Ndryshimet klimatike kanë ndikim të ndryshëm tek burrat dhe gratë, veçanërisht në Jugun Global. Kultura patriarkale krijon marrëdhënie të pabarabartë gjinore, duke i konsideruar gratë të afta vetëm për të menaxhuar punët e shtëpisë dhe duke i përjashtuar nga diskutimet për zgjidhjet e krizës klimatike.
Gratë në vendet e Jugut Global kanë filluar të ndryshojnë narrativen se gratë janë thjesht “viktima” të krizës klimatike duke shfaqur aftësi dhe forcë për të mbrojtur mjedisin. Ato i manifestojnë aftësitë e tyre për të ruajtur mjedisin me veprime të ndryshme formale dhe joformale, individuale dhe kolektive, raporton The Conversation.
Lëvizjet si lëvizja Chipko në Indi, lëvizja e grave të fshatit Zapotalito në mbrojtje të parkut kombëtar të Chacahua-Pastoría në Meksikën jugore, lëvizja e grave peshkatare në Indonezi, kanë dëshmuar se gratë janë të afta të bëjnë ndryshimin në aktivizmin mjedisor, nga shtëpitë dhe komunitetet e tyre deri në skenën kombëtare.
Edhe komuniteti global i njeh gjithnjë e më shumë përpjekjet e grave. Që nga vitet 1990, politikat ndërkombëtare kanë theksuar gjininë si një element thelbësor në ruajtjen e natyrës dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Dokumentet e fundit nga Konventa e Kombeve të Bashkuara në Kuadër të Ndryshimeve Klimatike (UNFCCC) theksojnë rolin e lëvizjeve lokale të grave dhe grave indigjene në formësimin e politikave dhe veprimeve klimatike.