Simptomat e menstruacioneve ndikojnë në kapacitetin e shumicës së grave për të kryer punën e tyre. Katër nga pesë prej grave që përjetojnë simptoma të rënda thanë se kishin punuar edhe kur ndiheshin keq, ndërsa më shumë se gjysma e tyre thanë se nuk kishin mundur as të shkojnë në punë.
Hulumtimi i Chartered Institute of Personnel and Development (CIPD), i cili anketoi më shumë se 2000 gra zbuloi se rreth 6 në 10 nga gratë e anketuara e kishin më të vështirë të përqendroheshin në punë dhe gjysma ishin më të stresuara gjatë periudhës së menstruacioneve.
Gjysma e grave deklaruan se kurrë nuk i tregojnë menaxherit të tyre arsyen e vërtetë pse ato ndiheshin keq ose kishin dhimbje. Të pyetura pse nuk tregonin për simptomat e menstruacioneve, 45% e grave thanë se mendonin se çështja do të banalizohej dhe 43% të tjera thanë se ndiheshin të turpëruara.
Vetëm 1 në 10 gra të anketuara thanë se vendi i tyre i punës ofronte ndihmë dhe kushte shëndetësore gjatë menstruacioneve, raporton The Independent.
Claire McCartney, këshilltare e lartë për politikat në CIPD, tha: “Raporti ynë i fundit mbi menstruacionet dhe mbështetjen në punë nënvizon nevojën për një mjedis pune më empatik dhe më mirëkuptues. Cikli menstrual është një pjesë e natyrshme e jetës së shumë punonjësve dhe nuk duhet të jetë një pengesë për suksesin apo mirëqenien”.