Sipas një hulumtimi, mungesa e mbështetjes për gratë në menopauzë po i detyron shumë nga to të lënë punën e tyre. Një sondazh me 3,800 gra në Mbretërinë e Bashkuar zbuloi se shumica mendojnë se menopauza ose muajt e vitet që i paraprin menopauzës kanë një ndikim të madh në karrierën e tyre.
Nga të dhënat e sondazhit është gjetur se 99% e grave menduan se simptomat e tyre gjatë menopauzës çuan në një ndikim negativ në karrierën e tyre. Arsyet për marrjen e pushimit gjatë menopauzës përfshinin reduktimin e efikasitetit (45%), cilësinë e dobët të punës (26%) dhe përqendrimin e dobët (7%).
Gjysma e atyre që morën të paktën tetë javë pushim nga puna, me pas dhanë dorëheqjen ose dolën në pension të parakohshëm. Një në pesë gra e humbën shansin për tu promovuar, 19% shkurtuan oraret dhe 12% dhanë dorëheqje.
Shumica e grave të anketuara (60%) thanë se vendi i tyre i punës nuk ofron mbështetje për menopauzën. 30% të grave iu dhanë ilaçe kundër depresionit. Kjo pavarësisht udhëzimeve nga Instituti Kombëtar për Shëndetin që thotë se humori i ulët për shkak të menopauzës mund të trajtohet me terapi zëvendësuese hormonale (TZH).
“Çështjet e ngritura në këtë hulumtim tregojnë jo vetëm një nevojë urgjente për të përmirësuar qasjen mbi menopauzën në vendin e punës, por edhe qasjen në informacionin dhe trajtimin e menopauzës të bazuar në dëshmi”, tha ekspertja e menopauzës Louise Newson, e cila drejton organizatën jo-fitimprurëse Newson Health Research and Education.