Një video e shkurtër e cila u shfaq në internet këto ditë ngjalli reagime nga politikanët dhe në mediat sociale. Videoja shpërfaqë pamje të një vajze, e cila shihet e gjakosur duke ecur rrugëve në Ujjain. Policia ka raportuar se pas dy ore që ajo ishte duke shëtitur rrugëve, më në fund ishte ndihmuar nga dikush. Ajo është 15 vjeçare dhe ishte raportuar e zhdukur nga qyteti Satna – më shumë se 700 km larg nga vendi ku u gjet të dielën.
Mbikëqyrësi i policisë së Ujjain, Sachin Sharma tha se një ekzaminim mjekësor tregoi se vajza ishte përdhunuar dhe për këtë janë arrestuar dy burra, të dy shoferë dhe katër të tjerë janë ndaluar.
Ajo u ndihmua nga Rahul Sharma, të cilin raportet e mediave e kanë përshkruar si një prift hindu. Ai tha se vajza kishte gjakderdhje kur e gjeti.
Udhëheqësit e opozitës në shtet e kanë dënuar incidentin dhe kanë kritikuar partinë qeverisëse Bharatiya Janata (BJP) për sigurinë e grave. Shefi i shtetit Shivraj Singh Chouhan ka thënë se të akuzuarit do të marrin dënim të rreptë, raporton BBC.
Priyank Kanoongo, kryetar i Komisionit Kombëtar për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, u tha gazetarëve se ai kishte kontaktuar policinë lokale dhe zyrtarët administrativë në Madhya Pradesh për të mësuar më shumë rreth incidentit.
Aktivistja Yogita Bhayana, e cila ka punuar me disa të mbijetuar të përdhunimit, i tha BBC-së se po përpiqej të gjurmonte familjen e vajzës dhe të vinte në kontakt me ta për të ofruar mbështetje.