Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Mbahet shqyrtimi fillestar gjyqësor ndaj Xhevat Krasniqit

QIKA 1.7.2025

Profesori i pezulluar nga UP, Xhevat Krasniqi, i akuzuar për ngacmim seksual ndaj disa studenteve nuk e ka pranuar fajësinë në shqyrtimin fillestar gjyqësor që u mbajt sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

“Jam absolutisht i pafajshëm”- tha i akuzuari Krasniqi kur u pyet nga gjyqtari Bujar Ahmeti, pas leximit të aktakuzës.

Prokuroria pretendon se profesori Krasniqi është përfshirë në sjellje joetike-verbale të natyrës së ngacmimit seksual, me qëllim të cenimit të dinjitetit të personit tjetër.

Sipas aktakuzës së ngritur para disa muajsh nga Prokuroria e Prishtinës, ngacmimet seksuale kanë ndodhur nga janari i vitit 2022 deri në dhjetor të vitit 2023, në objektin e Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës.

Prokuroria po ashtu në aktakuzë thekson edhe pozitën që i akuzuari ka pasur si profesor universitar, duke vënë në pah raportin e pabarabartë të pushtetit dhe pozitën e autoritetit mbi të dëmtuarat.

Xhevat Krasniqi ishte denoncuar nga 27 studente të Fakultetit të Mjekësisë për ngacmim seksual në hapësirat e UP-së, dhe ngjarja ishte përcjellur me protesta e aksione simbolike të shumta të studentëve dhe aktivistëve.