Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Një grua ka paditur babain e saj i cili e kishte ndaluar të udhëtonte për studime

QIKA 1.12.2021

Një grua në Gaza u ndalua të kalonte kufirin për shkak se babai i saj kishte kërkuar kështu nga gjykata. Afaf al-Najar tha se zyrtarët kufitar palestinezë në vendkalimin Rafah midis Gazës dhe Egjiptit e penguan atë të kalonte më 21 shtator. 19 vjeçarja kishte qenë në rrugë për në Turqi, pasi që kishte fituar një bursë për studime në media dhe komunikim.

Zonja al-Najar do të paraqitej në gjykatë të mërkurën me përpjekjen për të hequr ndalimin e udhëtimit, por seanca tani është shtyrë për javën e ardhshme për shkak se avokati i saj bëri kërkesën në gjykatë për t’i ofruar më shumë kohë për t’u përgatitur.

“Do të vazhdoj të përpiqem derisa të hiqet ndalimi i udhëtimit”, tha zonja al-Najar për Human Rights Watch. “Unë nuk dua që një grua tjetër të përballet me të njëjtën përvojë,” shtoi ajo.

Këshilli i Lartë Gjyqësor i Gazës kishte vendosur më parë se një kujdestar burrë mund të aplikojë në gjykatë me kërkesën për të ndaluar një grua të pamartuar që të udhëtojë nëse ky udhëtim shkakton “dëm absolut”, por ky është një term i paqartë dhe i hapur për interpretime të ndryshme, shkruan Independent.

Vendimi, i cili u dha në shkurt, do të thotë gjithashtu se një grua mund të ndalohet të udhëtojë në momentin kur një kujdestar bën kërkesën për ndalim para se gjyqtari të ketë nxjerrë një vendim për çështjen. Kjo është ajo që ndodhi në rastin e zonjës al-Najar, deklaroi Human Rights Watch.

Zonja Al-Najar tha se babai i saj, me të cilin ajo nuk jeton dhe që ajo thotë se nuk ka folur me të që nga maji, përdori aplikimin e tij për ndalimin e udhëtimit të urdhëruar nga gjykata duke pretenduar se ajo nuk kishte marrë leje nga babai i saj për të udhëtuar, por nuk arriti të demonstroj se si udhëtimi për studime jashtë vendit mund të shkaktoj “dëm absolut”.