Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Në Prishtinë protestohet kundër femicidit

QIKA 26.8.2021

Sot pranë Ministrisë së Drejtësisë u protestua për të kundërshtuar vrasjet e grave duke kërkuar që femicidi të trajtohet si urgjencë kombëtare.

Protesta erdhi si pasojë e vrasjes makabre që ndodhi në Ferizaj javën që lamë pas, e cila na e tregoi edhe një herë qartazi se jeta e grave dhe vajzave në Kosovë është në rrezik të vazhdueshëm.

Marshi protestues filloi nga Ministria e Drejtësisë, vazhdoi tek Ministria e Punëve të Brendshme dhe përfundoi pranë Qeverisë së Republikës së Kosovës, ku kjo e fundit u njollos me ngjyrë të kuqe, si revoltë për jetët e humbura të grave.

Nën parullat e shumta, marshi protestues kërkoi trajtimin e femicidit si urgjencë kombëtare; krijimin e një departamenti brenda Ministrisë së Brendshme për parandalim dhe trajtim të femicidit; Monitorim, sanksionim dhe shkarkim të Gjyqtarëve, Prokurorëve, dhe Policëve të Kosovës që nuk i trajtojnë rastet me seriozitet dhe ndjeshmëri gjinore etj.