Në një deklaratë të përbashkët për shtyp UNICEF, OBSh dhe UNFPA kanë shprehur shqetësimin lidhur me rreziqet shëndetësore që u kanosen grave shtatzëna, foshnjave dhe fëmijëve nga katastrofat klimatike.
Sipas dokumentit ‘Mbrojtja e shëndetit të nënës, të porsalindurit dhe fëmijës nga ndikimet e ndryshimeve klimatike’, efektet klimatike në shëndetin e nënave dhe fëmijëve janë neglizhuar, nënraportuar dhe nënvlerësuar.
Hulumtimet tregojnë se dëmet mund të fillojnë qysh në mitër, duke çuar në komplikime të lidhura me shtatzëninë, lindje të parakohshme, peshë të ulët të foshnjws dhe lindje e foshnjes së vdekur. Derisa për fëmijët, pasojat mund të zgjasin gjatë gjithë jetës, duke ndikuar në zhvillimin e trupit dhe trurit të tyre.
Viti 2023 është shënuar nga një sërë fatkeqësish shkatërruese klimatike, si zjarret, përmbytjet, valët e të nxehtit dhe thatësirat.
“Ndryshimet klimatike përbëjnë një kërcënim ekzistencial për të gjithë ne, por gratë shtatzëna, foshnjat dhe fëmijët përballen me disa nga pasojat më të rënda”, tha Bruce Aylward, asistent i drejtorit të përgjithshëm në OBSh.
Thirrja për Veprim thekson shtatë veprime urgjente për të adresuar këto rreziqe në rritje. Këto përfshijnë reduktime të qëndrueshme në emetimet e gazeve serrë dhe veprime për financimin e klimës, së bashku me përfshirjen specifike të nevojave të grave shtatzëna, foshnjave dhe fëmijëve në politikat e lidhura me klimën dhe fatkeqësitë. Agjencitë gjithashtu bëjnë thirrje për realizimin e më shumë hulumtimeve për të kuptuar më mirë ndikimet e ndryshimeve klimatike në shëndetin e nënës dhe fëmijës.
“Për të gjetur zgjidhje klimatike që pranojnë nevojat e veçanta shëndetësore të grave dhe vajzave, duhet të fillojmë duke bërë pyetjet e duhura,” tha Diene Keita, zëvendësdrejtore ekzekutive për Programet në UNFPA. “Zgjidhjet globale duhet të mbështesin, jo të sakrifikojnë, barazinë gjinore”, shtoi ajo.