Në Peru, gjykata ka hedhur poshtë një aktakuzë për përdhunim me supozimin që viktima që mbante të brendshme të kuqe “ishte e gatshme që të bënte seks”.
Kështu gjykata deklaroi se zgjedhja e veshjeve të brendshme me ngjyrë të kuqe jepte përshtypjen se ajo ishte “e përgatitur ose e gatshme” për të bërë seks me të pandehurin.
Gjithashtu gjykatësit thanë se viktima nuk kishte turp dhe nuk qëndronte e rezervuar, duke përmendur zgjedhjen e saj të të brendshmeve si provokim dhe arsye për lirimin e të pandehurit.
Ky vendim ndezi zemërim tek qytetarët e Peru-së, ku gratë dolën në rrugë në shenjë proteste, disa prej tyre me të brendshme të kuqe në këmbë në shenjë solidarizimi me viktimën.
Mediat peruane e kanë identifikuar të akuzuarin si një burrë 22-vjeçar, ndërsa viktima të cilës nuk i është zbuluar identiteti në media, thuhet se është një grua 20 vjeçare.
Sipas mediave lokale, gruaja kishte rënë pa ndjenja në një festë dhe ishte marrë nga i akuzuari. Të nesërmen, tha ajo, se ishte zgjuar lakuriq në shtratin e tij. Ndërsa i akuzuari pohon se akuzat janë një akt ‘hakmarrjeje’ ndaj tij nga viktima.
Gjyqtarët Ronald Anayhuaman Andia, Diana Jurado Espino dhe Lucy Castro Chacaltana argumentuan se viktima e kishte paraqitur veten keq, duke pretenduar se gratë mbanin të brendshme të kuqe vetëm kur synonin të kryenin marrëdhënie seksuale.
“Personaliteti i supozuar që paraqet viktima nuk lidhet me të brendshmet që përdorte ditën e incidentit, pasi ky lloj i të brendshmeve zakonisht përdoren në raste të veçanta që çojnë në momente intimiteti, gjë që të jep përshtypjen se gruaja ishte e përgatitur ose e gatshme të kishte marrëdhënie seksuale me të akuzuarin,” shprehin gjyqtarët.
Protesta janë mbajtur edhe në kryeqytetin peruan, në Lima. Shumë prej demonstruesve kanë mbajtur të brendshme të kuqe rreth këmbëve, në shenjë solidariteti me viktimën. Ndërsa të tjerë mbajtën pankarta që përcjellin mesazhe si: “Dëgjoni, gjyqtarë. Mos përdorni të brendshmet e mia për të justifikuar përdhunimin.”