Në minutat e fundit të një pasditeje të së premtes, erdhi një kërkesë nga një klient drejtuar kompanisë konsulente të mirënjohur. E para që vullnetarisht e ofroi kohën, ishte menaxherja grua. Ajo, tashmë kishte kaluar gjithë ditën duke u takuar me kolegët e saj të rinj, të cilët kishin nevojë për këshillime në karrierë, edhe pse nuk ishin pjesë e ekipit të saj. Në fillim të javës kishte trajnuar disa nga të rekrutuarit e rinj, kishte ndihmuar një koleg të përmirësoj një prezantim, dhe kishte rënë dakord të planifikoj festën e zyrës para pushimeve. Kur kishte ardhur koha për rishqyrtimin e saj për pozitën e partneres, rezultati i saj i qartë si lojtare skuadre, e kombinuar me performancën e saj të shkëlqyeshme, duhet ta kishte bërë atë një fituese. Në vend të kësaj, promovimi i saj u vonua për gjashtë muaj, dhe më pas një vit.
Ky është realiteti i hidhur në shumë vende të punës anembanë botës: gratë ndihmojnë më shumë, por përfitojnë më pak. Në linjë me stereotipet gjinore të rrënjosura thellë, ne presim që burrat të jenë ambiciozë dhe të orientuar drejt rezultateve, dhe gratë të jenë të kujdesshme dhe të shoqërueshme. Kur një burrë ofron ndihmë, ne e lavdërojmë dhe e shpërblejmë. Por, kur një grua ndihmon ne ndihemi më pak borxhli. Është e shoqërueshme apo jo? Dëshiron të jetë pjesë e ekipit? Edhe e kundërta është e vërtetë. Kur një grua refuzon t’i ndihmoj një kolegu, njerëzit e pëlqejnë më pak dhe karriera e saj do të vuaj. Por, kur një burrë thotë jo, ai nuk përballet me reagime. Një burrë që nuk ndihmon është i “zënë” ndërsa një grua është “egoiste”.
Në një studim të udhëhequr nga psikologia e Universitetit të Nju Jorkut, Madeline Heilman, pjesëmarrësit vlerësuan performancën e një punonjësi, burrë ose grua, që qëndroi ose nuk qëndroi vonë për të ndihmuar kolegët të përgatiteshin për një takim të rëndësishëm. Për qëndrimin vonë dhe për të ndihmuar, një burrë u vlerësua 14 për qind më favorshëm se një grua. Kur të dyja palët refuzuan, një grua u vlerësua 12 për qind më pak se një burrë. Pas dhënies së ndihmës identike, një burrë kishte shumë më shumë gjasa të rekomandohej për ngritje në detyrë, projekte të rëndësishme, ngritje të pagës dhe shpërblime. Një grua duhej të ndihmonte vetëm për të marrë të njëjtin vlerësim si një burrë që nuk ndihmoi.
Jo shumë kohë më parë, një drejtuese e lartë grua që ne e njohim, ishte ulur në një mbledhje bordi pranë disa kolegëve të rinj meshkuj, kur kryetari i bordit i kërkoi asaj t’i sillte një pije.
Profesorja e Harvardit, Rosabeth Moss Kanter, vërejti se gratë bëjnë pjesën më të madhe të “punëve të shtëpisë së zyrës” – detyra administrative që ndihmojnë, por nuk paguhen.
Dikush duhet të mbajë shënime, të shërbejë në komitete dhe të planifikojë mbledhje – dhe ashtu njëjtë, siç ndodh me punët e shtëpisë në shtëpi, dikush është zakonisht një grua.
Joan C. Williams, një profesore në Kolegjin Juridik të Hastings të Universitetit të Kalifornisë, zbulon se gratë profesioniste në biznes, drejtësi, dhe shkencë ende pritet të sjellin biskota, t’u përgjigjen telefonatave dhe të mbajnë shënime. Këto aktivitete nuk humbin vetëm kohë të vlefshme; ato gjithashtu bëjnë që gratë të humbasin mundësitë. Personi që mban shënime me kujdes në takim, pothuajse kurrë nuk e thotë vendimin e fundit.
Kur burrat ndihmojnë, ata kanë më shumë gjasa ta bëjnë këtë në publik, ndërsa gratë ndihmojnë më shumë në prapaskenë. Studimet tregojnë se burrat kanë më shumë gjasa të kontribuojnë me sjellje të dukshme – si paraqitja në takime universitare – ndërsa gratë angazhohen më privatisht
në aktivitete që kërkojnë kohë, si ndihmimi e të tjerëve dhe mentorimi i kolegëve. Siç vuri në dukje profesori i menaxhimit të Kolegjit Simmons, Joyce K. Fletcher, kontributet shoqërore të grave priren thjesht të “zhduken”.
