Në El Salvador, humbja e një shtatzënie mund të kthehet në proces penal. Gratë që përjetojnë aborte spontane apo komplikime obstetrike vazhdojnë të përballen me akuza të rënda penale, sistemi po i trajton ato si të kryerse të veprave penale dhe jo si paciente që kanë nevojë për kujdes shëndetësor.
Sipas The Guardian, vendi ka një nga legjislacionet më të ashpra në botë. Aborti është i ndaluar plotësisht që nga viti 1998, pa asnjë përjashtim, as në rastet e përdhunimit, incestit apo rrezikut për jetën e gruas. Në praktikë, kjo ka çuar në situata ku gratë që humbasin shtatzëninë akuzohen për “vrasje të rëndë” dhe përballen me dënime të gjata me burg.
Edhe pse ndër vite fushatat e organizatave për të drejtat e grave kanë çuar në lirimin e dhjetëra grave të dënuara padrejtësisht, ky progres po zhbëhet. Të paktën 81 gra janë liruar mes viteve 2009 dhe 2023, por që nga viti 2022 është shënuar një valë e re hetimesh dhe ndjekjesh penale.
Ky zhvillim lidhet me masat emergjente të ndërmarra nga qeveria e presidentit Nayib Bukele, të cilat kanë pezulluar disa të drejta kushtetuese dhe kanë dobësuar garancitë procedurale. Edhe pse fillimisht të justifikuara si masa kundër krimit, ato po ndikojnë drejtpërdrejt edhe në rastet që lidhen me shëndetin riprodhues.
Në këtë klimë, edhe sistemi shëndetësor bëhet pjesë e mekanizmit të kontrollit. Stafi mjekësor ndodhet nën presion për të raportuar rastet e dyshimta tek autoritetet, duke krijuar frikë tek gratë për të kërkuar ndihmë mjekësore edhe në situata emergjente.
Sipas raportimit, të paktën 29 gra janë hetuar që nga viti 2022, shumica prej tyre nga shtresa të varfra, duke thelluar pabarazitë ekzistuese.
Rasti i El Salvadorit mbetet një nga shembujt më ekstremë të kontrollit shtetëror mbi trupin e grave, ku kufiri mes kujdesit shëndetësor dhe ndëshkimit penal është zhdukur dhe ku të drejtat riprodhuese vazhdojnë të trajtohen si çështje kriminale, jo si të drejta themelore.