Qershori shënon Muajin e Krenarisë, si një nga muajt më të rëndësishëm për aktivizmin dhe vizibilitetin queer. Në po këtë muaj të vitit 1969, në Nju Jork, ndodhi kryengritja e parë queer e njohur si Kryengritja e Stownwall-it. Kryengritja filloi me 28 qershor, atëherë kur policia kishte në shënjestër Stoneëall Inn, një bar i njohur queer në Greenwich Village të Manhatanit. Protestat pasuese që zgjatën gjashtë ditë shënuan një pikë kthese në aktivizmin LGBTIQ+ në Shtetet e Bashkuara.
Në vitin 2015, Gjykata e Lartë e SHBA i bëri të ligjshme martesat e të njëjtit seks në 50 shtetet amerikane. Në Indi, në vitin 2014, personave transgjinorë iu dha njohja zyrtare si “gjini e tretë” dhe më vonë në vitin 2017 Gjykata e Lartë njohu orientimin seksual si të mbrojtur nga e drejta themelore për privatësi. Në vitin 2018, vendimi historik rrëzoi ligjin e epokës koloniale dhe dekriminalizoi homoseksualitetin. Në vitin 2022, gjykata e lartë vendosi që partnerët e pamartuar ose çiftet e të njëjtit seks kishin të drejtë për përfitime sociale.
Lista e vendeve ku martesat e të njëjtit seks janë të ligjshme: Kosta Rika (2020), Irlanda e Veriut (2019), Ekuador (2019), Tajvani (2019), Austria (2019), Australia (2017), Malta (2017), Gjermania ( 2017), Kolumbia (2016), Shtetet e Bashkuara (2015), Grenlanda (2015), Irlanda (2015), Finlanda (2015), Luksemburgu (2014), Skocia (2014), Anglia dhe Uellsi (2013), Brazili (2013) , Franca (2013), Zelanda e Re (2013), Uruguai (2013), Danimarka (2012), Argjentina (2010), Portugalia (2010), Islanda (2010), Suedia (2009), Norvegjia (2008), Afrika e Jugut ( 2006), Spanjë (2005), Kanada (2005), Belgjikë (2003), Holandë (2000).
Konteksti i Kosovës
Muaji i Krenarisë shpërfaqë një mundësi shumë të rëndësishme për solidarizim, aktivizëm dhe bashkim. Përveç festimit të dashurisë, ky muaj shërben si një platformë për të adresuar çështje të rëndësishme politike që përmirësojnë jetët e personave queer.
Këtë vit, Kosova shënon Paradën e 7-të të Krenarisë. Edhe pse homoseksualiteti është i dekriminalizuar, mundësitë që ofrohen për të pasur një jetë të sigurtë si person queer janë shumë të pakta.
Përpos dashurisë dhe haresë që shpërfaqet gjatë Muajit të Krenarisë, ne duhet gjithmonë të kujtojmë e solidarizohemi me realitetin që përballen personat queer. Sot, shumë prej personave queer janë të përjashtuar nga rrethi familjar, shoqëror e madje linçohen edhe nga institucionet publike. Për personat queer asnjë hapësirë, qoftë private a publike, nuk është e sigurtë.
Të rinjtë LGBTIQ+ janë në rrezik më të lartë nga kërcënimet dhe abuzimi verbal, fizik e seksual dhe përkundër të gjithave, shpesh ndodhë që të mos kenë ndonjë hapësirë të sigurtë për të denoncuar dhunën ose për të siguruar ndihmë dhe mbështetje nga ata, detyra e të cilëve është të mbrojnë komunitetin. Shpesh ka sfida edhe në shërbime të shëndetit seksual për shkak të diskriminimit ose mungesës së ekspertizës midis ofruesve të shërbimeve.
Lufta jonë është e vazhdueshme për një jetë të sigurtë, të drejtë e të barabartë për të gjithë. Dashuria nuk është privilegj për askënd dhe nuk duhet të jetë kaq e vështirë për t’u shprehur. Në solidaritet me të gjitha format e dashurisë, ne ju ftojmë t’i bashkoheni Prishtina Pride dhe ta festojmë atë së bashku.