Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Microsoft pushon nga puna dy gra që protestuan kundër furnizimit të ushtrisë izraelite me teknologji të AI

QIKA 8.4.2025

Microsoft ka pushuar nga puna Vaniya Agrawal dhe Ibtihal Aboussad, punëtoret të cilat në shenjë proteste kundër furnizimit me teknologji të inteligjencës artificiale për ushtrinë izraelite, ndërprenë festën e 50-vjetorit të kompanisë.

Protesta filloi të premten derisa CEO i Microsoft AI, Mustafa Suleyman po prezantonte përditësimet e produkteve dhe vizionin afatgjatë për produktin ndihmës të AI të kompanisë, Copilot, para një audiencë që përfshinte bashkëthemeluesin e Microsoft, Bill Gates dhe ish-CEO Steve Ballmer.

“Mustafa, turp të kesh”, bërtiti Ibtihal Aboussad ndërsa po ecte drejt skenës dhe Sulejman e ndërpreu fjalimin e tij.

“Ju pretendoni se ju intereson të përdorni për mirë inteligjencën artificiale, por Microsoft u shet armë të AI ushtrisë izraelite. 50 mijë njerëz kanë vdekur dhe Microsoft po fuqizon këtë gjenocid në rajonin tonë.”

“Faleminderit për protestën, ju dëgjoj,” tha Sulejman.

Aboussad vazhdoi të thoshte se Sulejman dhe i gjithë Microsoft i kishin duart me gjak. Ajo hodhi gjithashtu në skenë një shall keffiyeh, i cili është kthyer në një simbol të mbështetjes për popullin palestinez.

Një hulumtim nga agjencia Associated Press zbuloi në fillim të këtij viti se modelet e AI nga Microsoft dhe OpenAI u përdorën si pjesë e një programi ushtarak izraelit për të zgjedhur objektivat e bombardimeve gjatë luftërave të saj në Gaza dhe Liban.

Një protestuese e dytë, po ashtu punëtore e Microsoft, Vaniya Agrawal, ndërpreu një pjesë tjetër të festës gjatë së cilës Gates, Ballmer dhe CEO aktual Satya Nadella ishin në skenë.

Microsoft nuk kishte pranuar të fliste të premten nëse po ndërmerrte veprime të mëtejshme. Aboussad i tha AP se ajo humbi qasjen në llogaritë e saj të punës menjëherë pas protestës dhe nuk kishte mundur të kyçej përsëri.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës të paktën 50,609 palestinezë janë konfirmuar të vdekur dhe 115,063 të plagosur në luftën e Izraelit në Gaza. Zyra e Medias Qeveritare përditësoi numrin e saj të vdekjeve në më shumë se 61,700, duke thënë se mijëra njerëz të zhdukur nën rrënoja supozohen të vdekur.