Mijëra njerëz kanë protestuar dje në Poloni kundër ligjit kufizues mbi abortin. Protestat erdhën si pasojë e vdekjes së një gruaje që ishte shtatzënë në muajin e pestë në kohën kur vdiq nga sepsis.
“Ndaloni vrasjet e grave” ishte një nga brohoritjet e të mërkurës teksa mijëra njerëz marshuan nëpër Varshavë drejt selisë së Ministrisë së Shëndetësisë.
Ligjet e Polonisë për abortin, ndër më të rreptat në Evropë, kanë provokuar protesta masive në vitet e fundit dhe vdekja e 33-vjeçares Dorota Lalik në maj ka ngjallur ndjenjën antiqeveritare në mesin e shumë polakëve liberalë përpara zgjedhjeve që pritet të mbahen në tetor.
Në vitin 2021, qeveria nacionaliste e kryeministrit Mateusz Morawiecki vuri në fuqi një vendim të gjykatës kushtetuese që ndalonte ndërprerjen e shtatzënive me defekte fetale.
Aktivistët e të drejtave të abortit kanë thënë se ka pasur të paktën pesë raste të grave shtatzëna që kanë vdekur, familjet e të cilave janë deklaruar në media, duke fajësuar kufizimet e abortit për vdekjen e tyre.
Sipas ligjit aktual, gratë kanë të drejtë të abortojnë vetëm në rastet e përdhunimit ose incestit ose nëse ka një kërcënim për jetën ose shëndetin e tyre. Autoritetet qeveritare kanë theksuar këtë javë se ligji nuk ishte shkaku i vdekjes së gruas. Ata theksuan se gratë kanë të drejtë për abort të ligjshëm në raste të tilla dhe se spitali ka shkelur të drejtën e saj për abort të ligjshëm.