Akti i Drejtësisë së Punëtoreve Shtatzëna (PWFA) është pjesë e ligjit amerikan që kur Presidenti Biden e miratoi atë më 29 dhjetor 2022. Ligji synon të mbrojë punëtoret shtatzëna, duke siguruar që ato të kenë një mjedis të sigurt për të punuar dhe mbështetjen e nevojshme për të ruajtur shëndetin e tyre dhe të foshnjës.
Komisioni Federal i Mundësive të Barabarta të Punësimit (EEOC) ka propozuar së fundmi projekt-rregulloret për zbatimin e këtij ligji. EEOC përfshin një listë të gjatë të kushteve mjekësore që punëdhënësit duhet të marrin parasysh e t’u përshtaten, duke përfshirë menstruacionet dhe kushtet që lidhen me shtatzëninë, lindjen e gjidhënien. Ky hap është shumë i rëndësishëm në njohjen e nevojave specifike të grave gjatë të gjitha fazave të jetës dhe ruajtjen e shëndetit të tyre teksa fitojnë jetesën, mbështesin familjet e tyre dhe kontribuojnë në ekonomi e jetën publike.
Megjithë përparimin e bërë me këtë ligj, duke njohur e përfshirë menstruacionet si gjendje mjekësore të cilës punëdhënësit duhet t’i përshtatet në mënyra të ndryshme si sigurimi i produkteve menstruale falas në vendin e punës, ofrimi i fleksibilitetit ne orar dhe puna nga shtëpia etj., ekspertët vlerësojnë se thirrja e EEOC mbetet e paplotë. Ky ligj duhet të shoqërohet me një angazhim po aq të fortë për t’iu drejtuar punonjësve që kanë simptoma të paramenopauzës dhe menopauzës.
Menopauza dhe periudhat që e paraprijnë atë kanë një ndikim të madh në jetën dhe punën e punonjëseve, ndaj duhet të merren seriozisht nga punëdhënësit, raporton Ms. Magazine.