Në janar 2021, Salma al-Shehab, një studente saudite 36 vjeçare në Universitetin Leeds, u arrestua gjatë pushimeve në Arabinë Saudite për disa postime në Twitter në mbështetje të të drejtave të grave saudite. Ajo u mbajt në izolim për më shumë se 9 muaj para se të dilte para Gjykatës së Specializuar Penale të Arabisë Saudite.
Al-Shehab u dënua fillimisht me tre vjet burg “për shkaktim të trazirave publike dhe destabilizim të sigurisë civile dhe kombëtare”. Fillimisht, Gjykata e Apelit dënoi al-Shehab me 6 vjet, më pas dënimi u rrit në 34 vjet në burg dhe 34 vjet ndalesë për të udhëtuar, pastaj u redaktua në 27 vjet dhe së fundmi në 4 vjet, raporton The Guardian.
Amnesty International tha se “krimi” i saj nuk ishte asgjë më shumë se një postim në mbështetje të të drejtave të grave saudite. Në marsin që shkoi u nënshkrua një letër e hapur nga më shumë se 300 akademikë, studentë dhe punonjës në Universitetin e Leeds, duke bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të Al-Shehab.
“Ajo nuk ka takuar fëmijët e saj gjatë këtyre 4 viteve në burg. Ajo po lirohet për shkak të presionit, por ka edhe shumë gra dhe vajza të tjera që mbesin të burgosura për të njejtat arsye”, tha Lina al-Hathloul, kryesuese e grupit saudit për monitorim dhe avokim për të drejta të njeriut – ALQST.
“Dënimi i padrejtë dhe arbitrar i Al-Shehab tregon shumë për sistemin suadit të drejtësisë thelbësisht të dëmtuar, ku gjyqet nuk janë të drejta, të pandehurit kanë pak të drejta dhe akuzat për torturë dhe abuzim nga policia dhe zyrtarët e burgjeve janë të zakonshme”, tha Brian Tronic nga OJQ-ja amerikane Freedom House.
Zyra e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar tha se po monitoron situatën dhe do të vazhdojë “të ngrisë çështje në lidhje me lirinë e fjalës dhe të drejtat e njeriut në të gjithë botën”.
Al-Shehab është anëtare i pakicës myslimane shiite të Arabisë Saudite, e cila është ankuar prej kohësh për diskriminim sistemik në mbretërinë e sunduar nga grupi Sunni.