Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Një burrë po akuzohet se kishte rekrutuar burra të panjohur për të përdhunuar gruan e tij

QIKA 9.9.2024

Në Francë, një burrë 71 vjeçar, Dominique P, po akuzohet për drogimin dhe përdhunimin e vazhdueshëm të gruas së tij, si dhe për rekrutimin e burrave të panjohur në internet për të sulmuar seksualisht viktimën në shtëpinë e tyre për më shumë se një dekadë.

Policia identifikoi të paktën 92 përdhunime të kryera nga 72 burra. 50 prej tyre u identifikuan dhe po dalin në gjyq përkrah bashkëshortit, shkruan BBC News.

Antonie Camus, avokati i viktimës, thotë se “Për herë të parë, asaj do t’i duhet të përjetojë përdhunimet që ka duruar mbi 10 vjet”. Gruaja ishte aq shumë e droguar sa nuk ishte në dijeni të abuzimit të përsëritur, shtoi ai.

Dominique P u hetua nga policia në vitin 2020, kur një roje sigurie e kapi atë duke filmuar fshehurazi nën fustanet e tre grave në një qendër tregtare. Më pas policia gjeti qindra fotografi dhe video të gruas së tij në kompjuterin e tij, në të cilat ajo dukej se ishte pa ndjenja.

Abuzimi dyshohet se ka nisur në vitin 2011 dhe incizimet tregojnë dhjetëra sulme në shtëpinë e çiftit. Ai pranoi para hetuesve se i dha gruas së tij qetësues të fuqishëm, duke përfshirë një ilaç për uljen e ankthit dhe sipas një eksperti “Gjendja e saj ishte më afër komës sesa gjumit”.

Sipas prokurorëve, Dominique P akuzohet se ishte edhe pjesëmarrës në këto përdhunime, duke i filmuar dhe inkurajuar burrat e tjerë. Për më tepër, shumica e përdhunuesëve, të moshës 26 deri në 74 vjeç, morën pjesë një herë në abuzim kurse disa prej tyre morën pjesë deri në gjashtë herë.

Gjyqi, i cili po mbahet në Parc des Expositions në Avignon, Franca jugore, do të zgjasë deri më 20 dhjetor.

Z. Camus, avokati i viktimës, tha se “Ajo mund të kishte zgjedhur një gjyq të mbyllur, por kështu do të dëshironin abuzuesit e saj”.