Irani ka dënuar fituesen e Çmimit Nobel për Paqen, Narges Mohammadi, me më shumë se shtatë vite të tjera burg pasi ajo nisi një grevë urie. Në të njejtën kohë, Teherani po ashpërson sulmin ndaj çdo forme mospajtimi pas protestave mbarëkombëtare dhe vdekjeve të mijëra personave nga forcat e sigurisë.
Dënimet e reja ndaj Mohammadi-t vijnë në një kohë kur Irani po përpiqet të negociojë me SHBA-në mbi programin bërthamor për të shmangur një sulm ushtarak të kërcënuar nga Donald Trump. Diplomati më i lartë i Iranit tha të dielën se forca e Teheranit buron nga aftësia e tij për t’u “thënë jo fuqive të mëdha”.
Avokati i Mohammadi-t, Mostafa Nili, tha se “Narges është dënuar me gjashtë vjet burg për “mbledhje dhe bashkëpunim” dhe me një vit e gjysmë për propagandë, si dhe me një ndalim udhëtimi prej dy vitesh”. Mohammadi ka marrë gjithashtu edhe dy vite internim të brendshëm në qytetin Khosf, raporton the Guardian.
Mbështetësit e saj thonë se Mohammadi është në grevë urie që nga 2 shkurti. Ajo ishte arrestuar në dhjetor gjatë një ceremonie përkujtimore në nder të Khosrow Alikordi, një avokat iranian 46 vjeçar dhe mbrojtës i të drejtave të njeriut. Pamjet nga protesta e treguan atë duke bërtitur dhe duke kërkuar drejtësi për Alikordin dhe të tjerët.
Mohammadi vazhdoi aktivizmin e saj përmes protestave publike dhe paraqitjeve në media ndërkombëtare, madje në një moment demonstroi edhe para burgut Evin në Teheran, ku kishte qëndruar. Ajo ishte dënuar me 13 vite e nëntë muaj për akuza bashkëpunimi kundër sigurisë shtetërore dhe propagandë kundër qeverisë iraniane.
Ajo gjithashtu kishte mbështetur protestat mbarëkombëtare të nxitura nga vdekja e Mahsa Amini në vitin 2022, të cilat panë gra që sfidonin hapur qeverinë duke mos mbajtur hixhab.
Megjithatë, zyrtarët iranianë kanë sinjalizuar një qëndrim më të ashpër kundër çdo forme mospajtimi që nga demonstratat.