Nën sloganin “Nata është e jona”, u protestua në Tiranë të premten e 8 marsit në mbrëmje. Protesta u fokusua tek siguria fizike, siguria në punë, në shtëpi, në internet, në shëndetësi dhe në çdo hapësirë ku grave ju cenohet liria.
Aktivistet kërkuan siguri për gratë, kriminalizimin e dhunës kibernetike dhe ndriçimin e të gjitha rrugëve të qytetit. “Ne marshojmë për të theksuar të drejtën e grave dhe vajzave për siguri, të drejtën për të ekzistuar pa frikë, në rrugë, shtëpi, punë dhe në hapësira dixhitale. Ne marshojmë sepse refuzojmë të jemi të ndrydhura nga pasiguria. Ne refuzojmë të mposhtemi nga frikërat e imponuara nga shoqëria patriarkale që tkurr hapësirat e ekzistencës sonë”, thuhet në deklaratë.
Duke theksuar se çlirimi nga turpi mbi trupin, si një formë kontrolli dhe dhune nga sistemi patriarkal duhet të marrë fund, aktivistet dogjën sutjenat para objektit të qeverisë, si simbolikë e mos nënshtrimit ndaj kornizave shoqërore, mbi atë çfarë gratë duhet të jenë dhe të duken.