Pasi Javier Milei u zgjodh president, kërcënimet për sigurinë time më detyruan të mërgoja. Kam frikë nga rritja e ekstremizmit antifeminist.
Vrasja e 14 vjeçares Chiara Paez, nga i dashuri i saj, në maj të vitit 2015 nxiti zemërim mbarëkombëtar në Argjentinë. ‘A nuk do të bëjmë asgjë?’, pyeti gazetarja Marcela Ojeda. Dhe ne bëmë diçka. Më 3 qershor, organizuam marshimin e parë të grave kundër rasteve të femicidit, Ni Una Menos (Asnjë më pak).
Marshi kontribuoi në ndërgjegjësimin global në luftën kundër dhunës me bazë gjinore. Lëvizja Ni Una Menos u shpërnda në Peru, Uruguai, Itali dhe Gjermani, ndër të tjerash. Në Brazil dhe Meksikë, protestat dhe hashtagu #MiPrimerAcoso (Ngacmimi im i parë) morën hov.
Perëndimi ndoqi shembullin. Në vitin 2017, #MeToo shpërtheu, dy vjet pas Ni Una Menos. Revolucioni i grave të Argjentinës e mësoi rezistencën nga nënat dhe gjyshet e Plaza de Mayo, të cilat kërkonin kthimin e fëmijëve dhe nipërve të tyre të rrëmbyer nga diktatura që sundoi Argjentinën nga viti 1976 deri në 1983, dhe luftën e tyre për të drejtat e njeriut kundër këtij regjimi. Shumë nga ato gra u detyruan të largoheshin nga Argjentina dhe pas largimi e kuptuan se do të duhej të luftonin për të drejtat e tyre edhe në Evropë.
Por vendi që udhëhoqi luftën për të drejtat e grave në Amerikën Latine tani po përballet me një sfidë ekstreme, mizogjene, dhe unë isha e detyruar të largohesha nga vendi im. Që kur Javier Milei mori detyrën në dhjetor 2023, qeveria e tij po përdor strategji tronditëse që plaçkit burimet natyrore, sulmon drejtësinë shoqërore, shpërndan shtetin dhe gërryen të drejtat e grave dhe diversitetin seksual. Sulmet ndaj feminizmit që mundëson ky mjedis janë një nga problemet më të mëdha për Argjentinën. Është gjithashtu një problem shumë serioz për gjithë Amerikën Latine dhe për gratë në perëndim, sado larg të jenë.
Vlera më e madhe e feminizmit nuk është thjesht promovimi i lirisë seksuale, fushata kundër hendekut të pagave dhe ndalimi i dhunës seksuale. Fuqia e feminizmit qëndron në aftësinë për të transformuar peizazhin politik të një bote të mbytur. Nuk ka të bëjë vetëm me atë që është arritur, por me faktin që dëshmon se veprimi kolektiv mund ti arrij të gjitha. Feminizmi transformon, përbashkon dhe rigjallëron. Feminizmi është shpresë dhe kjo e bën atë armik të neofashizmit, i cili ndan, individualizon dhe shtyp.
Dhe kështu, në më pak se një muaj pas marrjes së pushtetit, qeveria e Mileit mbylli Ministrinë e Grave, Gjinisë dhe Diversitetit, duke i reduktuar dukshëm politikat kundër dhunës me bazë gjinore thjesht në një dekorim burokratik dhe duke vënë në rrezik të drejtën për abortin ligjor, të sigurt dhe falas, i cili u fitua në vitin 2020. Milei ka folur kundër feminizmit dhe ka abuzuar verbalisht me gratë, deri në atë pikë sa një gazetare u detyrua të largohej nga një program i drejtpërdrejtë televiziv pasi ai i tha: “Mund të marr një armë 9 milimetërshe dhe të ta vendos në kokë”.
Sigurisht, gratë latine vazhdojnë të mësojnë nga ato në perëndim. Makthi argjentinas duket si një version i jetës reale i serialit apokaliptik britanik Years and Years, me një grua – në rastin e Argjentinës, zëvendëspresidentja Victoria Villarruel kundër abortit – në krye për të zbutur imazhin e llojit të autoritarizmit regresiv që haset edhe në El Salvador, Itali dhe Hungari.
Më kujton gjithashtu librin e guximshëm të Laura Bates, Men Who Hate Women, i cili përshkruan saktësisht strategjitë që Milei aplikoi për të shpërlarë të rinjtë e zemëruar që luajtën rol vendimtar në fitoren e tij elektorale. Këta njerëz shpallin armik këdo që denoncon abuzimet, përdhunimet, ngacmimet apo shqetësimet. Rrjedhimisht, gazetaret, shkrimtaret dhe aktivistet feministe u bënë objektiva kryesore e sulmeve të tyre. Gati tre të katërtat e gazetareve gra në mbarë botën që iu përgjigjën një sondazhi të UNESCO-s në vitin 2020 kishin përjetuar dhunë në internet, duke përfshirë kërcënime me vdekje, abuzim përmes pamjeve dhe kërcënime për dhunë seksuale. Na duan ose të heshtura ose të vdekura.
Feminizmi në Argjentinë nuk është zhdukur, por është nën sulm. Prandaj më është dashur të largohem nga vendi, pas kërcënimeve, censurës, heshtjes dhe pengimit të punës dhe të ardhurave të mia nga mbështetësit e Mileit. “Ti meriton të jesh e radhës”, komentoi dikush në postimin tim në Instagram, kur shpërndava artikullin tim për kontrollin e armëve për shkak të rasteve të shumta të femicidit. Nuk jam larguar për të heshtur, por për të vazhduar të shkruaj. Dhe nuk jam larguar përgjithmonë. Nuk është personale, është politike.
Gratë në Amerikën Latine kanë nevojë që gratë në perëndim të punojnë me ne për t’i dhënë fund kësaj shtypjeje të dhunshme. Lexoni veprat e autoreve/ëve, aktivisteve/ëve, shkrimtareve/ëve dhe gazetareve/ëve latine/ë, ndiqni ata në rrjetet sociale, shpërndani përmbajtjen e tyre dhe mbështesni fjalët e grave tona, që dhuna të mos na heshtë e dhuna ekonomike të mos na e vjedhë sërish zërin. Liria jonë nuk mund të zhbëhet. As fjalët tona nuk munden.
Luciana Peker
E përktheu: Blenda Asllani
Shkrimin original mund t’a gjeni në: