Ndalimet e rrepta kundër abortit nuk ndalojnë gratë dhe vajzat të kryejnë aborte; veçse i detyrojnë ato që të kryejnë aborte të pasigurta, duke i vënë jetën dhe shëndetin e tyre në rrezik.
Nga mesi i nëntorit, një linjë e qeverisë së Paraguajit mori një raport rreth një abuzimi seksual të dyshuar ndaj një vajze 13 vjeçare në një komunitet afër kufirit të Brazilit. Rasti iu dorëzua Rosel Echeguren, një avokate në zyrën qeveritare për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve të Paraguajit.
Echeguren iu tha Human Rights Watch se anëtarët e komunitetit kishin vërejtur se vajza kishte filluar të veshte një brez. Ajo shkoi të shihte vajzën dhe e dërgoi në spital, ku doktorët konfirmuan shtatzëninë e saj. Vajza tha se kishte heshtur nga frika.
Autoritetet hapën një hetim kriminal rreth abuzimit seksual dhe udhëheqësit e komunitetit mundësuan që vajza të largohet nga shtëpia e saj. Që atëherë disa psikologë e kanë intervistuar atë. Mirëpo Echergugen tha se askush nuk e ka bërë një pyetje mjaft të rëndësishme: se a dëshiron ajo të vazhdojë shtatzëninë. Ajo tha se arsyeja ishte ligji i rreptë i Paraguajit rreth abortit.
Në Paraguaj, aborti është ligjor vetëm kur mund të shpëtohet jeta e personit shtatzënë. Gratë dhe vajzat janë të detyruara të vazhdojnë shtatzëni të padëshiruara edhe në raste përdhunimi apo incesti, shtatzëni që paraqesin rreziqe shëndetësore serioze – por jo kërcënuese për jetën dhe shtatzëni në të cilat fetusi nuk ka shpresa që të mbijetojë jashtë mitrës. Ky është njëri nga ligjet më kufizuese në Amerikën Latine.
Ky përjashtim i vogël nuk është i mjaftueshëm për të mbrojtur jetë, aq më pak shëndetin dhe dinjitetin e vajzave. Hulumtime nga Human Rights Watch në rajon tregojnë se ndalimet e rrepta ndaj abortit nuk ndalojnë që gratë dhe vajzat të kryejnë aborte; ato vetëm i detyrojnë që të kenë aborte të pasigurta, duke i vënë jetët dhe shëndetin e tyre në rrezik.
Në 2018 një vajzë 14 vjeçare nga Paraguaji, që kishte mbetur shtatzënë si pasojë e një përdhunimi seksual nga një burrë 37 vjeçar, vdiq derisa doktorët bënin një prerje urgjente cezariane, duke u munduar që të shpëtonin atë dhe foshnjën. Ajo tashmë kishte kaluar disa javë në spital për shkak të komplikimeve të shtatëzanisë. Organizata Botërore e Shëndetit (WHO) ka raportuar se vajzat mes moshës 10 dhe 14 përballen me një rrezik shumë më të lartë të komplikimeve dhe vdekjes si rezultat të shtatëzanisë se sa vajzat më të moshuara.
Të dhënat nga Ministria e Shëndetit të mbledhura nga Koordinatori për të Drejtat e Fëmijëve dhe Adoleshentëve dhe nga një koalicion i organizatave joqeveritare të Paraguajit, tregojnë se që nga viti 2013, mesatarisht 2 vajza në ditë të moshave 10 deri në 14 në Paraguaj kryejnë lindje, edhe pse sipas ligjit te tyre, marrëdhëniet seksuale me fëmijë nën moshën 14 vjeçare konsiderohen përdhunim. Amnesty International gjatë vitit të kaluar raportoi se Paraguaji nuk ka një sistem të duhur për të ndaluar dhunën seksuale dhe për të mbrojtur viktimat.
Vajzat dhe gratë në Paraguaj janë posaçërisht në rrezik sepse, ashtu si Komuniteti i UN mbi Eliminimin e Diskriminimit ndaj Grave veçoi në vitin 2017, në mënyrë disproporcionale ato janë të ndikuara nga varfëria, përjetojnë diskriminim, dhe kanë vështirësi që të gjejnë kujdes shëndetësor, edukim dhe punë .
Çfarëdo vendimi rreth shtatzënisë që të ketë marrë viktima 13 vjeçare e përdhunimit seksual, ajo do duhej që të kishte opsionin që t’i japë fund shtatzënisë në mënyrë të sigurt dhe ligjore. Çdo vit, qindra vajza si ajo vuajnë, shpesh në heshtje nga frika, të privuara nga informacioni dhe fuqia mbi trupin dhe jetën e tyre. Këto janë pasojat brutale të ligjit të padrejtë të Paraguajit.
Paraguaji duhet të dikriminalizojë abortin. Duke lejuar përjashtimet edhe më të vogla dhe përveç kësaj duke mbrojtur jetën e personit, do të shpëtonte jetë dhe do të mbronte shëndetin e dinjitetin e tyre. Është thelbësore që të paktën mjekët të lejohen, me pëlqimin e plotë të pacientit, t’i japin fund një shtatzënie si pasojë të përdhunimit apo incestit, kur dihet se fetusi nuk do të mbijetojë pas lindjes, ose kur është e nevojshme për të mbrojtur shëndetin e një gruaje. Autoritetet e Paraguajit duhet të veprojnë tani, para se më shumë vajza dhe gra të vuajnë pa pasur nevojë.
Tamara Taraciuk Broner dhe Santiago Menna
Ky artikull është përkthyer nga Mira Asllani në kuadër të programit Bashkohu me QIKA.