësimin, apo është injoranca e krijuar nga kultura e grave të reja? De Beauvoir mendon se faktet biologjike nuk duhet të jenë traumatike: shqetësimi është për shkak të mungesës së bujarisë në sjelljen seksuale të burrit, e kombinuar me frikën e gruas për t’u objektivizuar përpara një vështrimi agresiv seksual. Ajo sugjeron se rruga për një eksperiencë seksuale më pozitive për të dyja gjinitë është nëpërmjet sjelljes së secilit partner në “bujari erotike” ndaj tjetrit, sesa në sensualizëm egoist.

Përvoja e shtatzënisë ka imazh më pozitiv, por ende qëndron e paqartë për gratë: mund të jetë njëkohësisht një pushtim i padrejtë i trupit të saj ose një eksperiencë e mrekullueshme. Përderisa shtatzënia e një gruaje zhvillohet, shoqëria priret ta konsiderojë atë më pak tërheqëse seksualisht, si jo më të disponueshme seksualisht. Kjo do të thotë se ajo i shpëton përkohësisht shikimeve seksuale të mashkullit. Ky është një zhvillim pozitiv për një grua, argumenton de Beauvoir, sepse “tani ajo nuk është më në shërbim si objekt seksual, por është mishërimi i qenies së saj, ajo përfaqëson premtimin e jetës, të përjetësisë” (f.518).

Po kur një grua plaket? Gruaja e moshuar përshkruhet nga de Beauvoir si dikush “që synonte të luftonte kundër një fatkeqësie që po e shpërfytyronte dhe e deformonte në mënyrë misterioze” (f.595). Ky është një përshkrim shumë negativ i procesit të plakjes. Ajo tingëllon si një reklame kozmetike që u bën presion grave të blejnë produktet e tyre për të luftuar kundër kohës. Sidoqoftë, përshkrimi i de Beauvoir është një përshkrim i sinqertë. Ne e dimë nga shkrimet e saj autobiografike se ajo me të vërtetë luftoi të pajtohej me trupin e saj të plakur: i pëlqenin rrobat, konsiderohej tërheqëse dhe ndihej e mërzitur kur mendonte se po humbiste “shkëlqimin” e saj. Megjithatë, si filozofe, ajo ishte në gjendje të tërhiqej dhe të shihte se ky qëndrim ishte për shkak të një vlere të tepruar të vendosur nga shoqëria ndaj fenomeneve të tilla kalimtare. Ajo tashmë e kishte pranuar përkufizimin e shoqëror mbi vlerat e saja si qëndrim personal.

De Beauvoir pranon se teksa një grua këmbëngul gjatë plakjes, ajo mund ta gjejë veten në një fazë më pozitive gjatë jetës: “Gratë mund të rezistojnë ndaj modës dhe ndaj mendimit se ‘çfarë do që të thonë njerëzit’, ajo është e çliruar nga shoqëria, detyrimet, dieta dhe kujdesi për bukurinë e saj” (f.595). Pra, megjithëse pleqëria ka shumë aspekte negative, ajo mund të sigurojë një lloj shpëtimi nga presioni i shoqërisë. Dëshira për t’u përshtatur bllokohet dhe liria rritet. Qëllimi i De Beauvoir është të tregoj se liria ka nevojë për hapësirë për të lëvizur. Në rastin e mishërimit femëror, shpesh nuk ka vend për gratë që vërtet ato “të shohin trupat e tyre përmes shikimit të tyre”, pasi vështrimi mashkullor përshkon kudo.

Hapësirat e lirisë

Ndërthurja e trupit dhe mendjes ndihmon në shpjegimin e shtypjes së grave. Gratë nuk zgjedhin të mendojnë negativisht për trupin dhe proceset e tyre trupore; përkundrazi ato janë të detyruara ta bëjnë këtë si rezultat i përfshirjes në një shoqëri patriarkale armiqësore. Nga ky këndvështrim, trupi nuk është veç diçka materiale, ai formohet nga një bollëk perceptimesh: nëse ndihemi keq për të, ai bëhet një “gjë e keqe”; nëse ndihemi mirë me të, bëhet një “gjë e mirë”. Por mënyra se si ne mendojmë për këtë nuk është çështje e zgjedhjes së lirë, përveç nëse jetojmë në një shoqëri që i jep hapësirë asaj lirie. Ajo që synojnë të bëjnë filozofët feministë si de Beauvoir është të krijojnë hapësira për lulëzimin e kësaj lirie.

Felicity Joseph

E përktheu: Medinë Dauti

Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://philosophynow.org/issues/69/Becoming_A_Woman_Simone_de_Beauvoir_on_Female_Embodiment