Me shënimin e Ditës së të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale të luftës në Kosovë, Ramadan Nishori ka rrëfyer publikisht përjetimin e tij të dhunimit seksual si 21-vjeçar gjatë kohës së luftës në shtator të vitit 1998, në stacionin policor në Drenas, raporton Koha.
“Unë sot dua që njerëzit të më shohin si një njeri që kam kaluar nëpër shumë gjëra, jam munduar shumë. Por nuk jam thyer kurrë. Nuk dua që njerëzit të më shohin me keqardhje për dhunën që kam përjetuar, por me respekt si një njeri që ka luftuar shumë për të mbijetuar”, ka thënë ai.
“Kanë ardhur dy policë me uniforma dhe më kanë futur në një banjo, dhe aty ndodhi më e keqja që mund t’i ndodhë një njeriu. Sepse atë kurrë nuk e kisha menduar se do të më ndodhte mua. Dhe njëri më dhunoi, ndërsa, derisa po përgatitej i dyti për dhunë, nga bërtimat e mia, një shqiptar që ishte aty hyri brenda dhe më nxori prej aty”, ka rrëfyer ai.
Nishori është burgosur dhe është liruar tek në mars të vitit 2001 me ndihmën e Kryqit të Kuq, kurse në vitin 2005 për herë të parë ishte afruar te zyrat e organizatës Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), por se nuk kishe pasur forcë të hynte brenda.
“Kam shku dhjetëra herë por kurrqysh nuk e mora guximin me hy brenda. Një natë e pashë në një intervistë, ishte Vasfije Krasniqi e cila është heroinë e gjallë … E kam marrë e i kam shkruar në Messenger menjëherë. Faleminderit shumë prej saj ma ka kthyer përgjigje menjëherë. Të nesërmen pa menduar shumë kam ardhur, u binda me ardhë”, ka treguar ai.
Nishori ka treguar rrëfimin e tij në organizimin e QKRMT-së, duke u bërë burri i parë që del në mënyrë publike me ngjarjen që ia kanë shkaktuar forcat serbe.
“Kur themi ‘zëri im është forca ime’ ne po e njohim dhe vlerësojmë guximin për të folur. Poashtu po i japim zë të gjithë atyre që nuk kanë mundur të flasin. Ky nuk është një hap veç i një të mbijetuari, por hap përpara për gjithë shoqërinë tonë drejt dhembshurisë, drejtësisë dhe daljes së të vërtetës në pah”, ka thënë Feride Rushiti, drejtoreshë e QKRMT-së.
Vajza e Nishorit, Flutura, ishte e pranishme gjatë ngjarjes së sotme dhe më pas reagoi me anë të një fotografie të publikuar në Facebook. Ajo shprehi përkrahjen e saj, duke thënë se jetesa dhe shërimi janë më të mëdha sesa pasojat që i sjell lufta.
“Në mesin e mijëra zërave të heshtur, një burrë ka gjetur guximin të flasë. Në një shoqëri ku burrat rrallëherë ndihen të sigurt për të treguar plagët e tyre më të thella, ai theu heshtjen jo vetëm për veten, por për të gjithë ata që ende nuk mund të flasin. Ky njeri është njeriu më i vlefshëm në jetën time, babi. Historia e babit nuk është e vetmja. Lufta nuk njeh rregulla dhe pasojat gjithmonë janë shumë të mëdha, por jetesa dhe shërimi janë shumë më të mëdha se pasojat! Dita e sotme le të jetë një përkujtim që kemi mbijetuar dhe kurrë nuk jemi vetëm! Babush, drita e syve të mi, faleminderit që kurrë nuk je dorëzuar e ke gjetur forcë me ma mbajt dorën në këtë botë mizore! Jam tepër krenare me ty! Të dua përjetësisht”, ka shkruar ajo.
© Photo credits: Driton Paçarada