Anija e ndihmave “Madleen”, që lundroi drejt Gazës më datë 1 qershor dhe e cila synoi të dorëzojë ndihma humanitare për palestinezët, ishte emëruar pas gruas së parë dhe të vetme me licencë për peshkim në Gaza, Madleen Kulab.
Madleen Kulab u bë peshkatare në moshën 13 vjeçare, duke sfiduar normat gjinore për të mbështetur familjen e saj. Sot, 30 vjeçarja është kthyer në një simbol të qëndresës ndaj bllokadës izraelite. Në vitin 2016, ajo gjithashtu krijoi një klub për të fuqizuar dhe mësuar gra të tjera se si të peshkojnë.
Kulab tregoi se ishte thellësisht e prekur kur mësoi se një anije që po synonte të thyejë rrethimin e Gazës po mbante emrin e saj, raporton Al Jazeera.
Ajo u zhgënjye kur mësoi se forcat izraelite e kishin ndalur anijen në ujërat ndërkombëtare dhe kishin marrë 12 personat brenda që gjindeshin brenda.
“U ndjeva thellësisht e dëshpëruar”, tregon Kulab. “E parashikoja fuqishëm këtë skenar, por me gjithë zemër shpresoja për një mrekulli, që disi anija do ta thyente bllokadën dhe do të arrinte në Gaza”.
Që nga viti 2007, palestinezët në Gaza po jetojnë nën një bllokadë ajrore, tokësore dhe detare të vendosur nga Izraeli.
“Ne jetojmë në një vend plotësisht të izoluar nga bota. Që nga viti 2010 çdo përpjekje e mëparshme e flotiljeve për të thyer bllokadën është përballur me ndërhyrje ushtarake”, tha ajo.
Për Madleen, misioni i anijes dhe ndalimi i saj, që kanë tërhequr vëmendje ndërkombëtare, pasqyrojnë vuajtjen më të gjerë të palestinezëve në Gaza, një vuajtje që ajo thotë se ndjehet sikur nuk do të ketë fund.
Pavarësisht kësaj, Madleen beson se mesazhi i vërtetë i misionit tashmë është përcjellur.
“Kjo është një thirrje për të thyer heshtjen globale, për të tërhequr vëmendjen e botës ndaj asaj që po ndodh në Gaza. Bllokada duhet të marrë fund dhe kjo luftë duhet të ndalet menjëherë”.
Populli i Gazës po përballet me uri dhe qendrat e ndihmave janë shndërruar në vende vrasjesh, pasi ushtarët izraelitë dhe kontraktorë të sigurisë amerikane kanë hapur zjarr ndaj turmave të palestinezëve që përpiqen të marrin ushqim.
“Dita ditës, jeta bëhet gjithnjë e më e papërballueshme. Po mbytem në vuajtje mes luftës dhe urisë. Unë, familja ime dhe të gjithë këtu”, tha ajo.