Të kesh ndihmën e njerëzve, si në prapaskenë ashtu edhe në publik, është thelbësore për sukses organizativ. Hulumtimet tregojnë se ekipet me sjellje më të madhe ndihmëse arrijnë fitime, shitje, cilësi, efektivitet, të ardhura dhe kënaqësi më të madhe të klientit. Por të bësh punë të stërngarkuar mund të ketë një çmim psikologjik. Në një analizë të 183 studimeve të ndryshme që përfshinin 15 vende dhe dhjetëra profesione, gratë kishin shumë më shumë gjasa të ndiheshin të rraskapitura emocionalisht. Në përpjekjen e tyre për t’u kujdesur për të tjerët, gratë shpesh sakrifikojnë veten. Për çdo 1000 njerëz në punë, 80 gra më shumë se burra digjen – kryesisht sepse nuk arrijnë të sigurojnë maskat e tyre të oksigjenit përpara se të ndihmojnë të tjerët.
Ashtu siç duhet të ribalancojmë punët e shtëpisë dhe kujdesin ndaj fëmijëve në shtëpi, ne gjithashtu duhet të barazojmë dhe vlerësojmë “punët e shtëpisë” në zyrë. Kjo do të thotë fillimisht të pranosh çekuilibrin dhe më pas ta korrigjosh atë.
Shumica e organizatave bëjnë vlerësimin e rregullt të arritjeve individuale. Pse të mos evidentoni edhe aktet e ndihmës? Caktimi i detyrave të përbashkëta në mënyrë të barabartë, në vend që të varen nga vullnetarët, mund të sigurojë gjithashtu që puna mbështetëse të ndahet, vërehet dhe vlerësohet.
Për gratë, ndryshimi më i rëndësishëm fillon me një ndryshim në mentalitet: Nëse duam të kujdesemi për të tjerët, duhet të kujdesemi edhe për veten. Një nga kolegët tanë, Adam, ka kryer dhe rishikuar studime të shumta, që tregojnë se gratë (dhe burrat), arrijnë performancën më të lartë dhe përjetojnë rraskapitje më të ulët, kur i japin përparësi nevojave të tyre së bashku me nevojat e të tjerëve. Duke vënë shqetësimin për veten në të njëjtin nivel me shqetësimin për të tjerët, gratë mund të ndihen më pak altruiste, por ato janë në gjendje të fitojnë më shumë ndikim dhe të mbajnë më shumë energji. Në fund të fundit, ato mund të japin më shumë.
Në firmën e konsulencës, menaxherja grua që u transferua pas promovimit në detyrë gjeti mënyra më efikase për të ndihmuar. Në vend që të takohej një me një me dhjetëra kolegë të rinj, ajo filloi të ftonte të mentoruarit për dreka në grup. Kjo kurseu kohën e saj dhe krijoi një rrjet mbështetës për ta për të ndihmuar njëri-tjetrin. Në vend që t’i kushtonte shumë kohë telefonatave me pyetje të shumta, ajo shkroi një manual me Pyetjet më të Shpeshta dhe e ndau atë me kolegët. Dhe kur klientët bënin kërkesa të paarsyeshme, në vend që të thoshte se ishte shumë e zënë, ajo shpjegonte se kjo do ta shtynte ekipin e saj të kalonte në pikën e thyerjes. Duke shpjeguar se po mbronte të tjerët, ajo ishte në gjendje të thoshte jo, por ende dukej se po jepte dhe kujdesej. Pasi bëri këto ndryshime, ajo u promovua në pozitën e partneres.
Burrat mund të ndihmojnë në zgjidhjen e këtij problemi duke ngritur zërin. Në artikullin tonë të mëparshëm, kemi vërejtur se burrat e kanë zakon të dominojnë takimet dhe të ndërpresin gratë duke folur. Në vend që të mos flasin, burrat mund të përdorin zërin e tyre për të tërhequr vëmendjen te kontributet e grave. Burrat gjithashtu mund t’i ndihmojnë kësaj çështje duke bërë pjesën e tyre të punës së kujdesit dhe këshillimit. Në një ngjarje të fundit që morëm pjesë, 30 shefa ekzekutivë u mblodhën rreth një tavoline darke për një bisedë rreth mbylljes së hendekut gjinor. Me një përzierje të barabartë të burrave dhe grave në dhomë, ne prisnim që “punët e
shtëpisë” së zyrës t’i takonin një gruaje. Por i vetmi person që mbajti shënime gjatë gjithë kohës ishte themeluesi i Virgin Group, Richard Branson.
“Duke u munduar të bësh mirë gjen keq”. Nuk duhet të jetë kështu. Të gjithë ne mund të përfitojmë duke inkurajuar si burrat, ashtu edhe gratë për të ndihmuar, dhe t’i shpërblejmë në mënyrë të barabartë kur e bëjnë këtë.
Adam Grant dhe Sheryl Sandberg
E përktheu: Bardha Nikoliqi
Artikullin e plotë mund ta gjeni këtu.