Instituti GAP, Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) kanë publikuar raportin “Punësimi dhe përfaqësimi i grave në ndërmarrjet publike qendrore në Kosovë”, i cili analizon të dhënat e punësimit dhe përfaqësimit të grave në 16 ndërmarrje publike qendrore, në pozita drejtuese dhe të larta në këto ndërmarrje, si dhe në administratë dhe terren.
Raporti thekson se ndër vite ndërmarrjet publike nuk kanë respektuar Ligjin për Barazi Gjinore, i cili është i integruar edhe në Ligjin për Ndërmarrje Publike.
Përderisa viteve të fundit vërehet një trend pozitiv drejt avancimit të përfaqësimit gjinor në bordet dhe menaxhmentet e ndërmarrjeve publike, ende shumica e grave nëpër ndërmarrjet publike punojnë në administratë, shumë më pak mbajnë pozita udhëheqëse e edhe më janë të punësuara për punë në terren apo prodhim.
Në dhjetor të vitit 2024, në 14 nga 16 ndërmarrjet e analizuara, rreth 40% e anëtareve të bordeve janë gra. Ndërsa për disa ndërmarrje si Trepça, Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (2021), Trainkos (2021), KRU Drini i Bardhë bordet për periudhën 2021-2023 përbëheshin vetëm nga burrat.
Përfaqësimi i grave në menaxhmentin e lartë mbetet ende i ulët. Gjatë vitit 2023 përqindja e grave që mbajnë pozita të tilla në këto 16 ndërmarrje publike është rritur nga 21% në 26%. Sa i përket administratës, 31% e të punësuarve në këto ndërmarrje publike janë gra, ndërsa 69% burra. Ndërkaq, një dallim më i madh mbetet tek të punësuarit në terren apo prodhim tek këto ndërmarrje, ku 96% e të punësuarve janë burra, ndërsa vetëm 4% gra.
Në vitin 2023, këto ndërmarrje së bashku punësonin 12,278 persona. Në terma të përgjithshëm, 22% e të gjithë të punësuarve në ndërmarrjet publike janë pjesë e administratës dhe menaxhmentit, derisa 78% janë pjesë e punëve në terren, thuhet në raport.
Raportin e plotë e gjeni këtu.