Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Ndarja e roleve gjinore bllokon përparimin e grave në karrierë

QIKA 15.3.2022

Tre në pesë gra thonë se përgjegjësitë e tyre për t’u kujdesur për fëmijët, të moshuarit dhe të afërmit po i pengon ato të aplikojnë për një punë të re ose avancim në karrierë, ndërsa vetëm një në pesë burra pohon të njëjtën gjë.

Sipas një sondazhi të realizuar me 5,444 persona nga Ipsos Mori dhe Business in The Community (BITC), zbuloi se gati gjysma e fuqisë punëtore përveç punës së paguar kujdesen për punët në shtëpi dhe për të afërmit. Pothuajse tre në dhjetë persona janë larguar ose kanë menduar të lënë një punë për shkak të vështirësive në balancimin e punës dhe kujdesit, me ç’rast ky fakt është më i theksuar tek gratë.

Në Mbretërinë e Bashkuar, shumica e personave që kanë përgjegjësi të kujdesen për të tjerët janë prindër që kujdesen për fëmijët nën moshën 18 vjeç, por 36% e kujdestarëve janë përgjegjës për një të rritur në moshë pune ose më të vjetër. Gratë aziatike, zezake apo të etnive të tjera pohuan se kanë më shumë përgjegjësi të përkujdesjes krahasuar me gratë e bardha. Rreth 50% e kujdestarëve nga pakicat etnike thanë se përgjegjësitë e tyre të kujdesit po i pengojnë ata të aplikojnë për avancime ose pozicione të reja në punë, krahasuar me 39% të kujdestarëve të bardhë, raporton The Guardian.

Hulumtimi zbuloi se edhe në mesin e grave që identifikohen si kujdestare të përbashkëta, 52% e tyre thonë se bëjnë më shumë se ç’duhet në krahasim me 10% të burrave. Një në tre burra pranojnë se kujdesen më pak për punët e kujdesit dhe shtëpisë në krahasim me 4% të grave. Gratë kanë gjithashtu më shumë gjasa se burrat të thonë se puna e tyre ditore është ndërprerë për shkak të përgjegjësive të kujdesit.