Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Në një tendë në Gaza, lindi Festivali i parë Ndërkombëtar i Kinemasë së Grave

QIKA 24.11.2025

Mes rrënojave në Deir Al-Balah, në Gaza, u organizua edicioni i parë i Gaza International Festival for Women’s Cinema, një përpjekje e rrallë kulturore në një realitet të shkatërruar nga lufta. Shfaqja hapëse u mbajt në një tendë të ngritur mes ndërtesave të rrënuara, ku dhjetëra gra dhe familje u mblodhën për të parë filmin “The Voice of Hind Rajab” të regjisores Kaouther Ben Hania. Filmi rikthen historinë e Hind Rajabit, 5 vjeçe, e vrarë bashkë me familjen e saj nga ushtria izraelite në janar 2024. Për shumë prej të pranishmeve, shikimi i filmit u ringjalli kujtime të humbjeve personale gjatë dy viteve të fundit të luftës, raporton +972 Magazine.

Festivali, i themeluar nga regjisori dhe studiuesi palestinez Ezzaldeen Shalh, synon të prezantojë filma të krijuar nga gra e që trajtojnë përvojat e tyre, me fokus të veçantë në gratë palestineze. Nën moton “Gra legjendare gjatë gjenocidit”, edicioni i parë shfaqi rreth 80 filma nga vende të ndryshme. Festivali u organizua në kushte jashtëzakonisht të vështira, pa hapësira kulturore të mbetura, pa rrymë, dhe me komunikim të kufizuar me regjisorët dhe jurinë.

Pavarësisht këtyre pengesave, festivali arriti të mbledhë mbi 500 persona, duke sjellë momente të rralla gëzimi dhe bashkësie në një zonë ku jeta kulturore është shuar pothuajse tërësisht. Për shumë gra, pjesëmarrja ishte e pamundur për shkak të kostove të transportit, rrezikut për t’u larguar natën dhe sfidave të përditshme të mbijetesës. Por për të tjerat, si 10 vjeçarja Hamsa Mahmoud, që iu bashkua shfaqjeve rastësisht, festivali solli një ndjenjë normaliteti që mungon prej fillimit të luftës.

Festivali u mbyll me një mesazh të qartë se edhe në mes të gjenocidit dhe shkatërrimeve, gratë e Gazës vazhdojnë të krijojnë, të tregojnë historitë e tyre dhe të ringjallin jetën kulturore të komunitetit. Edhe pse rruga drejt rikthimit të jetës artistike mbetet e vështirë, edicioni i parë i këtij festivali tregoi se fuqia e artit dhe zëri i grave nuk mund të shuhet as nën gjenocid.