Mijëra individë trans dhe aktivistë kanë protestuar përgjatë vikendit që lamë pas për të kundërshtuar vendimin e Gjykatës së Lartë të Mbretërisë së Bashkuar se termi grua i referohet vetëm atributeve biologjike dhe përjashtoi gratë trans nga përkufizimi ligjor.
Protesta e mbajtur në Londër u thirr si një emergjencë për të kërkuar çlirimin e personave trans dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Protesta të ngjashme u mbajtën edhe në Edinburg, Cardiff e mbarë Mbretërinë e Bashkuar.
“Është e tmerrshme të të hiqen të drejtat. U zhgënjeva se si mund të jetojmë në një shoqëri që duket kaq progresive, por që është e gatshme të marrë një vendim kaq të rrezikshëm e të dëmshëm”, tha gruaja transgjinore 19-vjeçare Sophie Gibbs.
Kreu i Komisionit të Barazisë dhe të Drejtave të Njeriut tha se vendimi do të thotë se gratë transgjinore do të përjashtohen nga tualetet e grave, repartet e spitaleve dhe ekipet sportive.
Qeveria britanike ka thënë se vendimi unanim i pesë gjyqtarëve solli “qartësi dhe besim” për gratë dhe ofruesit e shërbimeve.
Nga rreth 66 milionë njerëz në Angli, Skoci dhe Uells, rreth 116,000 janë identifikuar si trans në regjistrimin e fundit të popullsisë dhe janë lëshuar rreth 8500 certifikata të njohjes gjinore, sipas AP News.
Vendimi buroi nga një ligj i vitit 2018 i miratuar nga Parlamenti Skocez që kërkonte të paktën 50% gra në bordet e organeve publike skoceze. Gratë transgjinore me certifikata të njohjes gjinore po ashtu do të përfshiheshin në përmbushjen e kuotës.
Gjykata e Lartë tha se përdorimi i një certifikate për të interpretuar seksin e dikujt do të binte ndesh me përkufizimet e burrit dhe gruas dhe, rrjedhimisht, dispozitat kundër diskriminimit të Aktit të Barazisë të vitit 2010 mund të interpretohen vetëm si i referohen seksit biologjik.
John Swinney, ministër i parë i Skocisë, tha të shtunën se ai i kupton se njerëzit janë të lënduar dhe në ankth, derisa pranon se vendimi duhet të zbatohet.
Shumë njerëz në protestat e së shtunës shqetësoheshin se vendimi mund të ishte pararendës i vendimeve të tjera që sulmojnë të drejtat për personat transgjinorë.