Një raport i realizuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara tregon se njëanshmëria ndaj grave është po aq e rrënjosur sa ka qenë një dekadë më parë dhe progresi i barazisë gjinore ka shkuar në drejtim të kundërt. Nëntë nga dhjetë persona të të gjitha gjinive kanë një paragjykim ndaj grave, zbuloi Indeksi i Normave Sociale Gjinore, një shifër e pandryshuar nga të dhënat e mbledhura më shumë se një dekadë më parë.
I publikuar nga programi i zhvillimit të OKB-së të hënën, zbuloi se gjysma e njerëzve në 80 vende besojnë se burrat bëhen udhëheqës politikë më të mirë, 40% besojnë se burrat janë drejtues më të mirë biznesi dhe një e katërta besojnë se është e justifikuar që burrat të rrahin gratë e tyre.
Këto shifra, nga të dhënat e mbledhura midis 2017 dhe 2022, ishin kryesisht të pandryshuara nga raporti i mëparshëm i GSNI, i publikuar në vitin 2020, i cili përdorte të dhëna nga 2005 deri në 2014.
“Pritja ime ishte që do të shihnim njëfarë progresi, sepse nëntë në çdo 10 persona, është regres i madh” tha Pedro Conceição, kreu i zyrës së raportit të zhvillimit njerëzor të UNDP-së.
Paragjykimet rezultojnë në barriera për gratë në politikë, biznes dhe punë, si dhe heqje të të drejtave të tyre dhe shkelje të të drejtave të njeriut, thanë studiuesit. Pavarësisht se gratë ishin më të arsimuara dhe të afta se kurrë më parë, kishte një hendek rrogash prej 39% me burrat, shtuan ata.
Raporti i OKB-së bën thirrje që kontributet ekonomike të grave në shoqëri të njihen më mirë, duke përfshirë punën e papaguar, që të miratohen ligje dhe masa që sigurojnë pjesëmarrjen politike dhe për më shumë veprime për të luftuar stereotipet gjinore.