Hulumtimi i grupit ‘End Sexism in Schools’ zbuloi se gratë janë kryesisht të përjashtuara nga historia që mësohet gjatë tre viteve të para të arsimit të mesëm në Angli.
Informacionet zyrtare mbi përmbajtjen e mësimeve, të dërguara nga shkollat e mesme, zbuluan se 59% e orëve të historisë nuk i përmendnin fare gratë, ndërsa vetëm 12% ishin të përqendruara tek gratë dhe 29% i përmendnin ato brenda temave të tjera, raporton the Guardian.
Raporti zbuloi se edhe kur gratë përmendeshin, ato ishin më shpesh viktima sesa protagoniste.
Grupi argumenton se nxjerrja në pah e grave të injoruara ose të neglizhuara në histori – si Johanna Ferrour, një udhëheqëse e Kryengritjes së Fshatarëve të vitit 1381 – do të ndihmonte në luftimin e mizogjinisë në klasë.
Debbie Brazil, themeluese e End Sexism in Schools, tha: “Është thelbësore që studentët të kuptojnë se gratë në histori nuk janë një temë e veçantë, por se jetët e grave janë pjesë e historisë. Një kurrikulë përfaqësuese është një çështje e saktësisë historike dhe e një edukimi të drejtë. Pa të, ne jo vetëm që po injorojmë gjysmën e popullsisë, por po mësojmë një version të rremë të së kaluarës”.
Gjithashtu, ky grup hulumtues kërkon që Departamenti i Arsimit të ndryshojë kurrikulën kombëtare, në mënyrë që roli i grave të mësohet si pjesë e temave kryesore, dhe që të bashkëpunojë me bordet e provimeve për të rritur numrin e grave të përmendura me emër në të gjitha periudhat historike.
“Bordet e provimeve duhet të rrisin numrin e grave që janë fokusi kryesor i pyetjeve dhe skemave të vlerësimit. Po ashtu, pyetjet duhet të shkruhen me gjuhë përfshirëse dhe skemat e vlerësimit duhet të shpërblejnë në mënyrë të qartë diskutimin e balancuar të kontributeve të burrave dhe grave. Burimet primare nga gratë dhe idetë historike të zhvilluara nga gratë duhet të jenë të pranishme në mënyrë të dukshme”, shkruan në raport.