Një rast i ngacmimit seksual ndaj një vajze të mitur është raportuar sot në Gjilan, ku i dyshuari në këtë rast është një arsimtar.
“Është raportuar se viktima femër kosovare është ngacmuar seksualisht nga i dyshuari mashkull kosovar. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit, me vendim të prokurorit, dërgohet në mbajtje”, shkruhet në raportin zyrtar të Policisë së Kosovës.
Sinjali raporton se rasti ka ndodhur brenda ambienteve shkollore gjatë orarit mësimor dhe se viktima, rreth moshës 15-vjeçare, është paraqitur në Stacionin Policor në Gjilan së bashku me nënën e saj, ku ka dhënë deklaratën për ngjarjen.
Përveç deklaratës së viktimës, është intervistuar edhe një nxënëse tjetër e së njëjtës klasë, e cila ka konfirmuar se kishte vërejtur dhe dëgjuar sjellje të papërshtatshme nga ana e arsimtarit ndaj viktimës.
Pas intervistimit të të gjitha palëve, përfshirë edhe të dyshuarin në prani të avokatit mbrojtës, Prokuroria e Shtetit ka caktuar masën e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa hetimet janë marrë në trajtim nga Njësia e Hetimeve Rajonale në Gjilan.