Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Më shumë se 370 milionë vajza dhe gra përjetojnë dhunë seksuale në mbarë botën

QIKA 15.10.2024

Më shumë se 370 milionë vajza dhe gra, ose 1 në 8 prej tyre, përjetojnë përdhunim apo sulm seksual para moshës 18 vjeçare, bazuar në një raport të fundit nga UNICEF.

Vlerësimet e para globale dhe rajonale mbi dhunën seksuale ndaj fëmijëve zbulojnë shkallën lartë të dhunës në mbarë botën, veçanërisht tek vajzat adoleshente.

Kur kemi të bëjmë me abuzimin apo ngacmimin seksual në internet, ky numër rritet në 650 milionë në nivel global, ose 1 në 5 vajza dhe gra, duke theksuar kështu nevojën urgjente për parandalimin dhe krijimin e një strategjie për të adresuar efektivisht të gjitha format e dhunës dhe abuzimit.

“Dhuna seksuale ndaj fëmijëve është një njollë në ndërgjegjen tonë morale”, tha Drejtorja Ekzekutive e UNICEF-it, Catherine Russell. “Ajo shkakton traumë të thellë dhe të qëndrueshme, shpesh e krijuar nga dikush që fëmija njeh dhe i beson, në vende ku ata duhet të ndihen të sigurtë”.

Të dhënat tregojnë se dhuna seksuale ndaj fëmijëve është e përhapur globalisht. Afrika Sub-Sahariane ka numrin më të madh të viktimave, me 79 milionë vajza dhe gra të prekura (22%), 75 milionë në Azinë Lindore dhe Juglindore (8%), 73 milionë në Azinë Qëndrore dhe Jugore (9%), 68 milionë në Europë dhe Amerikën Veriore (14%), 45 milionë në Amerikën Latine dhe Karaibe (18%), 29 milionë në Afrikën Veriore dhe Azinë Perëndimore (15%), dhe 6 milionë në Oqeani (34%).

“Fëmijët në mjedise të brishta janë më të cenueshëm ndaj dhunës seksuale”, tha Russell. “Ne jemi dëshmitarë të dhunës së tmerrshme seksuale në zonat e konfliktit, ku përdhunimi dhe dhuna në bazë gjinore përdoren si armë lufte”.

Sipas të dhënave, shumica e dhunës seksuale në fëmijëri ndodh mes moshës 14 dhe 17 vjeçe. Studimet tregojnë se fëmijët që përjetojnë një herë dhunë seksuale kanë më shumë gjasa të vuajnë nga abuzime të përsëritura.

Trauma e dhunës seksuale bartet në moshën madhore, dhe të mbijetuarit përballen me rreziqe më të larta të sëmundjeve seksualisht të transmetueshme, abuzimit me substanca narkotike, izolimit social, probleme me shëndetin mendor si depresioni dhe ankthi, si dhe sfidat në krijimin e marrëdhënieve të shëndetshme.

Të dhënat theksojnë nevojën urgjente për një veprim të menjëhershëm për të luftuar dhunën seksuale në fëmijëri dhe për të ndërtuar një të ardhme më të sigurt për fëmijët në mbarë botën.