Dje është mbajtur seanca gjyqësore për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, në të cilën i akuzuari kryesor Naim Murseli është deklaruar sërish i pafajshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademajt, në vitin 2023
I akuzuari tjetër, Granit Plava, nuk është deklaruar duke vendosur që të mbrohet në heshtje ndërsa i akuzuari Kushtrim Kokalla nuk e ka pranuar fajësinë.
Po ashtu, trupi gjykues ka aprovuar propozimin e avokates së të akuzuarit, Naim Murseli, që atij t’i bëhet ekzaminim mjekësor psikiatrik në Institutin e Psikiatrisë Forenzike. Gjyqtarja Fatime Dërmjaku tha se Instituti i Psikiatrisë Forenzike obligohet që në periudhë brenda dy javësh të kryejë ekzaminimin e Murselit.
Në këtë seancë prokurorja e rastit, Javorka Perlinçeviq, paraqiti fjalën hyrëse në të cilën tha se Prokuroria posedon prova të mjaftueshme për të vërtetuar se të akuzuarit i kryen veprat që u vihen në barrë.
“Pas provave të mjaftueshme të mbledhura dhe krahasimit të të njëjtave, prokuroria konsideron se ekziston dyshimi i bazuar se të akuzuarit e cekur kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen. Dyshimi i bazuar i prokurorisë është i mbështetur në numër të madh të provave materiale, deklaratave të vet të akuzuarve në atë kohë të pandehurve, deklaratat e të akuzuarve te cilat i kanë dhënë në polici”- ka thënë prokurorja.
Fjalën hyrëse të prokurores e kundërshtuan avokatët e të akuzuarve, ndërsa e mbështeti mbrojtësi ligjor i palës së dëmtuar, Leutrim Syla, teksa kërkoi dënim meritor për të akuzuarit.
Naim Murseli, Granit Plava, Kushtrim Kokalla, po akuzohen nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, nën dyshimin për organizimin dhe vrasjen e Liridona Ademajt më 29.11.2023, në Prishtinë.
I akuzuar në këtë rast është edhe Tom Dodaj, i cili akuzohet që shiti armën me të cilën u krye vrasja e Liridona Ademajt. Ky i fundit në shqyrtim fillestar më 31.01.2025 kishte pranuar fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë nga Prokuroria.
Dodaj nga Gjykata e Prishtinës për këtë vepër penale është dënuar me 5 vjet dënim me burgim dhe me 5,000 euro dënim me gjobë.