Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Narges Mohammadi është rrahur brutalisht në burg

QIKA 27.8.2024

Avokati i aktivistes Narges Mohammadi, Mostafa Nili, ka deklaruar se Mohammadi javën e kaluar është rrahur brutalisht nga rojat e burgut pasi udhëhoqi një protestë kundër dënimit me vdekje. Asaj më pas i ishin mohuar kujdesi mjekësor dhe takimi me avokatin.

Avokati Nili teksa ngriti shqetësimin për gjendjen shëndetësore dhe mirëqenien e saj për agjencinë e lajmeve “Emtedad” tha: “Klinetja ime thotë se është rrahur dhe ka shenja nëpër trup. Pavarësisht rekomandimeve të mjekut të burgut dhe duke pasur parasysh problemet me zemër që ka klientja ime, ajo nuk është dërguar në spital”. Ai tregoi se edhe shoqet e saj të qelisë kanë konfirmuar gjendjen e saj.

Nili tregoi poashtu se për nëntë muajt e fundit, autoritetet e burgut i kishin mohuar Mohammadi-t të drejtën për të bërë telefonata dhe për të pasur vizita me familjen dhe avokatin e saj.

Mohammadi, e cila u nderua me çmimin Nobel për Paqe dhe po vuan dënimin në burgun famëkeq Evin, nga reparti i grave në burg ka organizuar seminare, diskutime dhe protesta kundër shkeljeve të të drejtave të njeriut nga qeveria.

Më 6 gusht, Mohammadi dhe të burgosura të tjera organizuan një protestë dhe brohoritën slogane kundër ekzekutimit të planifikuar të një burri kurd, Reza Rasaei, 34 vjeç, i cili u arrestua gjatë protestave në vitin 2022 dhe u akuzua se kishte një rol në vrasjen e një pjesëtar i forcave të sigurisë së Iranit. Poashtu në faqen e Mohammadi-t në Instagram u publikua një audio ku gratë dëgjohen teksa brohorasin “As kërcënimet, as shtypjet as ekzekutimet nuk kanë kurrfarë efekti!” dhe “Vdekje diktatorit!”.

Sipas bashkëshortit të aktivistes, Taghi Rahmani rojat e burgut kishin bastisur protestën që po mbahej në oborr dhe i rrahën gratë e i futën nëpër qelitë e tyre, shkruan The New York Times.

Dhjetë nga gratë u rrëzuan kanë pësuar lëndime. Sipas Rahman, Mohammadi-n e rrahën dhe goditën në gjoks çka i shkaktoi probleme me frymëmarrjen aq të rënda saqë shoqet e qelisë menduan se ajo po përjetonte arrest kardiak. Ato u trajtuan në klinikën e burgut, mjeku i së cilës urdhëroi që Mohammadi të dërgohej në spital.

Disa ditë pas rastit, autoritetet nga burgu mohuan se kishin ushtruar dhunë dhe thanë se gratë ishin çuar në mënyrë paqësore nëpër qelitë e tyre, teksa fajësuar Mohammadin për “nxitjen e grave të burgosura” për të sulmuar një roje burgu dhe përpjekje për të thyer bravën e derës që çon në oborr.

Javën e kaluar, gjatë dy ditëve, Irani ekzekutoi 29 të burgosur, sipas Kombeve të Bashkuara.

Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut, Volker Türk, tha në një deklaratë se kjo situatë përfaqësonte një numër jashtëzakonisht të lartë të ekzekutimeve për një periudhë kaq të shkurtër kohore”. Ai tha se kishin verifikuar se 38 persona ishin ekzekutuar në korrik, duke e çuar numrin e përgjithshëm të ekzekutimeve në të paktën 345 këtë vit, mes tyre 15 gra.

Hadi Ghaemi, drejtori i Qendrës për të Drejtat e Njeriut në Iran, një organizatë e pavarur me qendër në Nju Jork, tha se qeveria iraniane kishte përdorur prej kohësh ekzekutimet dhe dënimin me vdekje si mjete frikësimi, duke përfshirë edhe kryengritjen e udhëhequr nga gratë në vitin 2022.